“ Xhafaj dhe Çako nuk kanë të drejtën morale të drejtojnë reformën, kupola e inkriminuar”

459
Ish-shefi i Krimit Ekonomiko-Financiar, Arjan Hoxha e konsideron reformën në Policinë e Shtetit fasadë, ndërsa shton që ka frikë se po luhet jo pastër
Një nga zërat kritikë që ka shërbyer në radhët e Policisë së Shtetit dhe pas marrëveshjes së 18 majit, u caktua në postin e Drejtorit Teknik të Burgjeve, Arjan Hoxha, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, flet për reformën në Policinë e Shtetit. Hoxha ka mbajtur gradën kryekomisar. Po ashtu mban edhe gradën “Doktor i Shkencave Juridike”. Ai e konsideron të pamoralshëm faktin se kjo reformë iniciohet nga Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako. Sipas tij, moralisht kupola e policisë duhet të jetë e përjashtuar nga drejtimi i reformës, pasi prej kohësh ata janë përfolur si të inkriminuar, madje krimi është dirigjuar prej tyre. Hoxha flet edhe për mënyrën se si e sheh ai këtë reformë. 
Si e shihni nismën e ministrit Xhafaj për të reformuar Policinë e Shtetit?
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka iniciuar një proces reformimi në strukturat e Policisë së Shtetit me kartën e vetingut, këtë në bashkëveprim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Pikërisht këtu qëndron një nga deformimet më të mëdha të këtij procesi të ndërmarrë. Çdo proces reformimi zhvillohet në dy plane, në planin moral dhe atë teknik. Në këtë rast janë shkelur të dy këto shtylla kryesore që në gjenezë të procesit të reformimit, kaq të domosdoshëm për policinë e shtetit. 

-I gjithë opinioni publik është i njohur me lidhjet kriminale të gjithë kupolës drejtuese të policisë së shtetit si dhe me performancën e punës së tyre në këto katër vitet e fundit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, duke qenë se është eprori i vetëm dhe i drejtpërdrejtë i të gjithë këtyre drejtuesve të policisë, nuk e ka kartën e moralit për të udhëhequr një proces reformimi pasi vetingu duhet të nisë pikërisht nga ai vetë, duke vijuar në linjë zbritëse në hierarkinë e policisë. 

-Për sa i përket aspektit teknik, reforma në policinë e shtetit nuk është ndërmarrë në rrugën e duhur ligjore dhe nënligjore, duke shkelur në mënyrë të hapur edhe rregulloren 1299 të vitit 2009 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e cila përcakton menaxhimin e burimeve njerëzore brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Konkretisht: Nuk është marrë mendimi i strukturës së posaçme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që është Drejtoria e Studimeve Strategjike, strukturë e cila e ndjek në vijimësi ecurinë dhe anën teknike të çdo strukture të Policisë së Shtetit dhe është përgjegjësja kryesore në hartimin e projekteve studimore dhe planifikimit të ndryshimeve strukturore në burimet njerëzore të PSH.

Ndryshimi strukturor i bërë në radhët e policisë nga viti 2013 e në vijim është bërë mbi baza të përkatësive politike. Larguan nga radhët e saj të gjithë drejtuesit e policisë së shtetit, si dhe ata punonjës policie të cilët kishin shërbyer me ndershmëri, profesionalizëm e përkushtim dhe që kishin informacionin e nevojshëm mbi grupet kriminale që merreshin me trafikun e drogës si dhe krime të tjera. Gjithashtu, punonjës të mirë trajnuar brenda dhe jashtë Shqipërisë nga organizma policore ndër më profesionalet në Evropë, duke i zëvendësuar në një afat disa ditor me militantë politikë, me persona me të kaluar dyshimtë dhe të akuzuar e proceduar për lidhjet e tyre që kishin pasur me krimin dhe grupe të ndryshme kriminale. Të gjitha këto janë denoncuar nga SH.P.P.L – 2013 në mediat e shkruara dhe ato vizive vazhdimisht.

Ishte veprimi i qëllimshëm i ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtuesve më të lartë të PSH, kur vendosën si prioritet të punës së policisë, dokumentimin ligjor për rastet e shpërdorimit të rrjetit elektrik, mospërdorimit dhe procedimit penal për drejtuesit e automjeteve, ndërtimeve pa leje etj. Vepra këto të cilat përbëjnë kundravajtje penale dhe për secilin prej tyre ekziston një strukturë e posaçme jashtë strukturës së policisë së shtetit. Pra, nuk ishte e nevojshme fokusimi i strukturave të policisë së shtetit në evidentimin dhe dokumentimin e këtyre kundra-vajtjeve penale, duke lënë jashtë fokusit kryesor evidentimin e elementit kriminal dhe veprave penale, të cilat kishin të bënin me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, krimet e rënda; si vrasje mafioze, vrasje për hakmarrje, vrasje me pagesë, fenomenin tritol, grabitje me armë të bankave dhe bizneseve, pengmarrje, gjobë-vënie si dhe një sërë veprash të tjera që lidhen me korrupsionin dhe pastrimin e parave të krimit. Veprim ky që solli si pasojë në realitetin tonë rikthimin e grupeve kriminale, të cilat dominojnë sot në raport me forcën ndëshkuese të policisë së shtetit, siç ishte rasti i Elbasanit, Vlorës, Durrësit etj. 

