STRATEGJIA E BE / Ja si do ulen çmimet e ilaçeve në Europë

227
Sigal

Strategjia e re europiane farmaceutike do të mundësojë uljen e çmimit të ilaçeve dhe kthimin e prodhimit farmaceutik në Europë, tha të enjten eurodeputeti kroat Tomislav Sokol, duke bërë thirrje për një prokurim të përbashkët evropian të ilaçeve.

Eurodeputetët diskutuan Strategjinë Farmaceutike për Europën, e cila synon garantimin e aksesit në ilaçe inovative dhe të përballueshme dhe mbështetjen e konkurrencës, kapacitetit të inovacionit dhe qëndrueshmërisë së industrisë farmaceutike në BE.

Në diskutim, Sokol bëri thirrje për një prokurim të përbashkët evropian të ilaçeve në mënyrë që të ulen çmimet për qytetarët dhe sistemet shëndetësore, tha Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e EPP.

Mungesat e ilaçeve janë një problem i vjetër që është përkeqësuar më tej nga fillimi i pandemisë aktuale. Edhe pse Bashkimi Europian është eksportuesi më i madh në botë i produkteve farmaceutike, sfida kryesore është që pothuajse 80 përqind e përbërësve aktivë për prodhimin e ilaçeve importohen nga vendet e treta.

Sokol prezantoi hulumtimin e Shoqatës Farmaceutike të Bashkimit Europian nga viti 2019, i cili përfshiu 24 shtete anëtare, dhe në të cilin thuhet se farmacitë e tyre kishin probleme me mungesën e ilaçeve.

“Industria farmaceutike duhet të sillet në pjesët më pak të zhvilluara të Bashkimit Evropian për të arritur vetë-mjaftueshmërinë kudo që është e mundur. Për të patur sukses, investimet evropiane përmes një sërë instrumentesh, të tilla si Horizon, BE për shëndetin, InvestEU, Evropa Dixhitale dhe veçanërisht politika e kohezionit, ata duhet të krijojnë sinergji”, tha Sokol.

“Një nga modelet konkrete të bashkëpunimit të ardhshëm evropian me të cilin ne mund të ulim çmimet e ilaçeve ka të bëjë me aksesin në ilaçe inovative, të cilat nuk janë të disponueshme kryesisht sepse janë të shtrenjta. Një model që do t’i bënte barnat më të shtrenjta më të arritshme është një prokurim publik i përbashkët evropian”, tha ai.

“Matematika është e thjeshtë: nëse Bashkimi Evropian në tërësi negocion, pozicioni negociues i vendeve anëtare do të jetë shumë më i favorshëm dhe, çmimi përfundimtar i ilaçeve për sistemet shëndetësore dhe qytetarët, më i lirë. Eshtë koha që së bashku të mundësojmë çmime më të ulëta të ilaçeve të shtrenjta, kryesisht për sëmundjet e rralla dhe kanceret e fëmijëve”, theksoi ai.

Përveç kësaj, Sokol theksoi nevojën për t’u përqëndruar në sigurimin e zinxhirëve të furnizimit, sistemet e raportimit të mungesës, rritjen e transparencës së aksioneve dhe forcimin e mekanizmave për të monitoruar, menaxhuar dhe shmangur mungesat. Zbatimi i strategjisë duhet të sigurojë që ndryshimet në aksesin dhe çmimet e ilaçeve të eliminohen dhe, kufizimet e eksportit të produkteve medicinale në kundërshtim me ligjin evropian dhe lëvizjen e lirë të mallrave në tregun e brendshëm, të mos përsëriten.

“Zbatimi i kësaj strategjie është një nga hapat e shumtë që duhet të ndërmarrim për të siguruar që të gjithë qytetarët të jetojnë me të vërtetë në Bashkimin Evropian të Shëndetit,” përfundoi Sokol.