Dialog “imagjinar” mes dy kundështarësh politikë shqiptar

649
Sigal

Xhevat Mustafa

Pamundësia për  t’u takuar, meqenëse jetonin në lagje skajore të Tiranës, njeri me një apartament të bollshëm afër Kopshtit Zoologjik dhe tjetri afër ish- Kombinatit Poligrafik, dy pensionistë, miq të vjetër, por me me bindje politike të kundërta, hynë në lidhje dhe zhvilluan një bisedë të gjatë në messenger.Merret me mend se shqetësimi i parë ishte zgjatja pa afat të qartë e masave në kushtet e pandemisë prej coronavirusit.

I majti – Hë, si po i shtyn ditët?

I djathti – Si në “arrest shtëpijak”, pa hetim prokurorësh dhe pa vendim gjykate, por vetëm me ferman të “sulltanit tënd”!

I majti – Sa mosmirënjohës jeni ju të djathtët! Atij duhet t’i ngrejmë një monument ngjitur me të Skënderbeut, sepse na shpëtoi me kaq pak të prekur dhe viktima…

I djathti- Domethënë, sipas teje Merkel dhe qeveria gjermane, qeveritë e Suedisë, Danimarkës, Norvegjisë, Finlandës e të plot vendeve të tjera, që morën masa mbrojtëse  liberale, duhet të merrnin mend nga Edi Rama yt?

I majti – Mirë do të bënin…

I djathti- Hë, se desha të pyes qysh në fillim. E more shtesën e pensionit të 1 prillit nga Edi Rama?

I majti- E mora! E falenderova me gjithë zemër! Na i rriti pensionet edhe në këtë periudhë të vështirë…Po ti e more?

-I djathti- Po, shkova me një valixhe diplomatike, sepse nuk ma nxinin xhepat dhe kuleta!

I majti – Sipas jorganit shtrihen edhe këmbët…

I djathti- Me aq sa na u rrit pensioni unë nuk blej dot as edhe një palë doreza dhe një maskë nga ato të shtrenjta, 700-800 lekë të reja! Llogarit se sa maska me përdorim ditor na janë dashur këto gati 2 muaj karantinë dhe del se kjo “rritja e re” është si një pikë uji në oqean…!

I majti – Vitin tjetër më shumë!

I djathti – Shikojeni si e keni katandisur këtë vend kaq të pasur pas 75 vjetësh të qeverisjes nga “e majta” e jote?

I majti- Për mua ky vend po rilind për ditë dhe po lulëzon…Pallate të reja sa nuk numërohen, kulla 20-30 katëshe gjithashtu sa të duash…Rrugët mbush me vetura… Në të dy anët e tyre pa numërim byrektore, qebabtore, piceri, farmaci, agjensi këmbimi valuator, klinika dentare, dyqane celularësh, floriri…

I djathti – Këto janë vetëm pamja  e jashtme apo fasadat…Apo “industria e rëndë e rilindjes”. ” Po rreth 1 milionë fare të varfër, lypësit nëpër trotuare dhe lokale; rrëmihësit nëpër koshat e plehrave, listat e gjata të furnizimit veresi nëpër dyqanet e vegjël… nuk i shikon?

I majti- Kudo ka varfëri! Edhe në Amerikë, biles!

I djathti-  Pse ka varfëri i dërgoni atje djemtë dhe vajzat me familje me llotarinë amerikane? I dërgoni me 5.000 dollarë dhe pas 10-15 vitesh bëhen me shtëpia rreth 100-150 mijë  dollarë dhe me 200-300 mijë dollarë nëpër banka…

I majti – Edhe tek ne është shtuar boll numri i të pasurve…Shqiptarë janë ata që janë pronarë biznesesh, supermerkatosh, hotelesh, kompleksesh turistike, fabrikash… të mëdha…

I djathti-  Po të shikohen mirë biografitë e këtyre të pasurve do të dalë se shumica janë “rastësisht” ose të majtë, të lidhur me tesera, me bindje e votë me bosët e diktaturës komuniste dhe të sigurimit të saj famëkeq,  ose vëllezër, motra, dhëndurë, nuse, nipa e mbesa të partiakëve, qeveritarëve, shtetarëve më të lartë të partisë suaj…Shikimin e ke të fortë. Nuk e ke vënë re se këta pasurohen dhe shumica e qytetarëve varfërohen…?

I majti- Falë Zotit, unë, njerëzit e mi më të afërm me familje fitojmë dhe jetojmë mirë! Të gjithë ose me biznese modeste tonat, ose me punë në shtet, ku vërtetë nuk u rrjedhin fitime të mëdha, por u pikojnë jo pak…I jemi mirënjohës partisë dhe qeverisë sonë dhe nuk do t’i tradhëtojmë kurrë!

I djathti – Kësaj i thonë: unë dhe soi dhe sorrolopi im  të jemi mirë, pa gjithë fshati, lagjia, qyteti, vendi u mbulofshin nga flakët ose u përmbytshin nga varfëria dhe uria!

