Zbulohet emri i biznesmenit shqiptar që do të ekzekutonte grupi i taxhikut për 40 mijë $

356
Sigal

Është zbuluar emri i biznesmenit që dyshohet se do të ekzekutohej nga Komron Zukhurov, terroristi i shumëkërkuar nga Interpoli, i cili u vu disa ditë më parë në prangat e policisë së Tiranës, në bashkëpunim me dy miq të tij nga Taxhikistani.

Flitet për ish-biznesmenin e hidrokarbureve Albano Aliko, i cili më herët është arrestuar nga Policia në vitin 2018 dhe është lënë në masën e arrestit të shtëpisë disa muaj, pas skandalit dhe falimentimit të kompanisë ‘Gulf’.

Ishte gazetari Artan Hoxha ai që dha detaje lidhur me atentatin e dështuar ndaj Alikos, edhe pse nuk preferoi që ti jepte emrin, ndërsa ishte i ftuar në emisionin Opinion. Hoxha tha se atentati dyshohet të jetë porositur nga ortakët e Alikos në Azerbaxhan, ndërkohë që planet dështuan për shkak se ai ndodhej në arrest shtëpie, në momentin kur dy persona nga Taxhikistani kishin mbërritur në Shqipëri me qëllimin për ta eliminuar.

Dy të rinjtë nga Taxhikistani, bashkëpunëtorë të Zukhurov do të paguheshin 40 mijë euro për eleminimin e Alikos, mbërritën në Shqipëri në Shtatorin e 2018-tës, moment që përkoi me vënien në pranga të Alikos, ndërsa policia shqiptare ka marrë sinjale nga homologët gjermanë.

Policia shqiptare pas mbylljes së Gulf-it, ka arrestuar biznesmenin, dhe më pas e ka lënë në arrest shtëpie.

“Atentati dështoi pasi personi në fjalë ishte nën arrest shtëpie, dhe ruhej dhe nga punonjës të shumtë policie, dhe këta persona nuk mund të qendronin për një kohë të gjatë në Shqipëri, sepse mund të zbuloheshin, dhe së treti autoritetet tona e kanë njoftuar biznesmenin në fjalë, duke i kërkuar që të jetë i kujdesshëm në lëvizjet e tij”, u shpreh Hoxha.

Albano Aliko

Menaxheri kryesori kompanisë “Gulf Oil”, Albano Aliko u shpall në kërkim nga prokuroria shqiptare pas falimentimit të kompanisë në vitin 2018.

Sipas hetimeve rezultonte se, Aliko ishte “koka” e skemës së mashtrimit të ngritur me tollonat e naftës.

Kujtojmë se kompania në fjalë kishte shitur tollona deri në 120 lekë për litër, që është 25-40% më lirë se nafta që tregtohet në pikat e tjera të pakicës (165-178 lekë/litër), një skemë mini piramidë kjo, duke ua lënë tollonat në dorë konsumatorëve.

Gulf, prej disa kohësh iu blinte furnizuesve të mëdhenj naftë me 1500 lekë litrin dhe shiste tollonë me 1200 deri në 1300 lekë litrin. Kjo vuri në lëvizje furnizuesit, të cilët nisën të kërkonin llogari, ndërkohë që detyrimi që “Gulf” kishte krijuar vetëm ndaj dy kompanive të njohura është 900 mijë dhe 700 mijë, gjithsej 1.6 milionë euro në total. Ndërsa dëmi që i krijoi klientëve, të cilëve u kanë mbetur në dorë tollonë pa vlerë, është 1.5 milionë euro.