Vrasja në burgun e Peqinit/ Nis seanca për Sokol Mjacajn, shoqërohet nga forca të shumta policie në sallën e gjyqit

39
Sigal

Ka nisur në Gjykatën e Elbasanit seanca gjyqësore për masën e sigurisë ndaj Sokol Mjacajt, i cili disa ditë më parë vrau në burgun e Peqinit, Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan, të tre të dënuar me burg përjetë.

Mjacaj shoqërohet nga forca të shumta policie edhe në sallën e gjyqit.

Në lidhje me vrasjen e ndodhur brenda ambienteve të burgut të sigurisë së lartë u arrestuan gjithashtu 12 punonjës, mes tyre drejtori i bugut të Peqinit Kamber Hoxha, shefi i policisë, shefi i regjimit si dhe 9 punonjës të tjerë policie nën akuzën e shëpërdorimit të detyrës, të cilët do të njihen sot me masën e sigurisë ndaj tyre.

Teksa është aluduar se vrasja ka të bëjë me një porositje nga jashtë në formë gjakmarrjeje, Mjacaj e ka mohuar para hetuesve, duke mos përmendur asnjë emër tjetër.

Megjithatë bazuar në këto dyshime policia ka ushtruar kontroll në banesën e të vëllait të tij me qëllim sekuestrimin e ndonjë materiali të vlefshëm për hetimin, por pa sukses.