Kriminelët dhe zyrtarët përfitojnë 150 mld. USD nga trafiku i qënieve njerëzore

59
Sigal

Zhvillohet në Tiranë konferenca për trafikimin e qenieve njerëzore në Ballkan ku morën pjesë Presidentët Meta dhe Osmani, senatori amerikan Richmond dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare. Sipas raportit, grupet kriminale kanë përfitime deri në 150 miliard USD, ndaj kërkohet që drejtësia të dënojë trafikantët dhe zyrtarët e përfshirë në këto krime.Ja Projekt-Rezoluta e “Forumit të Lirisë Ballkanike“ për mbrojtjen e viktimave të trafikimit

Zhvillohet konferenca me titull ‘Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan’ marrin pjesë: Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Ambasadorja e SHBA Yuri Kim. Senatori amerikan John Cotton Richmond dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare

Presidenti Ilir Meta: Grupet kriminale kanë përfitime deri në 150 miliardë dollarë, drejtësia duhet të bëjë më shumë.

Presidenti Meta takon ambasadoren Kim pas replikave të ashpra për 25 Prillin 2021

Hyrje: Paraditen e së mërkurës është zhvilluar një konferencë me titull ‘Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan’ ku morën pjesë figura të rëndësishme të politikës. Në forum Presidenti Meta takoi ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim për herë të parë pas replikave të ashpra për zgjedhjet e 25 Prillit. Replikat nisën pas ndërhyrjes së ambasadores Kim te Presidenti Meta me anë të një mesazhi në telefon, ndërsa ky i fundit ishte i ftuar në një emision televiziv. Kim i kërkonte Presidentit Meta të mos ndërhynte në procesin zgjedhor dhe të ruante pozicionin e tij politik e të mos bëhej palë, çka u konsiderua si një akt i paprecedent diplomatik.

Presidenti Ilir Meta, mbajti një fjalim në një konferencë me titull ‘Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan’, ku e ftuar ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Presidenti Meta shtrëngoi duart me ambasadoren amerikane, përpara se të fliste në konferencë. Për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 prillit, Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim janë fotografuar duke shtrënguar duart në podium. Presidenti Meta e Ambasadorja Kim kanë zgjedhur të ulen në të njëjtën tavolinë, por jo ngjitur me njëri-tjetrin. Mes tyre është ulur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Dyshja janë përplasur në distancë një vit më parë, pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Ishte ambasadorja Kim ajo që i kërkoi Presidentit Meta të ruante pozicionin politik e të mos përfshihej në procesin zgjedhor përmes një mesazhi në telefon ndërsa Presidenti Meta ishte i ftuar në një emision televiziv. Presidenti Meta replikoi duke thënë se ambasadorja Kim tenton  ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Ambasadorja apeloi që Kreu i Shtetit të mos nxiste dhunë. Presdienti Meta tha më pas se Kim e kishte kërcënuar dhe se ajo tashmë ishte bërë palë me Ramën e se ai ishte i përgatitur edhe për faktin që Amerika mund ta vriste.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me takimin gjatë konferencës, Presidenti Meta tha se nuk shikon asnjë problem. Në përfundim të forumit për trafikimin e qenieve njerëzore, ku u takua me ambasadoren Yuri Kim, presidenti Ilir Meta u pyet se cili bëri hapin e parë për shtrëngimin e duarve, duke i dhënë fund përplasjeve, që kanë pasur për zgjedhjet e 25 Prillit. Presidenti Ilir Meta nuk ka preferuar të tregojë se kush e ka marrë hapin e parë për ‘pajtimin’ me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim. ndërsa Presidenti Meta thekson se mes tij dhe ambasadores së SHBA nuk ka asnjë problem “Nuk shikoj asnjë problem në këtë drejtim përveç forcimit të mëtejshëm, të bashkëpunimit kundër trafikut të qenieve njerëzore, që është një problem tepër serioz dhe që vendi ynë e përjeton shumë për shkak të numrit të largimit të qytetarëve tanë, sidomos të rinjve; për fat të keq të fëmijëve, kryesisht të atyre të pashoqëruar që bien shpesh pre e trafikantëve ndërkombëtarë e shfrytëzimit të tyre, jo vetëm që u shkatërron fëmijërinë, por të gjithë jetën. Ndër të tjera Presidenti Meta në përgjigje të gazetarëve ka deklaruar se “Çështja e trafikimit është një pasojë e madhe për të gjithë shoqërinë tone, sepse shkatërron fëmijë, familje, por njëkohësisht edhe shteron shumë prej energjive më të mira të këtij vendi për zhvillim. Lufta kundër trafiqeve duhet të jetë prioritet për ne, për qeverinë. Ne e dimë që trafikimi është një krim ndërkombëtar”,- ka përfunduar përgjigjen e tij kreu i shtetit.

