Zhvillohet ceremonia përkujtimore për anijen “Linz”

799
Nga Shefqet Kërcellli
Më datën 21 mars 2018, në rajonin e Kepit të Rodonit u zhvillua ceremonia përkujtimore e tragjedisë detare të anijes austro-hungareze “Linz”, e cila u mbyt më 19 mars të 1918, me mbi 1000 persona ne bord. Në bashkëpunim me Forcën Detare dhe ambasadat austriake dhe hungareze u bë e mundur një ceremoni e thjeshtë, por shumë humane në kujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si tragjedia më e rëndë detare e perandorisë Austro-Hungareze.

Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadori i Republikës së Austrisë, ambasadori i Republikës së Hungarisë Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Auron Tare, Kuadro të Forcës Detare dhe Flotiljes Detare, Ministri provincial Patër Mirash Marinaj, diplomatë e ushtarakë, përfaqësues nga Ministria e Kulturës, të medies, kuadro dhe detarë të anijes “Iliria”, P-131 etj.

Po çfarë ndodhi më 19 mars 1918?
Avullorja austro-hungareze “Linz”, me kapiten Hugo Tonelli, ishte vapori i “Lloydit” austriak dhe në vitin 1918, u mor për nevojat e ushtrisë perandorake, transport trupash. Avullorja “Linz” u prodhua në kantierin e Triestes në vitin 1909, me përmasa 104 x 13.4 m, peshkim -7.9 m dhe tonazh 3819 t. Gjatë lundrimit nga porti i Rjekës për në portin e Durrësit, më datën 19 mars 1918, ora 19.00, anija hasi në një minë detare në bordin e majtë, 3.7 milje në perëndim të Kepit të Rodonit. Goditja ishte fatale, për rrjedhojë, anija u mbyt brenda 25 minutash. Në këto kushte dhe tri anijet luftarake (dy anije siluruese, “98” dhe “TB 974” si dhe destrojeri “Balaton”), që e shoqëronin “Linzin”, nuk patën asnjë lloj mundësie për të shmangur mbytjen e saj. Në bordin e anijes bashkë me ekuipazhin, ishin 1 003 persona të regjistruar, nga të cilët 413 robër italianë, të cilët do përdoreshin për punë në territorin shqiptar nga ushtria austro-hungareze. Por në anije kishte dhe persona të paregjistruar, ushtarë austro-hungarezë, që në prag të përfundimit të Luftës I Botërore zgjodhën destinacione të tjera qëndrimi, përkthyes shqiptarë dhe italianë, personel nga Kryqi i Kuq etj, të cilët e bëjnë këtë tragjedi detare nga më të mëdhatë e kohës.

Ceremonia
Ditën e mërkurë, datë 21 mars 2018, pjesëmarrësit e këtij aktiviteti përkujtimor shkuan në vendin e mbytjes së anijes “Linz” me anijen “Iliria”, (P-13), ku u zhvillua një ceremoni e thjeshtë në respekt të detarëve e personelit të mbytur në këtë fatkeqësi detare. Me këtë rast Diplomatët në përshëndetjen e tyre evidentuan fatin tragjik të personelit civil-ushtarak të anijes “Linz”, mbytur më se një shekull më parë. Ceremonia pati dhe simbolikën e saj, sepse në këtë ngushëllim për detarët e mbytur morën pjesë dhe marinarë shqiptarë. Pra, shpirtrat e detarëve austro -hungarezë dhe ushtarëve robër italianë, të tretur në thellësitë e Adriatikut bashkë me trupat e tyre, mbas një shekulli morën ngushëllimin e diplomatëve respektivë dhe detarëve shqiptarë. Kjo tregon se vitet bëjnë të vetën, historia, dhe përpjekjet e vazhdueshme për paqe të popujve në këtë anë të Adriatikut sollën këtë ditë të veçantë, që askush s’e mendonte një shekull më parë. Në vijim diplomatët e huaj nënvizuan përpjekjet për paqe e siguri gjatë këtyre viteve nga vendet e rajonit, si dhe të ardhmen evropiane të popullit shqiptar. Pas ceremonisë fetare të drejtuar nga patër Mirash Marinaj nga dy ambasadorët, ai austriak dhe hungarez dhe komandanti ii Grupit II të Forcës Detare, u hodhën në det kurora me lule, në nderim të viktimave të kësaj tragjedie. Kështu në këtë ceremoni të thjeshtë, pjesëmarrësit shprehën dhimbjen, hidhërimin dhe ngushëllimet e tyre për detarët e anijes “Linz”. Mesazhi që ata përcollën ishte ky “Ju prehtë shpirti në paqe!” në këtë ditë marsi, pak milje nga brigjet e Rodonit.


Sigal