Policia ka arrestuar tre persona në Korçë, të cilët janë kapur në flagrancë duke transportuar emigrantë klandestinë.
Uniformat blu sqarojnë se tre personat janë kapur në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Hudënisht, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në drejtim të Tiranës, me tre automjete, gjashtë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 900 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Ndërkaq, gjatë kontrollit është konstatuar se njëri prej tyre drejtonte mjetin pa leje drejtimi.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni i koduar “Perimetri”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
Gjatë operacionit goditet një tjetër rast.
Kapen duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 3 shtetas, njëri prej të cilëve drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe me kontratë qiraje të tij të dyshuar si të falsifikuar.
Strukturat për Hetimin e Krīmeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-K. N., 27 vjeç, banues në Gjadër, Lezhë, (i dënuar më parë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”).
-G. Gj., 27 vjeç, banues në Rilë, Lezhë.
-R. M., 30 vjeç, banues në Lezhë (i dënuar më parë për “Vjedhja”).
Shtetasit e mësipërm, janë kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Hudënisht, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në drejtim të Tiranës, me tre automjete, gjashtë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 900 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Gjithashtu gjatë kontrollit të dokumentacionit të këtyre shtetasve, rezultoi se shtetasi K. N., drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe me kontratë qiraje të mjetit të dyshuar si të falsifikuar, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.