Mësimi online/ Si do të aplikohet ?

90

Vendimi për zhvillimin e mësimit të kombinuar mes prezencës në shkollë dhe procesit online nuk do të aplikohet në të gjitha shkollat. Sipas ekspertëve të shëndetësisë, kjo metodë e alternimit të mësimit, do të zbatohet vetëm nga shkolla të veçanta në varësi të situatës epidemiologjike që ndodhen. Në institucionet të cilat nuk ka nxënës apo mësues të prekur nga virusi, mësimi do të vazhdojë normalisht në bankat e shkollës.

ARTAN SIMAKU, EPIDEMIOLOG, ISHP

“Çdo drejtori rajonale, arsimore, mund të marrë vendimin për kalimin e mësimit online ose me prezencë fizike. Nuk është e thënë që do të jetë unik për të gjithë Shqipërinë, por do të varet nga situata epidemiologjike.”

Përsa i përket procesit të alternuar, disa nxënës e mbështesin si skenar të mundshëm, edhe pse mësimi në distancë nuk ka rezultuar shumë efikas për ta.

“Mësimi online nuk është aq i qartë sa në shkollë.”

Nga ana tjetër edhe prindërit kanë qëndrime të ndryshme për këtë formë të procesit. Disa prej tyre janë skeptikë që reduktimi i orëve të qëndrimit në klasa, do të ulë edhe mundësinë për infektim.

“Kot sa e bëjnë edhe me orar të shkurtuar se rrëmujë bëhet si në mëngjes, edhe në drekë. Më mirë të ketë më shumë rregull, dezinfektim.”

Një ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në emër të komitetit të ekspertëve i rekomandoi ministrisë së arsimit, që procesi të zhvillohet i alternuar, mes pranisë në klasa dhe mësimit në distancë duke filluar nga 1 dhjetori.