Dr. Vili Minarolli: Kushtetuta përballë Shtetit të shpartalluar

438

“Shtetet demokratike moderne funksionojnë sipas parimeve të demokracisë përfaqësuese. Kushtetutat e këtyre shteteve sanksionojnë, se sovraniteti kombëtar i përket popullit që e ushtron nëpërmjet përfaqësuesve, ose rrugës referendare. Sovraniteti mund të delegohet duke zgjedhur deputetë, të cilëve u besohet një mandat përfaqësues i tij”

Sigal

Vili Minarolli

Ish-Ambasador

Nuk e pata të lehtë për ta vënë këtë titull. Në fund të fundit po shkruaja diçka për vendin tim. Mendova në fillim ta titulloja: “Shteti informal”, por m’u duk  se nuk e  shprehte atë dimension që kisha menduar për përmbajtjen. Kjo do të thotë, së pari, ne ta kemi shtetin në funksion, por me disa elementë jo normalë ashtu siç ndodh edhe në jo pak shtete të tjera. Pastaj më shkoi në mendje ta titulloja “Shteti inekzistent”. Përsëri  ndryshova mendim, se nga ana formale, ne jemi shtet që e kemi një vend në listën e OKB-së. Kemi përfaqësi diplomatike dhe organizma ndërkombëtare që na monitorojnë, jemi anëtarë në organizma  europiane, por jemi dhe anëtarë të Nato-s, pavarësisht se ndonjëherë aerodromet i kemi vënë në dispozicion të krimit të organizuar për transport droge apo kemi  nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit radarët që monitorojnë detin, aq kohë sa trafikantët  të mund të dërgonin ngarkesat me drogë nga  ana tjetër e detit, që më pas të shpërndahet në Europë. Më shkuan në mendje edhe tituj të tjerë si “shteti në tranzicion”, por hoqa dorë menjëherë, sepse edhe pas tridhjetë vjetësh nuk i dihet fundi dhe ndoshta dikush mund të thotë se edhe kështu mund të ecet. Pastaj mendova se mund ta titulloja: “shtet i brishtë”. Në fakt  ky titull m’u duk disi më afër të vërtetës tonë dhe dëshirës të shtetarëve tanë, sepse i bën të tjerët të ndjejnë keqardhje, kur të ndodh një fatkeqësi natyrore si tërmeti i nëntorit i vitit të kaluar, që gjithçka e pret nga jashtë me dorë të nderë, sepse vetë nuk ke asgjë për të ndihmuar fatkeqët. Ai që administron taksat e qytetarëve të këtij vendi, ka menduar të kënaqë vetëm klientët, që e mbajnë në pushtet. Po ashtu ky titull, pra “ shtet i brishtë”,  mendoj se ofron shtete dashamirëse,  si Gjermania, që duan të na ndihmojnë duke na treguar se ç’duhet të bëjmë që të rregullojmë brishtësinë tonë. Dhe na kanë vënë disa detyra shtëpie, shumë janë 15, por nuk është vështirë për t’i plotësuar…po të duam. Na thonë të bëjmë një ligj zgjedhor që ta bëjmë demokracinë funksonale. Jo një parlament me vota të vjedhura dhe të blera,  jo me përfaqësues nga bota e krimit, shteti të shkëputet nga bashkëpunimi me krimin e organizuar, të funksionojë shteti ligjor për barazi për të gjithë qytetarët  ndaj ligjit. Por kur e bën matjen me kutin tënd, të duket e lehtë të bëhen këto.  Kollaj, bën ligjin që të bëhen zgjedhjet siç i bën e gjithë bota, bën funksionale strukturat e shtetit, dhe ndërton shtetin e së drejtës, që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe…ja u bëmë shtet normal. Kështu është për dikë që na gjykon nga jashtë. Dhe është interesant se pastaj ky i jashtmi, kur vjen këtu nuk sheh asgjë, as vjedhje të zgjedhjeve duke përdorur shitblerjen e votave, as  mbushje të vendit me drogë, as krimin e organizuar që ka kapur në grykë shtetin, as…Dhe kur po mendoja të gjeja pse këta ndërkombëtarë nuk shikojnë asgjë veç shkëlqimin e pushtetit, m’u kujtuan zgjedhjet lokale të një viti më parë.  Këtë rradhë  as  “engjëlli mbrojtës” i socialistëve shqiptarë, laburistja angleze, nuk ua certifikoi  zgjedhjet si “ të pranueshme nga standardet, më të rregullta se herët e tjera, por duhen bërë disa përmirësime të kodit”, siç kishte bërë për gati  njëzet vjetësh. Me mendimin se  aktualisht kemi një administratë lokale  copë- copë, e zgjedhur  e pa dekretuar( pra antikushtetuese), e vendosa  këtë titull në krye të shkrimit. Gjykimin e keni ju, i dashur lexues.

