Nis shpërndarja e teksteve shkollore/ Ministrja Kushi: Përfitues të librave falas 242 mijë nxënës

52
Sigal

Sot nisi shpërndarja e teksteve shkollore në të gjithë vendin dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zgjodhi shkollën 9-vjeçare “Osman Myderizi” në Tiranë për të takuar nxënësit që marrin sot librat e tyre.

“Siç e dini në të gjithë vendin fillon shpërndarja e teksteve për nxënësit e arsimit parauniversitar. Do të përfitojnë tekste falas të gjithë nxënësit e arsimit bazë nga klasa e parë deri në klasën e 9-të. Por edhe 16 kategori në nevojë, të veçanta, në arsimin e mesëm. Ato janë që nga statusi i jetimit, me vështirësi ekonomike në familje, nxënësit me aftësi të kufizuara, komuniteti rom dhe egjiptian, etj.” – tha Ministrja Kushi.

Teksa takoi nga afër nxënësit, znj. Kushi tha se këtë vit vijnë një sërë risish në arsimin parauniversitar.
“Risia këtë vit është se të gjithë nxënësit nga klasa e parë në të tretë, tekstet do të jenë falas me vetëm një përdorim që do të thotë se nxënësit nuk e kanë detyrimin që në fund të vitit shkollor t’i dorëzojnë tekstet. Për shkak të moshës së vogël dhe vështirësisë që kanë për t’u kujdesur mirë për librin, por se shumë tekste janë me shënime dhe kjo bëhet e vështirë që nxënësit e brezit tjetër t’i përdorin” – nënvizoi ministrja.
Në total janë 242 mijë nxënës që përfitojnë, por procesi i regjistrimeve ende vazhdon pasi në datën 11 shtator fillon viti i ri shkollor. Ndërkohë që deri tani janë 71 mijë janë nxënës nga klasa e parë në të tretën që i përfitojnë falas me një përdorim librat shkollorë.

FJALA E MINISTRES KUSHI NË PREZANTIMIN E PAKETËS SË SIGURISË NË SHKOLLA

Mirëdita të gjithëve!
I nderuar ministër Balla,
Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit,
Të nderuar pjesëmarrës, oficerë të sigurisë në shkolla

Unë e mirëprita me një interes shumë të madh iniciativën e ministrit të brendshëm që së bashku të rrisim përpjekjet dhe të forcojmë edhe më shumë bashkëpunimin prë ta ngritur sigurinë në shkolla në një nivel të ri.

Sigurisht nëpërmjet prezantimit të një pakete të re masat prej tij, por për të cilat ne duhet të jemi të gjithë bashkë dhe duhet të forcojmë edhe më shumë bashkëpunimin.

Në fakt vitet e fundit ka patur një vëmendje të shtuar për sa i takon rritjes së sigurisë në shkolla dhe luftës kundër fenomeneve negative sociale, duke filluar që nga dhuna, konfliktet fizike, bullizmi, fyerjet, kërcënimet, përdorimi i lëndëve narkotike, e deri tek krimet e internetit.

Masat e marra konsistojnë në disa drejtime. Duke filluar që nga ndryshimet ligjore, dhe aktet nënligjore, por po ashtu forcimi i shërbimit psiko-social në shkolla, pasurimi i kurrikulës me tema, me disiplina të ndryshme, por edhe të integruara nëpërmjet disiplinave dhe duke shtuar dhe shtuar shumë aktivitete ekstra kurrikulare që kanë të njëjtin qëllim, forcimin e sigurisë në shkolla.

Po kështu edhe bashkëpunimi me familjen, me prindërit, me komunitetin, me institucionet e vetëqeverisjes vendore, me policinë e shtetit ka ardhur gjithnjë e më shumë në rritje. Por një nga vendimet më të mira që kemi marrë, një nga qasjet më të mira që ndihmon në këtë drejtim, ka qenë pikërisht qasja e projektit siguria në shkollë, oficerët e sigurisë në shkolla.

Kjo ka qenë një marrëveshje midis MAS dhe MB e 5 viteve më parë, në vitin 2018 ku ne nisëm me 150 oficerë sigurie në shkollat e mesme në të gjithë vendin, dhe vitin e kaluar shtuam edhe 70 oficerë sigurie të rinj dhe këtë herë jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në shkollat 9-vjeçare me numër të lartë nxënësish. Ku dhe aty vitet e fundit është rritur problematika e fenomeneve negative sociale që përmenda pak më parë.

Oficerët e sigurisë janë të përgatitur dhe të trajnuar në disa drejtime. Për të menaxhuar dhe parandaluar problematikat që lidhen me dhunën apo konfliktet fizike në shkolla. Janë të përgatitur që të bashkëpunojnë ngushtë me drejtuesit e shkollave, me punonjësit psiko-socialë, me mësuesit, me të gjithë stafin e shkollave për të menaxhuar krizat apo problematikat e ndryshme.

Po kështu ata janë të përgatitur dhe punojnë intensivisht për të bashkëpunuar edhe me prindërit, familjet, komunitetin gjithmonë për të njëjtin qëllim.
Po ashtu me institucionet e vetëqeverisjes vendore, veçanërisht me policinë e shtetit kanë një bashkëpunim më të ngushtë. Por oficerët e sigurisë ndërkohë organizojnë edhe shumë takime, bashkëbisedime me nxënësit, prindërit, mësuesit për të rritur ta ndërgjegjësimin që të njohin cilat janë rreziqet dhe të dinë se si t’i parandalojnë, si të bashkëpunojnë me oficerët e sigurisë dhe me të gjithë stafin e shkollës pikërisht për t’i luftuar këto fenomene dhe për t’i trajtuar dhe menaxhuar problematikat e dhunës.

