Matura Shtetërore, sot starton sezoni i vjeshtës 

573
Sigal

MAS/ Shansi i dytë për 17 mijë maturantët e mbetur. Ja struktura e testit

Maturantët të cilët nuk mundën të kalonin në provimet e Maturës Shtetërore kanë mundësi tashmë të rijapin provimet e mbetura. Sezoni i vjeshtës starton sot me provimin e Gjuhës së Huaj me detyrim, pra në 10 shtator dhe do të përfundojnë në datë 22 shtator me dy provimet me zgjedhje. Këtyre provimeve do t’u nënshtrohen mbi 17 mijë maturantë, që nuk kanë mundur të kalojnë me sukses provimet e Maturës Shtetërore 2014. Në bazë të Udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit,

 

Datat e provimeve janë si më poshtë:

Gjuhë e huaj                             10 shtator 2014

Gjuhë Shqipe dhe Letërsi           13 shtator 2014

 Matematikë                              16 shtator 2014

 Lëndë me zgjedhje                   22 shtator 2014

 

Numri i nxënësve për provimin gjuhëve të huaja është:

Gjuhë angleze 1.546  nxënës

Gjuhë frënge     376   nxënës

Gjuhë italiane    328  nxënës

Gjuhë gjermane  (Nuk ka)

Numri i nxënësve për provimet e tjera është:

Gjuhë Shqipe dhe Letërsi   6.500 nxënës

Matematikë                     14.360 nxënës

Provimet me zgjedhje     10.864 nxënës

Struktura e testit

Provimet do të fillohen në orën 10:00. Provimet e detyruara  do të zgjasin 2 orë e 30 minuta. Ndërsa provimet me zgjedhje do të zgjasin 4 orë.  Maturantët që kanë vetëm një provim me zgjedhje do të hyjnë në provim në orën 11:30.

Provimet e detyruara do të kenë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje do të jenë me alternativa që do të vlerësohen me 13 pikë dhe 12 pyetje do të jenë me zgjidhje që do të vlerësohen me 37 pikë.

Provimet me zgjedhje do të kenë 20 pyetje nga të cilat 10 pyetje me alternativa që do vlerësohen me 10 pikë dhe 10 pyetje me zhvillim që do vlerësohen me 30 pikë.

Provimet do të zhvillohen të përqendruara në Drejtoritë Arsimore Rajonale. Vetëm ZA Tropojë, ZA Lushnje dhe ZA Sarandë do t’i zhvillojnë provimet në qytetet e tyre.

Hartimi i testeve, shpërndarja, administrimi, monitorimi dhe vlerësimi do të bëhet si në sesionin e parë të Maturës Shtetërore duke ruajtur të njëjtat standarde, bazuar në Rregulloren e MSH-së , udhëzimet dhe urdhrat e dala nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Marrin pjesë:

Në provimin e Maturës Shtetërore 2014-të, sesioni i dytë, kanë të drejtë të marrin pjesë:

a) Maturantët/kandidatët që nuk rezultojnë kalues në një ose më shumë provime të Maturës Shtetërore 2014-të, sesioni i parë.

b) Maturantët që kanë qenë pakalues në një ose dy lëndë, në vitin shkollor 2013-2014 dhe i kanë shlyer ato në sesionin e vjeshtës.

c) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014-të, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore.

d) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njësuar dokumentet shkollore në komisionin e posaçëm të ngritur me Urdhrin e MAS, Nr.108, datë 31.03.2014, por që duhet të japin një apo dy provim me zgjedhje.

Për kandidatët, gërma a) dhe b) është i vlefshëm Formulari A1.

Për kandidatët, gërma c) dhe d) duhet të kenë plotësuar Formularin A1Z nga 1 deri në 5 shtator 2014-të.