Zgjidhjet tona si në botën e qytetëruar

771
Nga vepror HASANI
Flet Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari: Çështjet e trajtuara në “Telegraf”, pritet t’i kalojnë Gjykatës
Korçë- Si në çdo emërim të ri, aq më shumë në nivel rajonal, njerëzit kanë pritshmëritë e tyre, ndaj të gjitha emërimet priten me interes dhe kërshëri të veçantë, pavarësisht nëse ato përfundojnë me zhgënjim ose jo. Interes të veçantë pati edhe për prefektin e ri Dhori Spirollari, i cili prezantoi për publikun vizionin e tij për institucionin në fjalë: “Zgjidhjet që do të ofrojmë, tha ai, do të jenë ashtu si në botën e qytetëruar”. Mesazhi i përcjellë prej tij, përmes mediave, u prit mirë prej banorëve të qarkut Korçë, pasi prej vitesh e vitesh është shpresuar shumë që edhe institucionet tona të merrnin fizionominë e botës së qytetëruar. Me togfjalëshin “si në botën e qytetëruar”, prefekti Spirollari vuri dorën “në plagën” që dhemb te gjithkush. Mbresëlënia qe e pëlqyeshme, pasi fjala e tij u përcoll me sinqeritet, tregoi përkushtim dhe vendosmëri për t’u shkuar punëve deri në fund, jo ashtu siç ka ndodhur deri më sot. Prefektura do të jetë sa më afër njerëzve. Gjithashtu prefekti i sapoemëruar, pati takime edhe me qytetarët, ku sipas burimeve tona, Spirollari mori në konsideratë edhe problematikën e krijuar në Këshillin e Bashkisë Maliq, ku një prej anëtarëve të këshillit në kundërshtim me ligjin mban edhe detyrën e kryeplakut, ashtu sikurse edhe për 35 këshilltarë, të cilët kanë marrë shpërblime pa kryer asnjë punë. Këto shqetësime janë publikuar së pari në gazetën “Telegraf”. Pritet që shkeljet ligjore nga ana e institucioneve vendore t’i kalojnë Gjykatës, ashtu siç ndodh edhe në botën qytetëruar, ku nuk ndodh kurrë që zbatimi i ligjit të anashkalohet. Për këto do të flasim në fund të këtij shkrimi.

Nuk ka dimër të keq, ka masa të këqija
Në përcjelljen e mesazhit për publikun, prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari, shfrytëzoi takimin me Shtabin e Emergjencave Civile, si për t’u treguar njerëzve se dimri që po troket do të jetë “prova e parë” e institucionit të prefektit, në përballimin me sukses të të gjitha vështirësive që do të sjellë moti. “Nuk ka dimër të keq, tha Spirollari, por veshje të keqe”. Me metaforën “veshje të keqe”, kishte parasysh marrjen e masave jo efikase. Edhe në këtë aspekt, prefekti i ri përshfaqi një vizion tjetër: “veshja e mirë” nënkuptonte mirë koordinimin e institucioneve përkatëse, pjesëmarrëse në operacionet emergjente ku përgjegjësia e gjithsecilit të ishte e evidentueshme. Pra, gjithkush duhet të mbajë përgjegjësinë që i takon. Nisur nga ky këndvështrim, duket se përfaqësuesit e qeverisjes vendore dhe specialistët e tyre nuk do ta kenë të lehtë t’i shmangen përgjegjësisë që u ngarkon ligji, por as të performojnë dobët. Si shembull konkret, prefekti Spirollari, solli kanalet kulluese, ku për to përgjigjen tri institucione: Bordi i kullimit, Drejtoria e Bujqësisë, dhe Bashkia përkatëse, ku për çdo institucion, theksoi prefekti, përgjegjësitë janë të përcaktuara me ligj. Nëse dikush nuk merr përgjegjësitë e veta, atëherë mund të vëmë në rrezik jetën e banorëve, mund të shkaktojmë përmbytje të tokave bujqësore, përmbytje të zonave të banuara, ose mund të mos u ofrojmë njerëzve shërbimet e caktuara. Në fjalën e tij vihej re, vendosja e herëpashershme e theksit te zbatimi i ligjit dhe te përgjegjësia që merr çdokush kur e shkel atë. Për përballimin e emergjencave civile është i nevojshëm mirë koordinimi i punëve dhe i institucioneve. Kjo ishte kërkesa e prefektit Dhori Spirollari në takimin e parë me Shtabin e Emergjencave Civile ne qarkun e Korçës. Të gjitha problematikat duhet të zgjidhen nga burimet e disponueshme, pasi kur situata del jashtë kontrollit, kostoja është e lartë. 