“Në vitin 1748,  Monteskje  formuloi parimet e ndarjes  të pushteteve, të pushtetit  legjislativ,  të pushtetit ekzekutiv dhe të pushtetit gjyqësor, që frymëzuan doktrinën kushtetuese liberale në SHBA. “Nuk mund të ketë regjim të  ekuilibruar, as respektim të të drejtave të njeriut pa një ekuilibër real të pushteteve.”- shkruante atë kohë Monteskje. Zhan Zhak Rusoi në vitin 1762,  në vepën e tij “Kontrata sociale”,  afirmoi se sovraniteti politik varet ekskluzivisht nga populli. “Një shtet është  demokratik  – shkruan Rusoi – kur ai qeveriset nga përfaqësuesit e popullit, që ushtrojnë pushtetin në emër të këtij të fundit.”

Për  t’u ruajtur nga rreziku i arbitraritetit, shtetet demokratike  disponojnë dhe i bëjnë funksionalë dy parime:  Shtetin e të drejtës dhe  ndarjen e pushteteve. Shteti i të drejtës  është një shtet, ligjet e të cilit janë në përputhje me parimet kushtetuese. Sipas Monteskje,  pushteti nuk duhet të jetë asnjëherë i përqendruar  në duart e një autoriteti të vetëm, përkundrazi  të tre funksionet e pushtetit, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, duhet t’u besohen organeve përkatëse. Në vitin 1998,  u miratua me referendum  Kushtetuta e re, në përshtatje me rendin e ri demokratik që mendonim të krijonim. Por shpejt e trajtuam atë jo si dokumentin themelor të shtetit, por si mjetin për të përligjur ambicie të caktuara politike. Nëqoftëse  Kushtetuta  e miratuar iu nënshtrua një diskutimi popullor, që zgjati disa muaj dhe përfundoi me referendum mbarë popullor, ndryshimet e vitit 2008, u bënë brenda një nate, më pak kohë dhe më pak diskutime se ç’mund të marrë një amendim i parëndësishëm i një ligji të zakonshëm. Dhe rezultati i këtij veprimi të qëllimshëm,  u duk shumë shpejt. Në fund të fundit për atë qëllim edhe u bë. Shtetet demokratike moderne funksionojnë sipas parimeve të demokracisë përfaqësuese. Kushtetutat e këtyre shteteve sanksionojnë, se  sovraniteti kombëtar i përket popullit që e ushtron nëpërmjet përfaqësuesve,  ose rrugës referendare. Sovraniteti mund të delegohet duke zgjedhur deputetët,  të cilëve u besohet një mandat përfaqësues i tij. Tek ne,  nuk ekziston ligji për referendumet, pra  për mundësinë  e funksionimit të demokracisë të drejtëpërdrejtë. Ndryshimet  kushtetuese të vitit 2008,  e  zhveshën  Kushtetutën edhe nga  zbatimi i demokracisë  përfaqësuese. Atëhere mbi cilat parime  reale, pavarësisht se në Kushtetutë e kemi  një emërtim të tillë, ne quhemi një shtet demokratik? Kjo është arsyeja që pas vitit 2013,  ata që u quajtën  “përfaqësues të popullit”, u zgjodhën të ishin  njerëz që vinin nga bota e krimit dhe këtu kam parasysh, jo vetëm krimin e organizuar, por edhe krimin që u bë bashkëudhëtar i regjimit  komunist, njerëz të pa arsimuar, njerëz që e mendonin dhe e përdorën pozicionin për të zhvatur prona publike dhe pasuri në rrugë korruptive, njerëz që epiteti “qelbësira” që i quajti dikush, ishte shumë i butë. Dhe vazhdon një betejë këmbëngulëse  për ta mbajtur këtë mënyrë “përfaqësimi të popullit”, që do të vazhdojë të prodhojë një parlament  me skllevër, buratinë, apo thjesht një kope e bindur njerëzish, pa gojë, pa veshë dhe pa sy. Jo vetëm kaq, por në mospërfillje të Kushtetutës, tashmë e kemi  edhe të cunguar.  Pra  në referim të Kushtetutës, pushteti legjislativ  nuk funksionon. Këtë e tregoi  edhe krijimi i të ashtuquajturit Komitet Politik për hartimin e Kodit të ri zgjedhor, duke  e eleminuar  komisionin përkatës të parlamentit dhe duke e konsideruar thjesht parlamentin  një noter të akteve të këtij Komiteti.