Ministri Xhafaj pasi u shpreh publikisht se drejtuesit e policisë së shtetit janë organizatorë dhe pjesëtarë të grupeve kriminale që kanë kanabizuar territorin e vendit dhe për “pakujdesinë” e tyre në zbulimin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, jo vetëm cannabis sativa, por edhe droga të tjera të rënda, do të amnistohen me ulje në përgjegjësi duke iu ngarkuar tani me detyrën që të trajnojnë punonjësit e policisë në Akademinë e Policisë!? Kjo është një lëvizje, sa absurde, aq dhe ‘kontrapedal’ e ministrit Xhafaj, pasi nga njëra anë njeh përgjegjësinë e tyre kriminale dhe nga ana tjetër i vendos në pozicionin e mentorit për të rinjtë në radhët e policisë, duke treguar qartë dhe me lezet, se nuk ekziston vullneti i mirë për reformim real te Policisë së Shtetit.

Ju mendoni se procesi i Vetingut nuk do të jetë i vërtetë? 
Në këto kushte nuk lexohet asnjë mundësi për një proces vetingu dhe reformë të vërtetë brenda radhëve të policisë së shtetit, pasi në kushtet aktuale me një kupolë drejtuese të policisë të inkriminuar, me një Ministër të Brendshëm që amniston policët trafikantë, mundësia më e madhe është, se do kemi përsëri të larguar nga policia e shtetit punonjës të cilët arrijnë të bëjnë sadopak detyrën e tyre në përputhje me ligjin dhe të mos u binden urdhrave të kundraligjshme të drejtuesve të tyre. Kjo e tëra për këto arsye: 

-Personat apo grupet përgjegjëse për zbatimin e vetingut do të caktohen nga Ministri Xhafa, drejtuesit e policisë dhe SH.Ç.B.A, të cilët për katër vite me radhë kanë dëshmuar se vullneti i tyre bazohet vetëm në shtimin e kriminalitetit dhe lidhjen e tyre të ngushtë me elementët më të rrezikshëm kriminal në vend. 

-Punonjësit e policisë të ripranuar brenda këtyre radhëve siç edhe përmenda më sipër, vijnë nga kategori të tilla si të përjashtuar nga policia e shtetit për shkelje të rënda të disiplinës në punë si dhe për shkelje të tjera ligjore dhe penale. 

-Të emëruarit rishtas në policinë e shtetit janë nga lista partie apo për favore të tjera si dhe disa prej tyre vijnë nga kategori të personave me të kaluar kriminale. 

Vërtetimet e personalitetit të tyre (dokument që vërteton pastërtinë e figurës së tij në të kaluarën) ose nuk janë paraqitur në dosjen e personelit ose është paraqitur në kundërshtim me ligjin, pasi ky punonjës policie është emëruar në detyrë duke pasur ndikimin e tij të drejtpërdrejtë tek OPGJ, i cili ka përgatitur këtë raport. Nuk është e mundur të krijoj besimin e duhur tek ky proces, pasi drejtuesit dhe punonjësit e policisë nuk certifikohen nga institucionet e tjera ligj-zbatuese si persona që mund të njihen me informacione të klasifikuara, ndërsa Ministri Xhafa, në bashkëpunim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë i mbajnë ende në radhët e policisë së shtetit, në kundërshtim me ligjin.

Si mendoni ju se duhet të kryhet reforma në Policinë e Shtetit, për të cilën sa thatë më sipër nuk jeni kundër saj, por mënyrës?
Në mendimin tim, që të kemi një proces sa më transparent dhe që të sjellë si rezultat një reformim të vërtetë të policisë së shtetit, duke u bazuar tek parimi i meritokracisë dhe tek parimi i karrierës policore, duhet që të kemi një komision të pavarur, të cilit t’i vihet në dispozicion i gjithë materiali i nevojshëm i grumbulluar, jo vetëm nga struktura e policisë së shtetit, SH.Ç.B.A, SHISH, ILDKPI, por nga çdo institucion tjetër ligj-zbatues apo forma e mënyra të tjera të marrjes së informacionit të nevojshëm. Të gjithë punonjësit e policisë, nga roli zbatues, teknik, organizativ dhe drejtues duhet t’i nënshtrohen testimeve të njohurive të tyre profesionale duke marrë gjithmonë në konsideratë të veçantë personalitetin e tyre të verifikuar në mënyrë kronologjike në raport me ligjin dhe kurajën e tyre për t’u përballur me krimin.
Sigal