Oficeri i sigurisë nuk e zëvendëson as mësuesin, as punonjësin psiko-social, as stafin e shkollës, as punonjësin e policisë, por është një vlerë e shtuar që koordinon shumë mirë dhe bashkëpunon me të gjithë për të rritur më shumë sigurinë në shkolla dhe ajo që konstatojnë në shkolla gjithnjë e më shumë është parandalimi. Dhe për këtë mua më vjen mirë që është rritur gjithnjë e më shumë ndërgjegjësimi në institucionet tona arsimore që t’i raportojnë rastet e dhunës. Sepse vetëm duke i raportuar më parë apo edhe gjatë kohës që ndodhin, ne mund t’i menaxhojmë krizat. Por jo t’i fshehim ato.

Rezultatet punës e oficerëve të sigurisë flasin pikërisht për një vlerë të shtuar dhe për një kontribut me shumë vlerë në institucionet tona arsimore. Unë do t’ju jap shumë shkurt disa statistika, vetëm për të kuptuar se çfarë efekti ka patur puna e tyre edhe pse pak vite. Edhe pse janë një figurë e re në institucionet tona arsimore. Nisur nga raportimi vjetor i oficerëve të sigurisë, numri i rasteve të problematikave që janë zgjidhur falë kontributit të tyre, është rritur nga viti në vit. E kemi nisur me 238 raste të zgjidhura në vitin 2019, më pas në 243, dhe sot kemi 376 raste dhune apo konflikte apo problematikash të tjera që janë zgjidhur pikërisht falë ndërhyrjes së apo falë menaxhimit të oficerëve të sigurisë. Vitin e kaluar 2022 -2023 ne kemi patur edhe 246 raste që janë parandaluar falë punës dhe angazhimit të oficereve të sigurisë.

Megjithatë kaq informacion nuk mjafton. Për këtë arsye ne menjëherë pas mbylljes së vitit shkollor, së bashkë me agjencinë e sigurimit të cilësisë së arsimit parauniversitar, hartuam një raport me më shumë statistika nga të gjitha shkollat e vendit, raport të cilin do tua vëmë në dispozicion edhe ministrit të brendshëm dhe drejtorisë së policie, ku ne kemi informacione edhe për numrin total të problemeve, në shkollat tona që lidhen me dhunën apo konflikte të tjera dhe janë 2750 raste. Duke filluar që nga bulizmi, kërcënimet, sharjet, rastet e dhunës verbale dhe psikologjike, raste të dhunës fizike dhe këtu dua të theksoj se nga 2750 raste problematike në total, 29 % pra 796 janë dhunë fizike.

Mjediset më të shpeshta ku ndodhin aktet e dhunës apo problematikat janë ose në klasë kur mungon mësuesi, ose në oborrin e shkollës. Por një numër i madh rastesh është edhe jashtë perimetrit të shkollës, ku aq më shumë na duhet forcimi I bashkëpunimit me policinë. Janë konkretisht 518 raste, pra 19% e rasteve të dhunës ndodhin jashtë shkollës, por shumë pranë shkollës në perimetrin e shkollës.

Unë dua ta falënderoj në mënyrë të veçantë policinë e shtetit, sepse në të gjitha rastet që oficerët tanë të sigurisë, por edhe punonjësit tanë psiko social, strukturat tona arsimore kanë njoftuar dhe kanë raportuar, ndërhyrja e tyre, bashkëpunimi I tyre kanë qenë I menjëhershëm. Dhe janë rreth 442 raste në të cilat është njoftuar policia, ka qenë e pranishme dhe rastet janë zgjidhur. Pra janë 16 % e rasteve në total të cilat trajtuar dhe janë zgjidhur me bashkëpunimin e policisë.

Duke qenë shumë të vetëdijshëm, për problemet dhe rreziqet që kanë nxënësit tanë, fëmijët, por edhe të rinjtë, nga dhuna nga konfliktet, por edhe nga palë të treta, që kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme qoftë për çështje të trafikimit, apo për shëtitjen e lëndëve narkotike, të ndërhyjnë në institucionet tona arsimore, duke qenë të bindur, për rolin që kanë, për verën e shtuar që kanë oficerët e sigurisë në shkollat tona. Por duke qenë më shumë të bindur që vetëm falë bashkëpunimit me institucionet e tjera ligjzbatuese dhe veçanërisht falë bashkëpunimit me policinë e shtetit, ne mund të bëjmë përpjekje edhe më të mëdha që të rritet edhe më shumë siguria në shkolla, pra të përmbushim atë mision dhe ta ngremë në një nivel të ri. Pikërisht për këtë arsye unë e kam mirëpritur me shumë interes dhe me shumë falënderime dhe me shumë mirënjohje iniciativën e ministrit të brendshëm për të prezantuar tek ju, përpara prindërve dhe opinionit publik, paketën e re të masave që ne së bashku duhet ta zbatojmë dhe unë kam besim të plotë që do të jetë një vlerë e shtuar për të shtuar më shumë sigurinë në institucionet tona arsimore

Shumë faleminderit të gjithë ju oficerëve të sigurisë për kontributin, për punën, për sakrificën e vazhdueshme, sepse e di shumë mirë që shpesh herë ndodheni në situate vërtet shumë të rënda, por këmbëngulja juaj, përkushtimi juaj është vërtetë për t’u përgëzuar. Unë ju jam të gjithëve shumë mirënjohëse dhe shumë faleminderit ministrit të brendshëm dhe përfaqësuesve të policisë.

Shumë faleminderit!