Në këtë rast duhej të ndërhynte  Gjykata Kushtetuese, por ajo ka tashmë disa vjet që nuk ekziston. Dhe kur nuk ekziston  kjo gjykatë që përbën  shtyllën kryesore të pushtetit gjyqësor, atëhere edhe ky pushtet në “shtetin tonë demokratik” ka rënë. Tani parlamentarët tanë  u dukën të ofenduar që do të shndërrohen thjesht noterizues të  vendimeve që merren jashtë tij, por ata harrojnë se kanë disa vite që vetëm këtë punë kanë bërë, kanë miratuar ligje, jo vetëm pa i lexuar, se shumica e tyre  kanë vështirësi të lexojnë, por edhe kur i kanë lexuar,  nuk i kanë kuptuar. Dhe kur  ushtruesi i Unitetit të Popullit ka kthyer shumë prej këtyre ligjeve si antikushtetues, ata “të ofenduar” ia kanë “thyer hundën” atij që ka guxuar  të merret me “vendimet unanime” të tyre. Dhe janë prodhuar ligje që cënojnë rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të drejtën e pronësisë dhe zhvatjen e pronës publike dhe private,  lirinë e shtypit dhe shumë ligje të tjera që cënojnë rëndë  funksionimin e një shteti demokratik. Ka disa vite që flitet për reformë në Drejtësi, por ka disa vite që tek ne  u shpartallua sistemi i drejtësisë. Dikujt i ka interesuar kjo situatë. Nuk është se ai sistem që ishte  mund të quhej i tillë. Para se të quhej sistem drejtësie,  ai mund të quhej sistemi politik i drejtësisë dhe me këtë mbrojtje nga politika,  u kthye në një sistem tërësisht të korruptuar dhe krejtësisht jashtë funksionit të një shteti të së drejtës, ku të gjithë janë të barabartë para ligjit. Dhe ishte shumë e mirëpritur një reformë e thellë e sistemit, për ta kthyer  atë  në një sistem normal dhe të rendësishëm  të një shteti demokratik. Por ç’ndodhi?

“Eleminimi i gjykatave kryesore që mbajnë në këmbë sistemin, zhvillimi i  vetingut si një proçes selektiv me ndërhyrje të fshehtë, por edhe të hapur të politikës, rikthimi në postet drejtuese të sistemit të “ri” të figurave që kanë zhvilluar procese hetuesie dhe gjyqsore në regjimin komunist, vendosja në krye të organeve të reja të drejtësisë të personave  me lidhje të ngushta  me politikën sunduese, e tregon qartë se cili është drejtimi që ka marrë edhe sistemi, i ashtuquajturi i reformuar.”

