Vrasësi i Selenicës braktiset prej avokatëve të caktuar nga shteti

264

Ritvan Zykaj, autori i masakrës së Selenicës, është braktisur dhe nga avokatët që i cakton shteti.

24-vjeçari që vrau tetë persona në fshatin Resulaj, gjatë seancës së fundit gjyqësore, ishte pa praninë e avokatit. Kjo bëri që seanca të shtyhej dhe Gjykata të caktonte një tjetër avokat.

Klajdi Meçe ka zënë vendin e avokatit Migjen Xhavara, i cili nuk ishte paraqitur, madje as në seancën e kaluar, seancë e cila u shty sërish për këtë fakt.

Ndërsa dëshmitari i vetëm i paraqitur në seancën gjyqësore, Fiqiri Serjani, i ka kërkuar trupës gjykuese të mos thërritet sërish, pasi nuk ka mundësi financiare për të paguar transportin. Lagjja ku ndodhi ngjarja e rëndë më 10 gusht 2018 është boshatisur. Përveç familjarëve të Ritvanit, janë larguar dhe të afërmit e viktimave që i shpëtuan masakrës.

“Shtëpitë janë të mbyllura plotësisht. Kanë ikur të gjithë. Aty nuk ka më njeri”, u shpreh Serjani, duke thënë se nuk do të paraqitet më si dëshmitar.