Ish-zëvendës kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj nuk ka pranuar asnjë prej veprave për të cilat po hetohet nga SPAK. Duket se ai po del gjithnjë e më shumë kundër VKM të miratuara në qeverinë ku ai ishte vetë pjesë. Madje aq sa duket sikur shigjeton gjithnjë e më shumë Sekretarin e Përgjithshëm Engjëll Agaçin, që përflitet si një prej “kokave” të axhendës së inceneratorëve. Pas dëshmisë së tij në Prokurorinë e Posaçme të dhënë të enjten, zbardhen detaje të dëshmisë së tij, sipas së cilës Ahmetaj refuzon të ketë njohje dhe përfitime nga biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto, përfshirë udhëtimet e luksit apo vilën në Hamallaj. Para hetuesve, ai mohon të ketë patur rol vendimmarrës lidhur me procedurat e inceneratorëve. Për 5 orë e 40 minuta që është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme, ish-zëvendës kryeministri, Arben Ahmetaj nuk ka pranuar në asnjë moment përfitime të paligjshme nga biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto, teksa ka mohuar edhe njohjen me të, çështjen e vilës në Hamallaj që po hetohet nga SPAK apo pagesat e udhëtimeve e hoteleve luksoze. Dikur numri dy i qeverisë, Ahmetaj ka thënë se në funksionin e ministrit të Ekonomisë dhe Financave, nuk ka patur rol në procedurat e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit për të cilët është pyetur. “Klodian Zoto nuk ka patur vilë në Hamallaj që të m’a falte dhe nuk kishte pse m’a falte pasi nuk kam patuar asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët. Nuk më ka paguar hotele të shtrenjta jashtë Shqipërisë. Në asnjë rast, hotelet ku kam qëndruar nuk janë paguar nga të tjerë përfshi këtu edhe Klodian Zoto. Nuk e njoh nga afër këtë person, e njoh vetëm si biznesmen. Si ish-ministër i Ekonomisë dhe si ish-ministër i Financave nuk kam patur asnjë rol vendimarrës për inceneratorët”. Për vilën e sekuestruar në Hamallaj, Ahmetaj ka deklaruar se është pronë e familjes së Erjola Hoxha, me të cilën bashkëjeton që prej vitit 2022. Ndërsa përsa i takon vilës të sekuestruar në Palasë, ish-zëvendës kryeministri ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me këtë prone, pasi ajo i përket një shtetaseje zvicerane dhe duhet të pyetej ajo për sqarime. Arben Ahmetaj ka dëshmuar në SPAK të Enjten si person nën hetim. Sipas mbrojtjes së tij, atij nuk i është komunikuar fakt penal apo akuzë. Ahmetaj është i dyshuar nga SPAK për katër vepra penale si korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe shpërdorim detyre.






















