Zyrat e punës mesazh qytetarëve për pagën e luftës: Aplikoni online!

1054
Sigal

Shumë qytetarë të mbetur pa punë u janë drejtuar këto ditë zyrave të punësimit, dikush për të përfituar pagën e luftës e dikush për të kryer procedurat e pensionit, por përgjigja që kanë marrë është të aplikojnë online. Edhe pse punonjësit e zyrave janë aty, qytetarët largohen prej andej të pasqaruar.

Premtimi për pagën e luftës për të gjithë të papunët e ka drejtuar këtë grup qytetarësh drejt zyrës së punësimit në Tiranë, por aty nuk shërben askush.

Të afishuara janë vetëm disa njoftime, të cilat i drejtojnë qytetarët drejt aplikimit online ose në zyrat e postës.

Por ata janë të paqartë për mënyren se si duhet të aplikojnë.

“Kemi ardhur për të bërë dokumentat, jemi të papunë, punojmë me periudha në Greqi. Po shikojmë këto njoftimet këtu dhe thonë që janë të mbyllura për momentin. Nuk e dimë se çfarë bëhet”.

Këtu drejtohen edhe për procedurën e pensionit, por përsëri largohen pa përgjigje.

“Kam dalë në pension, muajt po kalojnë dhe ku të shkoj unë pa pension, pa lekë? Me urdhër të dytë do të hapemi thotë po kur?”

I.Gj është mamaja e një 1 vjeçari, e cila mbeti e papunë pas shtetrrethimit.

Mbyllja e çerdheve e detyroi atë të qëndronte në shtëpi e te kujdesej për fëmijën, por nuk ka asnjë të ardhur financiare.

“Kam fëmijën e vogël dhe jam e papunë.”

Bashkëshortin e ka në burg ndaj dhe vështirësite ekonomike janë të mëdha. Ajo kërkon ndihmë për të përballuar jetesën.

“Bashkëshorti është në burg, nuk kam të ardhura fare. Kërkoj një përkrahje për fëmijën të paktën.”

Por ndërkohë që qytetarët hallakaten në qytet për të marrë atë që u është premtuar, pagën e luftës, apo për të kryer një shërbim të rëndësishëm, brenda zyrave të punësimit qëndrojnë punonjësit të cilët nuk japin asnjë shpjegim për situatën.