Do të punohet me afate dhe detyra konkrete
Prefekti i Korçës, pasi u njoh me problematikën e qeverisej vendore në rang rajonal, u kërkoi përfaqësuesve të bashkive që brenda 5 ditëve të bënin prezent me shkrim të gjitha problemet emergjente me të cilat mund të përballej popullata gjatë periudhës së dimrit. Roli i prefektit, nënvizoi ai do të jetë i drejtpërdrejtë në koordinimin e punës së institucioneve. Publiku kërkon zgjidhje dhe ne do t’u ofrojmë zgjidhje. Veç sa më sipër, Spirollari hodhi në tavolinë ide të reja, si: nxitja e studimeve shkencore që u paraprijnë dhe u japin zgjidhje problemeve të ndryshme, ashtu siç ndodh në botën e qytetëruar, përsëriti Spirollari, për t’u kujtuar të pranishmëve se tashmë koha kërkonte një staf të kualifikuar veprimi. Për të gjitha këto do të shfrytëzohen iniciativat dhe burimet e brendshme, dhe kur nuk mjaftojnë ato do të ndihmohemi edhe nga ministritë përkatëse. “Jam i bindur se mund t’i bëjmë gjerat më mirë nga sa janë bërë deri më sot. Parandalimi i problematikave, minimizon kostot e bën më të mirë jetën e qytetarit”, tha prefekti, gjë që dha mjaft shpresë te banorët e rajonit të Korçës, pasi nga sa u kuptua, zgjidhja e problematikave dhe shqetësimet e njerëzve do të kenë po atë rrjedhë që kanë edhe në botën e qytetëruar.

Publikuar nga gazeta “Telegraf”
Nga burimet tona mësuam gjithashtu se prefekti i Korçës, Dhori Spirollari, mori në konsideratë edhe problematikën e trajtuar nga gazeta “Telegraf”, e cila, prefektit iu bë e njohur gjatë takimit me qytetarët, konkretisht prej Eqerem Avdollit, banues në fshatin Vashtmi, ku në Këshillin e Bashkisë Maliq njëri prej anëtarëve të Këshillit, mban edhe detyrën e kryeplakut, duke qenë në kundërshtim të hapur me ligjin. Shkelja ligjore është konfirmuar nga Institucioni i Prefekturës, ku ky i fundit kërkon që: “Njësia Administrative, Libonik, Bashkia Maliq, të marrin në konsideratë dhe të vlerësojnë ligjërisht faktin që z. Viktor Adri në mënyrë të kundërligjshme, ushtron njëkohësisht detyrën e kryetarit të fshatit dhe atë të anëtarit të Këshillit Bashkiak. Për sa më sipër, kujtojmë se me shkresë zyrtare drejtuar Kryetarit të Këshillit të Bashkisë Maliq për verifikimin se a janë të bazuar ligjërisht aktet e Bashkisë Maliq, të dt 29.04 2016, mbështetur në ligjin nr 139/ 2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Prefekti i Qarkut ka vlerësuar se mbajtja në të njëjtën kohë e detyrës së kryetarit të fshatit dhe funksionit të këshilltarit nuk është në përputhje me përcaktimet e ligjit”. Por zgjidhja e çështjes deri më sot kishte përfunduar në lojë ping-pongu, ku shkëmbehej informacion, por nuk zgjidhej asgjë

Pritet që çështjet t’i kalojnë Gjykatës
Një shqetësim tjetër, i publikuar sërish nga “Telegraf” ishte pagesa e 35 këshilltarëve pa bërë asnjë punë. Në respekt të lexuesve tanë po jua rikujtojmë: 35 këshilltarë dhe ish-këshilltarë të Bashkisë Maliq, pavarësisht nga fakti nëse merrnin pjesë në mbledhje ose jo, në fund të muajit që të gjithë e merrnin rrogën të plotë, edhe sikur të kishin qenë në dasmë. Kjo lloj pagese pa qenë në punë është evidentuar që nga dt. 01.01.2013, kur Këshilli i Bashkisë përbëhej nga 15 anëtarë, ndërsa nuk dihet çfarë ka ndodhur para kësaj date. E njëjta situatë ka vijuar edhe pas datës 27.07.2015, kur Këshilli i Bashkisë u bë me 35 anëtarë, ku shpërblimi i këshilltarëve, sipas kësaj praktike ka vijuar deri në dt. 31.12.2015, ndërsa nuk dihet çfarë ka ndodhur pas kësaj date. Saktësisht dihet se nga dt. 01.01.2013 deri në datën 31.12.2015, këshilltarët e Këshillit të Bashkisë Maliq janë paguar rregullisht edhe kur nuk merrnin pjesë në mbledhje. Dëmi financiar për këtë periudhë kohore shkon në vlerën 1,109,856 lekë (të rinj). Mbetet të verifikohet periudha kohore para datës 01.01. 2013 dhe pas datës 31.12.2015, pasi sipas të gjitha gjasave, mund të jenë paguar edhe kur nuk shkonin në punë. Shkeljet financiare, u kapën nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili i la detyrë Drejtorisë Ekonomike të Bashkisë Maliq të merrte masa duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative e ligjore për të kërkuar arkëtimin e vlerës 1,109,856 lekë, ndaj 35 këshilltarë dhe ish-këshilltarë të Bashkisë Maliq, por deri më sot nuk është marrë asnjë masë. Tashmë me ardhjen e prefektit të ri pritet që këto dhe çështje dhe të tjera si këto t’i kalojnë Gjykatës. 
Sigal