Edhe pse thuhet zyrtarisht se disa organe të drejtësisë kanë filluar të funksionojnë, ndonëse janë bërë denoncime për shkelje të ligjeve që cënojnë të drejtat qytetare apo për korrupsion të personave të veshur me pushtet politik, nuk ka asnjë sinjal se do i jepet fund pandëshkueshmërisë për shkelsit e ligjit, apo të tregohet se ligji është i barabartë për të gjithë. Po qe se kjo nuk funksionon atëhere edhe ky pushtet i pavarur i një shteti demokratik  është jashtë funksionit. Dhe së fundi, këtij shteti tonë të cunguar nga dy pushtetet , legjislativi dhe gjyqsori i mbetet vetëm ai ekzekutiv. Xhon Lok thotë: “Të drejtat e njeriut unë i kam quajtur  të drejta natyrore”. Ato janë të drejta të patjetërsueshme, që i takojnë secilit si njeri, pra jo të huazuara nga pushteti. Dhe më tej: “Monopoli i pushtetit, -këtu është dallimi mes meje dhe Hobs-it, -përbën një rrezik të madh për qytetarët e lirë. Për këtë arsye është i nevojshëm themelimi i shtetit që  të mbrojë qytetarët nga keq trajtimi.Është Kushtetuta që përcakton ndarjen e pushteteve dhe janë ligjet që përcaktojnë  funksionin, detyrimet dhe të drejtat e çdo  segmenti të pushtetit.” Kur Ministri i brendshëm citon Hobs-in  që në shekullin e 17 ka thënë se dhuna është monopol i shtetit, dhe shteti atë kohë ishte mbreti(Monarkia absolute duhet të jetë forma e qeverisjes- sipas Hobbs-it), harron se  ai ka marre përsipër  me funksionin e tij që të sigurojë jo dhunën ndaj qytetarëve që  protestojnë paqësisht në të drejtën e tyre kushtetuese, por të mbrojë qytetarët nga dhuna në shkelje të të drejtave kushteturse. Por gabimi qëndron tek ai që caktoi në këtë detyrë,(mund ta emëronte ministër të mbrojtjes, por ai e dinte se me ushtrinë që kemi, nuk do të dukej “interesant” në sy të shefit të tij), një ish oficer të lartë  që  ka studiuar, është stërvitur dhe kualifikuar  të vrasë  kundërshtarin, ose kur mbrohet ose kur sulmon, që për të quhet vetëm armik.