 

Presidenti Ilir Meta: Dënim për trafikantët e qenieve njerëzore dhe çdo zyrtar të përfshirë

Kreu i shtetit Ilir Meta, mbajti një fjalim në një konferencë me titull ‘Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan’ ku deklaroi se institucionet duhet të rrisin vigjilencën dhe të parandalojnë trafiqet e qenieve njerëzore, i cili në Ballkan është në nivele të larta. Presidenti Meta bëri thirrje që viktimat e trafiqeve të trajtohen si qenie njerëzore, e jo si burim provash.

“Një pjesë e konsiderueshme e viktimave të identifikuara janë qytetarë nga rajoni ynë. Një sërë masash janë marrë prej vitesh, por trafiku i fëmijëve është ende i konsiderueshëm. Pandemia e COVID-19 i bëri më të ekspozuar fëmijët nga trafikimi. Masat duhet të integrohen në sistemin e fëmijëve, duke bashkuar shërbimet sociale dhe arsimore. Lufta kundër trafikimit duhet të bazohet në parandalimin e fenomenit. Në këtë situatë duhet të rrisim bashkëpunimin dhe koordinimin, nëpërmjet autoriteteve si dhe bashkëpunimin rajonal”. Gjatë fjalës së tij në forum Presidenti Meta ka shtuar“Nga ana tjetër duhet të jenë prioritet situata ekonomike në vendin tonë. Synimi i trafikantëve janë personat në vështirësi më të mëdha. Personat në nevojë të dëshpëruar për punë, ata që bien lehtë pre e trafikimit. Një ekonomi më gjithëpërfshirëse, sundimi i shtetit të së drejtës, jo vetëm do të përmirësonin jetën e qytetarëve tanë, por do të ulnin ndjeshëm trafiqet e çdo lloji. Kërkohet hetim për trafikantët, përfshirë bashkëpunëtorët. Nevojitet trajnim i vazhdueshëm i Policisë së Shtetit dhe prokurorëve, për hetimin me shpejtësi”. Për sa i përket situatës aktuale të trafikut të qenieve njerëzore Presidenti Meta ka theksuar se“Ka ende vend për përmirësime dhe ndërhyrje me rëndësi. Viktimat e trafikimit duhet të trajtohen si viktima të krimit. S’duhet të trajtohen si burim provash pasi janë qenie njerëzore. Liria ka rëndësi, sepse njerëzit kanë rëndësi. Lufta për liri zhvillohet edhe në nivel global. Mbrojtja e jetës është një mision që na përket të gjithëve. Ashtu siç ka thënë dhe Nënë Tereza: Kush shpëton një jetë, shpëton një botë të tërë”,- u shpreh kreu i shtetit. Presidenti Ilir Meta i pyetur nga gazetarët nëse beson se do të ketë vendi një opozitë më të fortë kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, tani që në krye të Partisë Demokratike është rizgjedhur Sali Berisha dhe në korrik, edhe vetë Meta do të rikthehet në jetën aktive politike. Presidenti u përgjigj: “Mendoj se opozita më e mirë ndaj të gjithëve janë shqiptarët e ndershëm. Ata thjesht kanë nevojë për t’u bashkuar dhe për të çuar përpara vendin” Po ashtu, Presidenti u pyet pas Forumit të Lirisë Ballkanike që u mbaj në Tiranë, nëse kishte ndonjë apel drejtuar forcave politike, parlamentit, para mbajtjes së raundit të tretë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Presidenti Meta u shpreh: “Besoj se parlamenti i di detyrimet e tij dhe do ta përmbushë me përgjegjësi maksimale brenda kohës së duhur këtë detyrim kushtetues. Besoj se parlamenti do ta bëjë punën e tij dhe unë punën time me shumë përkushtim deri më 24 korrik.” Në forum u miratua edhe një rezolutë në kuadër të problematikës së theksuar për çështjet e trafikut të qenieve njerëzore në Ballkan.

