Cërriku, “zëri” i 50 mijë banorëve që kërkojnë zgjidhje sociale

652
Çdokujt mund t’i ketë rënë rruga të paktën një herë në qytetin e Elbasanit dhe padyshim ka dëgjuar edhe për qytetin e vogël të Cërrikut. Për disa, Cërriku është i panjohur e nuk i lidh asgjë me këtë qytet, e disa të tjerë e kanë memorizuar në kujtesën e tyre Cërrikun për ngjarjet e vitit 1997, për Rafinerinë e Përpunimit të Naftës, për Radiostacionin e për Ndërmarrjen e Përpunimit të Duhanit. I ndodhur në qendër të Shqipërisë së Mesme, në periudhën e komunizmit ky qytet numëronte vetëm 110 shatëpi, kurse sot me ndarjen e re administrative, ku përfshihen Cërrik, Mollas, Shalës, Gostimë dhe Klos ka afërsisht 46,652 banorë. I vendosur midis dy lumenjve, Devoll dhe Shkumbin ai ka një klimë mesdhetare. Qyteti ka tre shkolla 9-vjeçare një gjimnaz të profilit të përgjithshëm, një të profilit bujqësor dhe dikur ka funksionuar një kolegj turk. Në qytetin e Cërrikut mbizotëron aktiviteti bujqësor, ku shquhen për prodhimin e drithrave të bukës. Historinë e emrit qyteti, mendohet se e ka marrë para shumë dekadash nga një fushë me të njëjtin emër, që ndodhej në një largësi të barabartë me dy lumenjtë, Shkumbin dhe Devoll. I njohur si qytet industrial në fillimet e tij, Cërriku u popullua nga banorë të ardhur nga zonat përreth, por edhe nga komuniteti çam, i cili u vendos në këtë vend. Kjo popullsi e ardhur nga Çamëria pas gjenocidit grek gjeti strehën pikërisht midis banorëve të tjerë, duke bërë sot plot 72 vite. Por, Cërriku mban emrin edhe si qyteti i të persekutuarve. Në kohën e komunizmit shumë familje apo individë ishin të internuar. Ky qytet diti të mbante intelektualë të shpallur “armiq të popullit” nga Partia e Punës, ku dallohen emra si Liri Belishova, ku sot një shkollë 9-vjeçare mban emrin e të bijës, Drita Çomo. Nëse nisesh në këtë periudhë të vitit në Cërrik do të përballesh me një klimë të freskët, e cila ndikohet nga Krasta e Elbasanit. Kur vendosesh të ndalesh në Cërrik, çdo person që takon ka, së paku një pjesëtar të familjes që ka punuar në të kaluarën në Uzinën e Përpunimit të Rafinerisë së Naftës. Tashmë sot aty kanë mbetur vetëm rrënoja, të cilat fshehin historinë. Shumica e tyre u shemb, pjesa tjetër u vodh e u shit për skrap e, ajo çka mbeti, u dha me koncesion më 22 korrik 2013 nga kryeministri i atëhershëm. Kjo ngrehinë e kohës së komunizmit pushoi së funksionuari që prej vitit 1992, duke lënë kështu pa punë shumë banorë. Uzina prodhonte naftë bruto në 800 t për 24 orë. Gjatë kohës së funksionimit ajo jepte vajgur për ndriçim, benzinë, bitum, gazoil si dhe vajgur tip TSI për aeroplanët. Me mbylljen e uzinës shumë banorë u larguan në emigracion. Shumica e tyre sot trajtohen me ndihmë ekonomike dhe çdo ditë e më shumë kërkesat shtohen. Ajo që të bën përshtypje, dhe shihet si një fenomen shqetësues është fakti, se qyteti i Cërrikut ka nivelin më të lartë të papunësisë me 40% të papunë e këtë e vuajnë të rinjtë, të cilët i sheh çdo ditë në sheshin e qytetit. Një nga ngjarjet për të cilat Cërriku do të mbahej mend, do të ishte ndërtimi i Radiostacionit më 1 tetor 1967 nga kinezët, një qendër kjo transmetimi radioje me valë të shkurtra. Sot i është dhënë me koncesion vendit aziatik, ku në këmbim i paguajnë një taksë të majme Radio TV Shqiptar. Në atë kohë transmetonte në 28 gjuhë të huaja. Nga ana tjetër një nga ndërmarrjet më të mëdha në Shqipëri që njihej edhe SMT-ja e Cërrikut (Stacioni i Makinave dhe Traktorëve), e cila e shtrinte aktivitetin e saj në ato vite, jo vetëm në rajonin e Elbasanit, por edhe të Korçës e Pogradecit. Instituti i Duhanit ka funksionuar me 3 baza eksperimentale në Shkodër, Korçë dhe Gjirokastër. Prej një sipërfaqe 45 ha aty kanë punuar mbi 100 punëtorë. Sot aktiviteti i kësaj ndërmarrjeje ka rënë ndjeshëm. Shumë njerëz tremben kur i përmend qytetin e Cërrikut, duke iu kthyer në mendje Cërriku i ’97-s. Ende mbahet mend dhe mbetet mister se, pse forca policore, që nuk dinin pse kishin ardhur dhe kush i kishte dërguar në qytet ishin me armatime të rënda e autoblinde. Gjatë ngjarjeve të ’97 u vranë dhe u dogjën 6 gardistë. Por, pavarësisht këtyre ngjarjeve, nëse një ditë vendos të kalosh në Cërrik sheh që aty bëhen punime për t’i dhënë qytetit një pamje tjetër. Një ditë në Cërrik është padyshim një ditë ndryshe, ku edhe pse është një qytet i vogël të mrekullon me atë që syri sheh. Liqenet e Dumresë në Belsh, Lugina e Shkumbinit nga Papri në Rrogozhinë, pjesët e vjetra të rrugës Egnatia e deri në Gramsh me bukuritë e tij natyrore paraqitet një pamje piktoreske. Nëse vendos të shkosh një ditë në Cërrik duhet të përpiqesh të jesh pjesë e një nga aktiviteteve që ky qytet organizon. Cërriku, çdo 5 Maj, feston ditën e Dëshmorëve (Batalioni i Dumresë), festën e Pranverës në 14 maj dhe Panairin e Ushqimit në 13 mars. Cërriku mbart një histori, të cilën brezat ua tregojnë njëri-tjetrit dhe historia mbetet aty, qëndron për të na treguar, se ende ka një shpresë dhe se dritat e fikura, dikur do të ndizen përsëri për të bërë edhe njëherë Cërrikun qytetin e të gjithë njerëzve, të cilët e vizitojnë së paku një herë në jetën e tyre.
Sigal