I majti- More, mos je takuar me Saliun apo Lulushin? Se qenke fryrë shumë sot kundër nesh…!

I djathti-  Jo kundër teje, por kundër atyreve që po i  shfrytëzojnë për fronet dhe milionat e veta idealizmin, partishmërinë, mbështetjen, votat e  tua dhe të të gjitha të tjerëve si ti!

I majti- Unë për vete jam i kënaqur dhe nuk ndryshoj bindje e votë! Po të jetoja gjatë, edhe 75 vjet të tjerë do të votoja për PS-në time dhe Edi Ramën, që rrofshin sa malet! Ti e di, unë e urrej të djathtën qysh kur kam dalë nga barku i nënës!

I djathti- Për të qeshur dhe qarë! Ke urrejtje histerike ndaj të djathtës pa e njohur dhe provuar fare dhe pa parë asnjë të keqe prej saj…

I majti – Kështu jam gatuar unë! I majtë kam lindur dhe i majtë do të vdes!

I djathti- E keqja juaj dhe e jona të gjithëve është se kjo e juaja vetëm emrin ka “e majtë”!

I majti – Se mos e djathta juaj është krejt “bio”?

I djathti – Ju keni 78 vjet që nuk keni lënë gjë pa bërë për ta zhdukur dhe ndryshuar edhe këtë pak të djathtë, që arriti të mbinte e të mbijetonte në këtë tokë!

I majti – More, me sa di e më ke thënë edhe vetë, ti nuk ke parë keq në kohën e Enverit dhe duhet t’i jesh mirënjohës.

I djathti – Në burg nuk më futi, por nuk e kam dashur fare. E si mund ta doja për atë jetë qeni që na detyroi të bënim për rreth 47 vjet? Si mund ta doja kur na iku rinia dhe u mplakëm nëpër rradhë qysh nga mesnata për  shumicën e artikujve të ushqimit të përditshëm me tollona? Apo  duke pritur shumë vite për autorizimin dhe për të grumbulluar lekët nëpër llotarira ilegale për një televizor bardh e zi të Durrësit, për një frigorifer, lavatriçe, për të marrë një kabinë plazhi, për 10 ditë pushime në një kabinë druri me sipërfaqe as 5 metra katrorë… ?

I majti – Ohu, qenke në formë sot! Me të vërtetë më binde se je takuar me ndonjë nga ta të SHQUP-it sot! Mos pandeh se janë më të mirë se se ne!

I djathti- Edhe krejt si ju nuk janë. Të paktën, më 2013-tën, nuk kishim këto nivele kaq të larta varfërie, çmimesh, korrupsioni, tenderash, koncesionesh, PPP-shë, emigracioni, kriminaliteti, papërgjegjshmërie, nepotizmi…

I majti- Gri ti, gri! Njësoj jemi të dy palët! Edhe më shqip: të një barku jemi…

I djathti- Sa verbërisht i besoni “përrallat e partisë dhe të kryetarit të zemrës, more”? Njësoj, 100%,  je ti me dy vëllezërit dhe dy motrat e tua? Njësoj, 100%,  jam unë me vëllezërit dhe motrat e mia, që ti i njeh mirë? Njësoj, 100%,  janë janë fëmijët tanë? A nuk e kuptoni se me këtë sajesën “të dy palët janë njësoj” Edi Rama me shokë e shoqe synojnë dhe ia kanë arritur deri më sot të mos lejojnë rrotacion politik, një qeverisje tjetër, qoftë edhe 25% më të mirë se kjo e tyre, me ekspertë të vërtetë dhe elitarë në të gjitha fushat dhe jo me kukulla e kartona të kryetarëve, me ministra dhe ministresha pa vlera, përvojë, merita e kontribute?

– I majti- Ta thashë, ne do të vazhdojmë të qeverisim gjatë!

I djathti- Se keni gjetur këtë popull!

I majti – Për ne është më i miri! I butë si dele apo si kukullat prej pelushi! Po nuk ju pëlqeu, ikni në Perëndim dhe  kërkoni dhe gjeni andej  një popull tjetër!

-I djathti – Kam edhe një pyetje të fundit: vërtetë nuk ju vjen turp, nuk ndjeni vrasje në ndërgjegje dhe përgjegjësi për gjendjen mjerane në të cilën e keni sjellë, pas 75 vitesh qeverisjeje alla të majtë Shqipërinë tonë, një vend  që Zoti i ka falë natyrë, klimë, pasuri nën dhe mbitokësore, si rrallë vendi tjetër në botë?

I majti – Meqenëse jemi më shumë se miq po e mbyll këtë bisedë me sinqeritet: E përse të na vijë turp dhe keq neve “të majtëve”, kur nuk u vjen turp dhe keq për veten gjithë shqiptarëve?! Kemi gjetur shesh dhe kemi bërë… përshesh!