Përgatitja e fëmijëve në kopsht dhe gatishmëria për të hyrë në shkollë

6016
Sigal

Të gjithë në si prindër, por edhe fëmijët, kemi provuar emocionet e ditës së parë në shkollë. Ndonëse me pak emocion, është ndër ditët më të bukura dhe të paharruara të fëmijëve.

Gatishmëria e fëmijëve për të hyrë në shkollë, pra në klasën e parë, përfshin zhvillimin fizik, zhvillimin e personalitetit, zhvillimin social dhe atë konjektiv. Zhvillimi konjektiv përfshin ndryshimet që ndodhin në të menduarin e fëmijës, në kujtesën, në të folurin dhe në zgjidhjen e problemeve. Sipas ligjit të arsimit parauniversitar në vendin tonë i vetmi kriter përcaktues për pranimin e fëmijëve në klasën e parë është mosha, pra në shkollë pranohen ata fëmijë, të cilët deri me 31 gusht kanë mbushur moshën 6 vjeç dhe dokumentacioni për t’u regjistruar në klasë e parë është ky: Certifikatë e fëmijës me fotografinë e dy muajve të fundit; Vërtetim vaksinimi;

Vërtetim nga okulisti; Vërtetim nga kopshti.

Por a janë të gatshëm të gjithë fëmijët që me 31 Gusht mbushin moshën të përballen me  shkollën? Përvoja ime si ish mësuese e klasës së parë dhe mësuese parashkollore, prej 25 vitesh,  thotë jo! Në qoftë se në aspektin e zhvillimit psikik bëjmë krahasimin e moshatareve do të konstatojmë se disa prej tyre zhvillohen me shpejt e disa të tjerë me ngadalë. Ekzistojnë shumë faktorë që përcaktojnë këto ndryshime individualë tek fëmijët, si: trashëgimia, mjedisi ku rritet fëmija, infeksionet e ndryshme të cilat ndikojnë në gjendjen shëndetësore të fëmijëve, metodat e punës së edukimit që përdorin, prindërit dhe përvetësimi i njohurive sipas fushave të zhvillimit që ata marrin në kopsht. Qe nga viti 2007 kopshti punon me programe të reja të miratuara nga MAS, ku përfshihen linjat, objektivat, konceptet dhe baza material-didaktike.

Në përfundim të arsimit parashkollore, sipas kornizës kurrikulare të arsimit parauniversitar, fëmija:

– Kupton, njeh veten dhe të tjerët.

– Kupton dhe pranon ndryshueshmërinë e jetës, është tolerant dhe merr pjesë lehtësisht në veprimtari grupi.

– Dallon ndjenjat vetjake dhe të të tjerëve dhe mënyrat e shprehjes së tyre,

– Përdore gjuhën  shqipe për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e tij,

– Zotëron shprehi të thjeshta komunikuese dhe artistike,

– Përdor njohuri të thjeshta në jetën e përditshme,

– Kujdeset në mënyrë të pavarur për higjienën vetjake dhe të mjedisit,

– Njeh dhe shkruan të gjitha shkronjat e alfabetit,

-Njeh dhe shkruan numrat nga 1-20.

Por, a janë të aftë të gjithë fëmijët të përballojnë kërkesat e shkollës të cilët për arsye të ndryshme nuk i zotërojnë këto aftësi? Në këto raste shtrohet pyetja: si është më mirë,ta regjistrojmë fëmijën në shkollë apo ta shtyjmë edhe një vit? Përvoja tek ne, por edhe në vendet e tjera tregon se është më mirë të presim edhe një vit, sidomos nëse fëmija është më i vogël se 7 vjeç, se sa ta detyrojmë të mbajë një ngarkesë se cilës nuk mund t’i përgjigjet fizikisht as psikologjikisht, por këta fëmijë nuk duhen lënë në shtëpi, në një mjedis të papërshtatshëm ku nuk kanë mundësi zhvillimi. Prandaj është e domosdoshme përfshirja e tyre në klasat përgatitore në shkolla ose në grupin e tretë në kopsht, ku ndërmjet veprimtarive të ndryshme që organizohen ata parapërgatiten për shkollë. Thamë se gatishmëria për të hyrë në shkollë, pra për të hyrë në klasën e parë, përfshin edhe zhvillimin fizik me të cilin kuptojmë ndryshimet në cilësitë trupore të fëmijës, në sjelljen lëvizore dhe në procesin fiziologjik. Shumë fëmijë janë të zhvilluar mirë fizikisht, por, siç thamë më lart këtij zhvillimi nuk i përgjigjet kurdoherë zhvillimit psikik dhe pikërisht për këtë arsye është i domosdoshëm një testim psiko-social i tyre. Rëndësi të veçantë për përgatitjen e fëmijëve 6-vjeçarë ka forcimi e zhvillimi i proceseve psikike njohëse në kopsht, pra zhvillimi i ndijimeve, perceptimeve, përfytyrimeve etj. Për disa fëmijë edhe prindër është i vështirë kalimi nga kopshti në shkollë. Planifikimi dhe përgatitja e kujdesshme në kopsht, ndihmon në lehtësimin e kalimit nga kopshti në shkollë. Disa nga aktivitetet që mund të realizohen nga mësuesit e kopshtit janë:

-Organizimi i takimeve mes stafit pedagogjik të shkollës fillore dhe kopshtit për të shkëmbyer informacion të përshtatshëm për të dy institucionet.

-Vizite në shkollën që ndodhet më afër kopshtit ku fëmijët e shikojnë nga afër një orë mësimi me nxënësit e klasës së parë.

-Takim me mësuesit e shkollës fillore që marrin klasat e para, për të diskutuar për çdo fëmijë që do të shkojë në atë shkollë. Në këto takime është mirë të ftohen e inkurajohen edhe prindërit

Duke parë shqetësimin e prindërve për të regjistruar fëmijët në shkollë është mirë që kopshti, që në fillim të muajit Qershor të organizojë takime me prindërit dhe të informojë për procedurat dhe dokumentacionin e regjistrimit të fëmijës në shkollë. Dhe në përfundim dua t’ju uroj të gjithë fëmijëve që hynë në klasën e parë suksese, suksese!

Shpresa Faslia, kopshti 17