Nëse vazhdojmë me këto ritme, Shqipëria rrezikon “të zbrazet” brënda 70 vitesh. Shkak i kësaj epidemie është varfëria, krimi dhe pasiguria për të ardhmen.
Vendi po përballet me një “epidemi” largimesh të popullsisë aktive, drejt Bashkimit Europian, qoftë si emigrantë me letra të rregullta, apo edhe duke kërkuar azil në dyert e Europës si pasojë e varfërisë.
Hapja e rrugëve ka rikthyer dhe “dëshirën” e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi. Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se në janar-shkurt të këtij viti u shënuan gjithsej gati 2 mijë kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian. Kjo shifër është dy herë më e lartë sesa e njëjta periudhë e vitit 2021, kur aplikoheshin kufizimet e udhëtimeve, por mbetet rreth 20% më e ulët sesa në periudhën e para pandemisë. Shteti më i preferuar për të kërkuar azil mbetet Franca, me gati gjysmën e aplikimeve në total, për shkak të politikave më sociale, që ai ndjek ndaj emigrantëve. Drejt këtij shteti aplikimet u rritën me 130% në janar-shkurt në raport me dy muajt e parë të 2021-t.Gjermani është vendi i dytë që pret më shumë aplikime, me 24% të totalit, me pothuajse trefishim në raport me një vit më parë. Shumë individë në Gjermani shkojnë edhe me leje pune dhe nuk figurojnë të regjistruar si azilantë. Italia dhe Greqia, dy shtetet që më parë prisnin fluksin më të lartë të emigrantëve, tashmë renditen përkatësisht në vendin e tretë dhe të katërt. Që pas pandemisë, fluksi më i lartë i kërkesave për azil u shënua në shtator 2021, me mbi 2 mijë aplikime. Më pas kishte një tendencë rënieje, por janari i këtij viti sërish ka një rritje të kërkesave për azil.
Europa
Sipas Eurostat, në shkurt 2022, 54 565 aplikantë për azil për herë të parë (qytetarë jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, 85% më shumë krahasuar me shkurtin 2021 (29 470) dhe 3% më shumë krahasuar me janarin 2022 (52 810). Rritja nga janari në shkurt 2022 mund t’i atribuohet kryesisht rritjes së aplikantëve ukrainas për herë të parë (nga 355 në janar në 2 370 në shkurt; +568%).Në shkurt 2022, afganët ishin grupi më i madh i personave që kërkonin azil (7 075 aplikantë për herë të parë).Ata u pasuan nga sirianët (6 775), përpara venezuelianëve (4 205), kolumbianët (3 110) dhe ukrainasit (2 370).
Shqipëria mund të zbrazet brenda 70 viteve
Të dhënat demografike të Shqipërisë nuk janë aspak pozitive, popullsia po plaket, numri i lindjeve po shkon drejt minimumit, ndërsa shtesa natyrore e popullsisë drejt zeros. Kësaj i shtohet edhe fakti se vitet e fundit, vendi po përballet me një “epidemi” largimesh të popullsisë aktive, drejt Bashkimit Europian, qoftë si emigrantë me letra të rregullta, apo edhe duke kërkuar azil në dyert e Europës. Nëse largimet e popullsisë në moshë të re do të vazhdojnë me këto ritme, Shqipëria do të boshatiset për 70 vite. Sipas të dhënave statistikore të nxjerra nga Eurostat, rreth 80% e azilkërkuesve i përkisnin grupmoshës më të re se 34 vjeç. Duke mbajtur konstant ritmin e largimit gjatë muajve të parë të 2019-s, ku për periudhën janar-korrik janë larguar mesatarisht 2000 persona në muaj, prej të cilëve (80%) rreth 1600 i përkasin grupmoshës nën 34 vjeç, i bie të largohen mesatarisht 19,200 persona në vit. Brenda 70 viteve, duke mos përllogaritur efektin e mëtejshëm të rënies së lindjeve dhe plakjes së popullsisë, Shqipëria do të zbrazet nga mosha e punës, sipas përllogaritjeve të Monitor.