Zef Preçi: Refleksion: Një memorandum për… memorandumet…

588
Sigal

Nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore në vartësi të ekzekutivit dhe jashtë tij (institucionet kushtetuese apo ato të krijuara me ligj të veçantë), është një modë që u soll në Shqipëri kryesisht nga projektet e asistencës teknike të USAID-it, me sa duket nisur nga përvoja e vendeve të Afrikës e Azisë, në të cilat konfliktet civile e bënte të domosdoshme ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, të enteve fetare etj., që përtej ligjit (të pazbatueshëm, kuptohet) të ndërmerreshin edhe nisma të tilla publike. Synimi ishte dhe mbetet i qartë: Përcjellja në publik e mesazhit se institucionet e shtetit, pavaresisht mënyrës së krijimit të tyre, pavarësisht faktit se, cili lob politik i ka emëruar drejtuesit e tyre, angazhohen publikisht për njohje të ndërsjellë institucionale, që në veprimtarinë e tyre të përditshme të zbatojnë “ligjin dhe vetëm ligjin”. Dmth synohet që të çvendohet pesha e ushtrimit të pushtetit nga individët dhe për llogari të individëve politikisht të fuqishëm, drejt institucioneve, rregullave të shkruara që mbrojnë dhe përfaqësojnë interesin publik në një moment të dhënë, pak a shumë siç ndodh kudo në vendet demokratike të botës së sotme. Po në Shqipërinë tonë “tmerrësisht demokratike” (sipas një eufemizmi të Edmond Tupes) ç’po ndodh? As më shumë dhe as më pak, por ka rënë një “epidemi” memorandumesh (marrëveshjesh) në të cilën janë përfshirë, jo vetëm vendasit e etur për të dalë përpara kamerave televizive, por edhe disa të huaj (që asistojnë tranzicionin tonë drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut), një proces që nuk po merr fund kurrë (“mbetem mbi urë”, do të thoshte Edmond Tupja përsëri).  Nëse shohim evoluimin e kësaj forme të bashkëpunimit mbi-institucional në vendin tonë, nuk mund të mos vërejmë disa konstatime që zhvlerësojnë vetë përdorimin e këtij instrumenti thjesht ndihmës e mediatik, i cili kurrsesi nuk mund të zëvendësojë legjislacionin primar dhe sekondar që rregullon veprimtarinë e institucioneve të shtetit apo, më keq akoma edhe marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat ky shtet është palë (në rastin e Memorandumeve me agjenci dhe institucione të huaja).

Së pari, në Shqiperinë e sotme zhvillohet vetën një luftë: Lufta për para dhe për pushtet ndërmjet klaneve të elitës politike dhe biznesit (oligarkisë) të lidhur me të, pra nuk ka luftë civile si në Afrikë. Fatmirësisht, siç dihet, shkalla e aksesit mbi të mirat materiale për disa grupe jashtë pushtetit dhe opozitës dhe mundësia për të lënë vendin në mënyrë të rregullt dhe të parregullt për shumë qytetarë të tjerë (që ndjehen të pashpresë apo të përjashtuar), kanë minimizuar rrezikun që kjo të ndodhë, edhe pse kufizimi në aksesin në të mirat publike si rezultat i keq-qevesjes përbën një sfide jo të vogël për shumicën e qytetarëve të vendit.

Së dyti, as për memorandumet e nënshkruara vite më parë (p.sh Memorandumi mbi parandalimin e pastrimit të parave, i nënshkruar më 2002 midis Ministrisë Fiancave, Ministrisë së Rendit Pubik, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Bankës së Shqipërisë) dhe as ato më të fundit, nuk kanë sjellë ndonjë dobi publike, dmth nuk janë respektuar nga institucionet përkatëse. Meqë përmenda një Memorandum të vitit 2002, është koha që të kujtojmë se kanabizimi i vendit ndodhi, edhe pse institucionet kishin nënshkruar një dokument të tillë zyrtar, dhe askush nuk u kujtua të kërkonte llogari mbi bazën e tij. Madje nuk ka asnjë raportim monitorimi të zbatimit të memorandumeve të shumta të nënshkruara herë pas here, se sa për fuqi detyruese për zbatim nuk ka se si të flitet. Natyrisht këtu nuk e kam fjalën për shndërrimin e ceremonive boshe të nënshkrimit të memorandumeve në tribuna propagandistike që i shërbejnë vetëm ndërtimit të imazhit të “Shqiperisë virtuale”, e cila ekziston vetëm në megastudiot e pushtetit qëndor e vendor si refleksion i sub-koshencës së “udhëheqësve”, e për të cilën ata bëjnë çmos që ta ngulitin me çdo mjet në mind-set-in (trurin) e “qytetarit mesatar” të vendit.
Në përfundim, ndoshta më e mira do të ishte rritja e transparencës në përmbushjen e detyrave të vetë funksionale nga institucionet e shtetit dhe sidomos nga agjencite ligjë-zbatuese. Këtij qellimi do t’i shërbente raportimi i rregullt në Kuvendin e Shqipërisë dhe debati përmbajtësor i deputetëve mbi raportet që paraqiten; monitorimi periodik nga shoqëria civile i ecurisë së zbatimit të planeve vjetore të punës të këtyre institucioneve (shumica e tyre nuk kanë ende një dokument të tillë zyrtar të publikuar), etj. Në këtë mënyrë do të rritet, jo vetëm kultura institucionale dhe ligjore e qytetarëve, por edhe aktivizmi civil do të njohë dimensione të reja pozitive, duke dale nga llogorja partiake apo më keq akoma, nga interesi i ngushtë i “bukës së gojës”, për të cilin shumica e qytetarëve detyrohet të mbyllë gojën dhe veshët njëkohësisht…