 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani: Trafikimi i grave dhe fëmijëve, shpesh i kamufluar, trafikantët po pasurohen nga varfëria

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ambasadorja e SHBA Yuri Kim dhe përfaqësues të institucioneve shqiptarë kanë ngritur zërin për trafikimin e qenieve njerëzore në rajonin e Ballkanit dhe masat që duhet të merren për të ndalur këtë fenomen në rritje pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Presidentja e Kosovës theksoi se “fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave është parakushti kryesor në luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore.” “Trafikimi me qënie njerëzore, – tha Osmani në fjalën e saj, – është njollë shqetësuese e shoqërive tona, ndaj e mirëpres këtë nismë që ka për qëllim adresimin e burimeve të këtij fenomeni në të gjithë Ballkanin. Sfidat në sundimin e ligjit kanë krijuar hapësira të volitshme të trafikimit të qenieve njerëzore në rajon. Rrjetet kriminale kanë krijuar bashkëpunim për ta rritur aktivitetin e tyre. Problem i trafikimit të qenieve njerëzore është se ende konsiderohet si fenomen i largët që prek vetëm grupe të caktuara shoqërore. Por e vërteta është se prek fëmijët, gratë dhe shtresat më të dobëta të shoqërisë, pra prek këdo. Trafikimi prek edhe në vendet e punës, në restorante, biznese, shtëpi… Biznese të panumërta të lidhura me rrjetet e trafikantëve kanë përfituar vazhdimisht nga vështirësitë. Trafikantët pasurohen vazhdimisht nga ata që kanë ngelur peng i varfërisë. Me luftën në Ukrainë, rajoni ynë po ekspozohet se gratë dhe fëmijët, që ikin nga Ukraina po rrezikohen dhe trafikimi seksual i tyre është rritur dukshëm. Disa prej tyre përfundojnë duke lëvizur nga tragjedia e luftës, tek tragjedia e trafikimit. Trafikimi shpesh herë mund të jetë i kamufluar prapa veprave të tjera kriminale. Këto raste as nuk hetohen e a regjistrohen si të tilla për shkak të kamuflimit të tyre. Adresimi i këtyre çështjeve duhet të jetë fokusi ynë i bashkëpunimit tonë në rajon. Rreth 27 milionë njerëz trafikohen anembanë botës. Gratë janë në numrin më të madh, thuajse ¾ janë gra e vajza që kryesisht trafikohen për shfrytëzim seksual. Fëmijët po ashtu përbëjnë pjesën më të madhe. Në Kosovë mbi 60% e rasteve janë vajza nën 18 vjeçe. Statistikat pra, flasin njëzëri se fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave është parakushti kryesor në luftimin e trafikimit,”- nënvizoi Osmani.

 

Senatori amerikan John Cotton Richmond: Me ligjet e reja, jo qeveritë, po bizneset do të vendosin kundër punës së detyruar

