Antikushtetueshmëria me urdhrin e delegimit për Cakajn

465
Sigal

Shkelja e ligjit: Nuk ishin botuar urdhrat e delegimit të kompetencave nga Ministri i Jashtëm Rama tek zëvendësi Cakaj

Kastriot Dervishi, ish-drejtori i Arkivave në Ministrinë e Brendshme, shkruan se më në fund, pas 3 muajsh, janë botuar në Fletoren Zyrtare, urdhrat e delegimit të kompetencave nga ministri i Jashtëm Edi Rama te zëvendësi i tij, Gent Cakaj. Dervishi shkruan: Dy “ministra në detyrë” për një detyrë. Zëvendësministri Genti Cakaj ushtron pjesërisht, qysh prej janarit të këtij viti detyrat e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Me këtë rast është shpikur fjalia mediatike “ministri në detyrë”, e cila jo vetëm nuk shkon nga ana gjuhësore, por është edhe koncept i paligjshëm. Si studiues i historisë së shtetit shqiptar (shënoj gjithë aktet që lidhen me administratën e lartë) vërejta, se akti i delegimit nuk po botohej në “Fletorja Zyrtare”, kusht i domosdoshëm sipas nenit 29 të ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”. Nuk janë dhënë kurrfarë arsyesh për vonesën e jashtëzakonshme, duke vënë në diskutim ligjshmërinë e gjithë akteve të dala gjatë kësaj periudhe. Është rast i rrallë, mbase i vetmi. Më në fund, pas 3 muajsh, dje, më 15.4.2019, në numrin 50 të “Fletorja Zyrtare” u botuan urdhrat e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, për delegim kompetencash nga ai te zëvendësministri dhe sekretari i përgjithshëm i ministrisë. Konkretisht:

-Urdhri nr.67, datë 23.1.2019 i delegon zëvendësministrit Genti Cakaj, 5 funksione kompetenca.

-Urdhër nr. 69, datë 30.1.2019 i delegon sekretarit të përgjithshëm të ministrisë në fjalë (delegim pa emër personi), 4 kompetenca.

Nga krahasimi i pamjeve filmike të delegimit të detyrës dhe akteve të nxjerra, rezultojnë mospërputhje, ndërsa dyshimi se urdhrat mund të jenë bërë vetëm ditët e fundit është gjithnjë i arsyeshëm. Përderisa nuk njihet urdhri nr.68, kushedi çfarë mund të përmbajë ai. Pra dy funksionarët e lartë kanë ndarë përgjysmë kompetencat e ministrit. Sipas gjuhës që kanë shpikur vetë, duhet të ketë dy “ministra në detyrë”