Ushtari dhe polici  janë dy kategori krejt të ndryshme dhe për ish gjeneralin, që për një karierë  të përkohëshme  pushteti ekzekutiv, injoroi  jetën e tij si ushtarak, është e pamundur të përshtatet me një ushtrues që ka për detyrë  të mbrojë rendin dhe qetësinë publike. Por edhe  nga formimi i tij  ushtarak  edhe nga ambicjet që ushqen,  ai ka atë cilësi që i pëlqen çdo autokrati në krye të pushtetit, që është bindja e verbër ndaj urdhërave të eprorit dhe zbatimi i tyre pa i diskutuar. Madje edhe disa herë, edhe duke i tejkaluar. Meqënëse Ministri në fjalë  e ka dëshirë t’i drejtohet Hobbs-it në fjalën e tij, unë po i kujtoj se po Hobbs-i ka thënë: “Aktin e lindjes të shtetit  e kam quajtur marrëveshje shoqërore. Këtë marrëveshje shoqërore e lidhin qytetarët  midis tyre dhe jo më sunduesit.”  Në rastin e Ministrit të rendit është lidhur një marrëveshje me eprorin  që ka interesa të ndryshme me ato të qytetarëve, prandaj ai nuk ka për të patur atë sukses që kishte kur shërbente në ushtri. Ai e di mirë se cilët ishin paraardhësit e tij dhe çfarë interesash realizonte shefi  me anë të tyre. Ato interesa po i realizon edhe me këtë të riun, madje më me rezultat, sepse në këtë kohë Europa po sheh një superprodhim të drogës dhe krimit që  eksportohet në dritën e diellit nga vendi që ka marrë përsipër   për të vendosur rend  dhe qetësi. Por në këtë kohë, kur është në rritje pakënaqësia e publikut për shkak të mungesë të qeverisjes, ose të qeverisjes nga fb, detyra e këtij ministri është të shtypë me çdo mjet, çdo kundërshti ndaj atij pushteti që tashmë është pjesë. Prandaj ai hapur e shkel ligjin, kur u hoqën me urdhërin e tij shenjat idendifikuese të policisë të shtetit, apo kur u krijuan struktura të reja dhune dhe u mbush policia me drejtues të strukturave të ish sigurimit famëkeq  të diktaturës, apo me civilë që vinë nga bota e krimit. Dhe rezultati i kësaj pune u pa atë ditë kur ministri, ish gjenerali i djeshëm, drejtoi operacionin e shembjes të Teatrit Kombëtar me dhunën e paprecedent  ndaj  protestuesve  që kundërshtonin  paqësisht  shkatërrimin e një vlere të trashëgimisë kulturore të vendit. Në këtë rast nuk vlen thenia e Biblës: “Zot fali, se nuk dinë se ç’bëjnë.” Shërbimi i jashtëm është një nga shtyllat kryesore të një shteti dhe pa asnjë dyshim ky shërbim është eskluzivitet si detyrë e rëndësishme e kreut të qeverisë si edhe i kreut të shtetit. Por të caktosh për të drejtuar  një nga dikasteret më të rëndësishme të shtetit një çunak, pa asnjë përvojë  politike apo diplomatike, pa njohuri për historinë e shtetit që i shërben, me një formim të dyshimtë, që ka zotësinë ta shesë shtrenjtë, dhe për më tepër,  jo nga vendi që përfaqëson, është më tëpër  se  një naivitet apo padituri. Ai nuk është as  profesionist si teknicien, as  figurë politike e forcës që drejton vendin. Asnjë s’mund të thotë se  ky emërim ishte një mesazh i patriotizmit të kreut të qeverisë, por mund të thuhet se të dy kishin të njëjtin mendim me coptimin e republikës të Kosovës, që u kundërshtua nga paraardhësi i çunakut,  tani si ministër i jashtëm.  Si ish pjestar  prej shumë vitesh i shërbimit të jashtëm të shtetit tim, ndjej keqardhje që diplomacia jonë është futur në  kolaps, kur shteti prej tridhjetë vjetësh ka bërë kujdes të krijojë një diplomaci me diplomatë të shkëlqyer, jo në shërbim  të qeverive apo të politikës, por vetëm në shërbim të vendit. Tani kjo pasuri me vlerë kombëtare,  është lënë në dorë të një njeriu, që asnjë nga homologët, nuk e merr seriozisht. Është shkelur ligji i qarkullimit të diplomatëve, ka më shumë se shtatë vite që nuk janë lëvizur titullarët e ambasadave, një normë ndërkombëtare për të rritur efektivitetin e punës të ambasadorëve, por edhe për orientimin e politikës të shtetit  nëpërmjet figurës të titullarit. Më çudit fakti që kryetari i partisë socialiste,  po shton rradhët e partisë dhe i cakton në  detyra drejtuese  njerëz, që akoma mendojnë se partia politike që drejton aktualisht vendin,  quhet Rilindje. Dhe kjo Rilindje, nuk gjeti një  anëtar me titullin “Profesor Doktor” për ta emëruar si ministër të arsimit, traditë që u krijua që nga viti 1987, dhe që tregoi se  ishin figura jo vetëm me një arsim shumë solid, por misionarë  dhe  vizionarë që,  megjithë vështirësitë e pafundme që solli tranzicioni ynë i tej zgjatur, u kujdesën të mos e kthejnë sistemin arsimor në një gjenerator të vazhdueshëm krizash dhe përplasjesh.

Nga një ministre që nuk e flet si duhet gjuhën shqipe, me arsimim gjysmak në shkolla të palicencuara  private, të sistemit të kolegjeve apo të kurseve të zgjatura, që nuk e ka ushtruar asnjë ditë profesionin e mësuesit apo pedagogut, nuk mund të pretendohet  për një drejtim  cilësor të një sistemi arsimor, të një shteti që pretendon të jetë nesër pjesë e Europës. Për të mos u zgjatur me emra të tjerë, që nuk ndryshojnë nga të mësipërmit, ilustrimi më i saktë për  ekzekutivin tonë është ajo që na tregoi një ish zv.ministër, që dha dorëheqje pas dy javësh në detyrë, ku tha se në një mbledhje  qeverie ku mori pjesë, anëtarët e kabinetit raportonin për numrin e  “Like-ve” që kishte marrë një postim  i shefit të tyre në rrjetet sociale!!!  Prandaj tashmë është krijuar mendimi  se ne qeverisemi  jo nga dikasteret dhe institucionet, por nga rrjetet sociale dhe portali “e-albania”. Tani më thuaj i dashur lexues, a është i përshtatshëm titulli i shkrimit?