Xhevat Mustafa: Kryqëzatë qeveritare kundër protestës opozitaro – qytetare më 6 dhjetor

182

“Sipas envero-edramistëve, “dashnorë të çmendur pas Ballkanit të hapur”(Serbisë së madhe dhe Rusisë në Adritatik) organizatorët, drejtuesit dhe pjesëmarrësit në protestën e 6 dhjetorit, në ditën e zhvillimit edhe të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i shërbejnë qëllimeve dhe interesave të Rusisë e të Putinit!?”

Sigal

Mos bëni si bota dhe si ne! Me 6 dhjetor qytetarët shqiptarë opozitarë, nga shoqëria gri, e pavarur apo e paparti, bile edhe socialistë anti Ballkan Hapur apo ATDHETARË me zemër dhe me vepra, kanë rast shumë të mirë t’i dëshmojnë botës demokratike se Edi Rama, prej vitesh, është bërë masivisht, i padëshirueshëm apo i urryer në krye të pozitës qeverisëse dhe të ekzekutivit shqiptar!

Përkimi i protestës së paralajmëruar nga PD me kryetar Berishën me Samitin BE-Ballkani Perëndimor, në Tiranë, më 6 dhjetor 2022, është pritur me kundërshtime nga disa ministra dhe kryebashkiaku i kryeqytetit. Ata ngjajnë me një kor që të përzien deri në zorrë, kuptohet të dirigjuar nga kryeministri Edi Rama, i porsakthyer nga Beogradi e pa iu larguar akoma era e trupit apo e parfumit të vënë nga Vuçiçi dhe verës serbe të pirë me atë! Ata i bashkon e njëjta akuzë e stërpërdorur, bajatosur dhe e pabesueshme, e trashëguar nga idhulli i tyre, Enver Hoxha. Sipas envero-edramistëve, “dashnorë të çmendur pas Ballkanit të hapur”(Serbisë së madhe dhe Rusisë në Adritatik) organizatorët, drejtuesit dhe pjesëmarrësit në protestën e 6 dhjetorit, në ditën e zhvillimit edhe të Samitit BE-Ballkani Perendimor, i shërbejnë qëllimeve dhe interesave të Rusisë e të Putinit!? Apo, më shqip, sipas këtyre “patriotëve të mëdhenj me fjalë” na qenkan “antishqiptarë”,“filorusë”, “antieuropianë”…!? Kuptohet lehtë halli apo qëllimi i tyre i vërtetë: fshehja me gjethe fiqsh Surreli, Terpani, Roshniku…e faktit se kjo protestë do të jetë shumë më tepër se pakëz antieuropiane, qartësisht dhe masivisht antiedramjane, antiballukiane…, anti- Ballkan hapur, antiserbe, antiruse, antisorosiane, antialabariane…Po sipas logjikës perverse të këtyre quhen “antieuropianë” dhe “filorusë” pse kanë protestuar e do të protestojnë për të mbrojtur liritë e të drejtat njerëzore dhe demokratike…!!! Apo pse ndjejnë shqetësim dhe ngrejnë zërin deri në kupë të qiellit dhe në veshët e Brukselit për të mbrojtur pasuritë kombëtare të nëpërkëmbura, të shitura gati falas, të vjedhura me projekte me “investitorë strategjikë” apo partnerë e ortakë fantazmikë…prej tyre!? Na qenkan “antikombëtarë” pse i akuzojnë ata si qeveritarë se kanë 9 vjet që kanë abuzuar me fatin dhe faktin juridik të qenies pushtetarë të pakontrollueshëm e të  pandëshkueshëm në këtë vend, katandisur po prej firmave dhe vulave të tyre si “pronë” të tyre familjare, klanore, ortakërore, oligarkiste…!?Natyrisht, mund të shmangej ky përkim nga liderët dhe organizatorët e protestës së PD- së, Partisë së Lirisë dhe partive të tjera të opozitës, duke e bërë protestën edhe 2-3 ditë më vonë, pse jo, më 8 dhjetor, në Ditën e Rinisë, datë që shënon një ngjarje historike jo vetëm për PD! Kështu do t’u hiqej nga duart e nga gojët kjo kartë e zverdhur Edi Ramës me shoqe e shokë për kokë.

