Zaganjori nis zyrtarisht detyrën e kryetarit në Gjykatën e Lartë

501
Sigal

Ditën e djeshme u zhvillua, përpara trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë, ceremonia e prezantimit në detyrë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, si dhe dy anëtarëve të sapoemëruar Z. Admir Thanza dhe Z. Tom Ndreca. Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, në ambientet e Gjykatës së Lartë, ishte i pranishëm Presidenti i Republikës Z. Bujar Nishani. Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori falënderoi në mënyrë të veçantë Presidentin e Republikës Z. Bujar Nishani për pjesëmarrjen e tij në ceremonitë e prezantimit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe dy anëtarëve të rinj. Z. Zaganjori theksoi se vendi ynë, në kuadër të integrimit në strukturat evropiane ka nevojë të ndjekë modelet e vendeve me demokraci të zhvilluar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atyre perëndimore, të cilat falë bashkëpunimit me pushtetin legjislativ, ekzekutiv, por dhe median, si dhe falë profesionalizmit, integritetit, dhe përkushtimit, kanë arritur të kenë një gjyqësor, i cili është kolonë e rëndësishme brenda një shteti demokratik. Në këtë kuadër, Gjykata e Lartë, e cila qëndron në krye të piramidës së pushtetit gjyqësor, ka një sërë detyrimesh të rëndësishme, si rritjen e transparencës, pavarësisë, performancës dhe përgjegjësisë funksionale në mënyrë që ky pushtet të vijë duke u forcuar e konsoliduar për të përmbushur me sukses rolin dhe misionin e dhënies së drejtësisë, të udhëhequr nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet në fuqi, gjithmonë në funksion të garantimit të një jete më të mirë, më të sigurtë dhe të begatë për qytetarët.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori garantoi Presidentin e Republikës, në emër edhe të të gjithë trupës së gjyqtarëve, se në vijimësi kjo gjykatë dhe anëtarët e saj, me përkushtim dhe devotshmëri do të rrisin profesionalizmin në shërbim të rritjes së shpejtësisë së gjykimit të çështjeve, në mënyrë që, përfituesi kryesor të jetë me të vërtetë shteti shqiptar, forcimi i demokracisë shqiptare, por në radhë të parë të jetë qytetari shqiptar. Ndërsa në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti i Republikës Z. Bujar Nishani, vuri theksin tek rëndësia e madhe që ka unifikimi i praktikave gjyqësore.