Ylli Ndroqi:Ora News dhe IPR Marketing, së shpejti me sondazhe të tjera

464
Sigal

KONFERENCË PËR SHTYP/ Presidenti i RTV “Ora News”, Ylli Ndroqi dhe Drejtor i “IPR Marketing”, Antonio Noto

Pas suksesit në zgjedhjet e 23 Qershorit, RTV “Ora News” dhe IPR Marketing kanë dalë në një konferencë për shtyp duke dhënë edhe detajet për mënyrën se si janë zhvilluar sondazhet dhe exit poll-i. Në fjalën e tij, Presidenti i RTV “Ora News” zoti Ylli Ndroqi theksoi se, do të vijojë edhe më tej me sondazhet në interes të qytetarëve shqiptarë. “Më lejoni që t’u urojë qytetarëve shqiptarë dhe partive politike për përfundimin me sukses dhe dinjitet të një procesi elektoral të vështirë, por të rëndësishëm për Shqipërinë. Ky takim konsiston në rolin e sondazheve dhe exit poll-it që u realizua në 23 Qershor 2013. Së pari, RTV “Ora News” dhe IPR Marketing ishin të suksesshëm në dy palë zgjedhje parlamentare në 2009 dhe 2013 dhe rezultati i votuesve dhe konfirmimi që bëri exit poll-i në 23 Qershor në orën 19:20 rezultoi me atë që konfirmoi edhe KQZ-ja. Së dyti, dua të ndaj me ju që RTV “Ora News” dhe unë në cilësinë e presidentit të këtij televizioni informativ do të vazhdojë të bëjë sondazhe në Shqipëri në interes të qytetarit shqiptar dhe jo në interes të zgjedhjeve”,- tha zoti Ndroqi. Gjithashtu, Zoti Ndroqi theksoi më tej se, pavarësisht kostove të larta financiare dhe kërcënimeve, Ora News ia doli që japë rezultatin e saktë të zgjedhjeve të 23 Qershorit. “Nuk pajtohem me idenë se të gjithë u gabuan në analiza dhe në dhënien e rezultateve të zgjedhjeve. Ne nuk gabuam dhe siç theksova pak më lart e konfirmuam atë në orën 19:20 minuta me një marzh gabimi 2 për qind. Sigurisht, kjo nuk ka qenë e lehtë dhe ka qenë një sondazh, i cili ka pasur një punë të lodhshme organizative nga bordi që mori të organizojë sondazhet dhe exit-poll. Mbështetja që mori IPR Marketing në bashkëpunim me bordin pati një kosto të lartë financiare dhe njerëzore deri në kërcënim dhe presion nga partitë politike që nuk dua t’i bëj publike sepse Ora News i ka injoruar me rezultatin që u dha në 23 Qershor” , tha Zoti Ndroqi duke shtuar se Ora News do t`i shërbejë vetëm publikut dhe asnjëherë nuk do të marrë ngjyrime politike.

Noto: Sondazhet të përdoren si mjet komunikimi në të ardhmen

Nga ana e tij, Drejtor i “IPR Marketing”, Antonio Noto theksoi se, sondazhet në të ardhmen duhet të përdoren si mjet komunikimi mes qytetarëve dhe qeverisë. “Ne shpresojmë që sondazhet të përdoren në të ardhmen si një mjet komunikimi mes shqiptarëve. Do të donim që sondazhet të përdoren si mjet komunikimi mes qytetarëve dhe qeverisë, ku qytetarët mund t’i komunikojnë qeverisë pikat e dobëta.  Ky është një hap përpara i natyrshëm. Nëse kjo ndodh ky do të jetë një çast i mirë që qytetarët të ndihen më shumë pjesëmarrës në politikë”, tha Noto. Noto pranoi se edhe pse zgjedhjet e 23 Qershorit janë bashkëpunimi i dytë me RTV “Ora News”, ai ka qenë më i vështiri për vetë faktin se rezultatet ishin të tilla sa analistët shprehën mosbesim. “Kjo është hera e dytë që ne punojmë në Shqipëri me sondazhet, në vitin 2009 dhe 2013, dhe mendoj se, kjo e dyta e 2013-s ka qenë shumë më e vështirë se në 2009. Në vitin 2009 nuk ka qenë aq e vështirë sa tani, pasi ishte hera e parë që kryheshin sondazhe në Shqipëri, ishim vetëm 3 – 4 institute që kryenim sondazhe, dhe IPR Marketing ishte i vetmi që edhe në 2009 arriti të gjente rezultatin më të afërt. Megjithatë edhe mbas këtij fakti shumë analistë shprehën mosbesimin e tyre ndaj këtyre sondazheve dhe ndaj këtij instituti. Do të thoja që kjo mosbesueshmëri ndaj këtyre sondazheve nuk është diçka karakteristike vetëm e shqiptarëve, por edhe e italianëve. Edhe në Itali në emisione të ndryshme televizive ndodh që një gazetar thotë që sondazhi është kryer shumë mirë dhe një tjetër që thotë se nuk është kryer mirë. Mendoj se kjo i bënë mirë debatit dhe programeve televizive” shtoi Noto. “Ora News” është i vetmi televizion që në bashkëpunim me IPR Marketing, ka zhvilluar 4 sondazhe në muajin Maj dhe Qershor dhe 4 exit poll rajonale dhe një exit poll kombëtar në ditën e votimit, në 23 Qershor.