Nga ana tjetër, zhvillimi i njëkohshëm i Samitit me protestën antiqeveritare, ka edhe të mirën se i ndihmon mysafirët e lartë nga vendet e BE- së, të djathtë, të qendrës e të majtë, të krijojnë bindje më të saktë e të plotë për nivelin e mbështetjes dhe kundërshtimit të Rama- qeverisë! Me 6 dhjetor qytetarët shqiptarë opozitarë, nga shoqëria gri, e pavarur apo e paparti, bile edhe socialistë anti Ballkan Hapur apo ATDHETARË me zemër dhe me vepra, kanë rast shumë të mirë t’i dëshmojnë botës demokratike se Edi Rama, prej vitesh, është bërë masivisht, i padëshirueshëm apo i urryer në krye pozitës qeverisëse dhe të ekzekutivit shqiptar!

Më 6 DHJETOR, nga tribuna e protestës është shansi “t’i kujtohet” kryeministres së Italisë, Giorgia MELONI dhe shoqëruesve të saj, se ai që po i pret bashkë me ministrat e tij, disa muaj më parë ka vjell vrer, që ajo mos fitonte e mos të zgjidhej, sepse “ishte pasardhëse e Musolinit dhe e fashistëve, rrezik për Europën”. Po kështu, është mundësia t’i thuhet Viktor Orbanit të Hungarisë, që është ndër të parët që i ka dhënë dermën nga Hungaria Xhorxh Sorosit dhe fondacionit të tij, se Shqipëria drejtohet nga një “bir për shpirt” i këtij manjati të krizave dhe revoltave, që ka shkatërruar demokracinë, stabilitetitin politik, ekonomik, financiar, social…në çdo vend ku ka futur duart dhe këmbët. Kori qeveritar, sipas gjykimit tim, në të vërtetë duhet të gëzohet nga ky përkim mes dy ngjarjesh, njera ndërkombëtare e tjetra vendore. Me shumë gjasa, prania e delegacioneve nga vendet e BE- së do t’i pengojë PD- në dhe PL- në të bëjnë PROTESTË, sipas emërtimit dhe konceptimit si dhe sipas traditës dhe përvojës mbi 1 shekullore ndërkombëtare dhe praktikës bashkëkohore!

Megjithatë, edhe nëse nuk ndryshohet data, përsëri nuk është as diçka e jashtzakonshme, e pandodhur apo herezi. Mjafton të kujtojmë samitet e G7 dhe G20 si dhe të NATO-s në disa kryeqytete dhe qytete të tjerë në vende të BE, në Angli, Kanada, Indonezi, e tj, ku janë zhvilluar, shoqëruar gjatë ditëve të punimeve, edhe me protesta masive e të dhunshme qytetare, Jo çuditërisht dhe jo rastësisht, por sipas një tradite të hershme, shumëdekadëshe, organizatorë dhe drejtues të këtyre protestave kanë qenë parti, koalicione e liderë nga e majta ose të organizatave globaliste dhe ambjentaliste, me anim majtas. Për të ndihmuar Ramën, Linda Ballukun, Taulant Ballën, Bledi Çuçin, Niko Peleshin, Erion Veliajn…dhe të tjerë antiprotesta opozitare- qytetare, po kujtojmë dhe rendisim disa samite ndërkombëtare të G7 dhe G20, pritur dhe shoqëruar jo me festa, muzikë e lule, por me protesta e dhunë…!

“Zhvillimi i njëkohshëm i Samitit me protestën antiqeveritare, ka edhe të mirën se i ndihmon mysafirët e lartë nga vendet e BE- së, të djathtë, të qendrës e të majtë, të krijojnë bindje më të saktë e të plotë për nivelin e mbështetjes dhe kundërshtimit të Rama- qeverisë!”

1-Sot mblidhen në Matera të Italisë ministrat e Jashtëm të G20, nuk mungojnë protestat (Euronews Albania, 29-06-2021)

2-Francë, 4 policë të lënduar në përleshje me protestuesit para G7-tës (Anadolu Agency, 24.08.2019)

Sipas mediave franceze, demonstratat anti-G7 u përshkallëzuan në dhunë në fshatin Urrugne, 25 kilometra në jug të qytetit bregdetar Biarritz, ku do të mbahet samiti…Protestuesit në Francë të premten u përleshën me policinë para samitit të G7-tës të kësaj fundjave, duke lënë katër policë të lënduar, transmeton Anadolu Agency (AA).