Gjatë fjalës së tij në forumin ‘Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan’ Senatori amerikan John Cotton Richmond ka dhënë rekomandimet se si të përshkallëzohet lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore duke sjellë shembuj nga ndryshimet që po i bëhen ligjeve në SHBA dhe në BE. I ftuar në forumin që u mbajt sot në Tiranë për këtë temë dhe ku ishin të pranishëm dy presidentë, Ilir Meta dhe Vjosa Osmani, z. Richmond foli për ligjin e ri që ia kalon të drejtat, nga qeveritë tek bizneset vetë që të vendosin për të mos lejuar shfrytëzimin në punë të detyruar, një lloj i trafikimit dhe ky. “Një ligj i ri, – tha ai, – që pengon zinxhirin e furnizimit. Ne do t’i kalojmë të drejtat nga qeveritë tek bizneset, do t’i detyrojmë kompanitë që të vendosin për punën e detyruar. Kjo është një gjë që po ndodh. Gjermania e ka kaluar këtë kuadër ligjor. Norvegjia, Austria, SHBA e kanë kaluar disa pjesë të këtij ligji, se si bizneset do të jenë vetë të përgjegjshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në zinxhirin e tyre dhe ne po punojmë që të sigurohen kompanitë vetë që punëtorët nuk shfrytëzohen. Për 24,9 milionë persona, që janë viktima, ne duhet të bëjmë diçka. Kemi parë që ka ndërgjegjësim, por ka dhe lodhje. Çfarë ne bëjmë për të luftuar kundër kësaj lodhjeje?! Ka pasur më shumë viktima tani se sa ka pasur në botë. Ne duhet ta ndalojmë këtë dhe ky është një argument nga historia. Për katërmijë vjet histori të regjistruar, trafikimi i njeriut ndodh në çdo kontinent, kjo është e përfaqësuar nga çdo shoqëri, e pranuar kulturalisht, e kemi pranuar edhe nga ana fetare këtë, është pranuar dhe në Kushtetutën amerikane në tre vende edhe është për të ardhur turp. Pra në 4000 mijë vjet historia e ka pranuar këtë shfrytëzim dhe para disa vitesh nisi ndryshimi i ligjeve,”- përfundoi senatori.

 

 

Projekt-Rezoluta “Për intensifikimin e përpjekjeve në luftën kundër trafikimit njerëzor dhe sigurimit të një mbrojtje efektive për viktimat e trafikimit” e paraqitur sot në “Forumin e Lirisë Ballkanike”

  1. Angazhimi i Institucioneve dhe gjithë shoqërisë: Institucionet duhet të rrisin kapacitetet e tyre dhe të koordinohen më mirë me shoqërinë civile dhe komunitetet lokale për të dalluar dhe njohur rastet potenciale të trafikimit njerëzor, si dhe për reaguar në kohë, për mbrojtjen e viktimave apo viktimave të mundshme të trafikimit.
  2. Reagimi shpejt dhe me profesionalizëm i Institucioneve të Drejtësisë: Të sigurohemi, që institucionet kanë kapacitetet e duhura, për të mundësuar goditjen e fenomenit dhe mbrojtje ligjore efektive, për të gjitha viktimat e trafikimit, duke ju ofruar atyre më shumë akses dhe ndihmë ligjore falas të pakushtëzuar.
  3. Fuqizimi i kapaciteteve të prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe gjyqtarëve në nivel lokal lidhur me legjislacionin kombëtar antitrafikim, duke zbatuar qasjen me në qendër viktimën e trafikimit njerëzor.
  4. Garantimi i së drejtës së kompensimit dhe dëmshpërblimit të viktimave të trafikimit, nëpërmjet procesit gjyqësor dhe krijimit të një skeme shtetërore efektive, për t’u aplikuar për të gjitha rastet e viktimave të trafikimit.
  5. Garantimi i së drejtës për përfshirjen në programet e mbrojtjes së dëshmitarit, të viktimave të trafikimit njerëzor, bashkëpunëtorë të drejtësisë.
  6. Rritja e mbështetjes financiare nga shteti dhe sigurimi i një shpërndarje në mënyrë të drejtë dhe që mbulon të gjitha nevojat për shërbime, për grupet e rrezikuara nga trafikimi, në të gjithë territorin, duke përfshirë fonde të qëndrueshme, për shërbimet, për viktimat e trafikimit deri në rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në mënyrë të sigurt.
  7. Garantimi i zbatimit të Planit të Veprimit Kombëtar Antitrafikim 2021-2023 në mënyrë efektive e brenda afateve të përcaktuara.
  8. Hartimi i politikave dhe programeve të mbështetjes, me në qendër viktimën, duke u kujdesuar për trajtimin e tyre me dinjitet dhe respektimin e të gjitha të drejtave gjatë gjithë procesit dhe procesit të ofrimit të ndihmës dhe shërbimeve, përfshirë edhe procedurat dhe ndërveprimin me to, për shkak të zhvillimit të proceseve gjyqësore kundër trafikantëve.