3-Protesta kundër samitit G7 në Itali, Ora News, 26.05. 2017

Ndërsa liderët e 7 vendeve më të fuqishme të botës janë mbledhur në Taormina të Sicilisë për zhvillimin e Samitit të radhësë së G7, mijëra qytetarë kanë protestuar në rrugët e këtij qytetit për t’i thënë Jo axhendës së reduktuar të punimeve të tij. Në një konferencë të mbajtur në shesh të hapur manifestuesit do të përpiqen të tërheqin vëmëndjen mbi tema të patrajtuar në këtë samit si vdekja çdo ditë e më  shumë e emigrantëve që përpiqen të mbërrijnë në Europë, varfëria e uria në shumë vende të botës, politikat e militarizimit, fuqia ekonomike e përqëndruar në duart e pak personave, pabarazia e frikshme ekonomike globale, rrezikimi i sistemit të garancive sociale një betejë e fituar prej shumë dekadash etj.

4-Samiti nën hijen e protestave dhe mosmarrëveshjeve (07.07.2017)

Në Hamburg të Gjermanisë fillon sot samiti i G20-ës, ku do të mblidhen liderët më të rëndësishëm në botë. Por gjendja paraqitet e rëndë. Hamburgu këto ditë është në gjendje të jashtëzakonshme. Gjatë gjithë natës së kaluar deri sot në orët e para të mëngjesit ka pasur konflikte mes demonstruesve dhe policisë. Policia ka përdorur topa uji, sprej dhe shkopinj për të ndalur demonstruesit agresivë që të shkojnë drejt sallave të panairit ku sot fillon zyrtarisht samiti i G20-ës. Nga ana tjetër, në veçanti rreth 1000 persona të maskuar në radhët e para, ishin shumë agresivë. Ata kanë hedhur kokteje molotov, gurë dhe gjëra të tjera në drejtim të policisë. Policia pohon se në protestën e madhe me titull “Ëelcome to the hell”  (Mirësevini në Ferr), kanë marrë pjesë rreth 12.000 kundërshtarë të samitit G20 dhe globalizimit.

5-Samiti i NATO-s:Të arrestuar e të plagosur në Çikago! Radio Europa e Lirë, 21 maj, 2012

Derisa po vazhdon të mbahet samiti i NATO-s në qytetin amerikan të Çikagos, janë zhvilluar edhe disa protesta. Policia tha se është përleshur me protestues anti-luftës. Raportohet se katër policë janë plagosur, kurse autoritetet thonë se kanë arrestuar 45 demonstrues.

6-Samiti i G20, protesta në Londër (01.04.2009).

Blindimi që i është bërë kryeqytetit është i paprecedentë. Aktualisht mijëra demonstrues, në katër grupe të ndryshme po shkojnë drejt selisë së Bankës së Anglisë, në qendër të Londrës për një manifestim kundër Samitit.

7- Samiti i G8 në Genova, Itali, 3 ditë protesta të dhunshme(18-20 korrik 2001, ANSA)

Rreth 200 mijë njerëz u mblodhën nga e gjithë Italia dhe nga vende të tjerë të Evropës për të protestuar kundër Samitit të G8. Protestat u bënë të dhunshme, me rreth 300 të plagosur nga të dy palët dhe me shumë të arrestuar prej forcave të rendit. U dogjën godina e rrugë të  qytetit, u bllokuan trena dhe avionë, bile humbi jetën një protestues, Carlo Giuliani. Në shumicë ata që protestonin, veçanërisht kundër presidentit të SHBA-ve, Bush dhe kryeministrit të Italisë, Berlusconi, ishin nga e majta italiane dhe europiane, të bashkuar nën emërtimin “antiglobalistët e majtë”…Kjo dukej edhe në flamurët dhe parullat që mbanin…

Mesazhi që japin këto zhvillime e njoftime nga bota është i qartë, edhe në SHQIP! Por, Edi Rama dhe tufa e tij “e përkthejnë” në enverisht apo sorosianisht: Mos bëni si bota dhe si ne!