Votimi i emigrantëve, korrigjohet Gjendja Civile: Nuk janë 32 mijë por vetëm 900 shqiptarë të regjistruar

261
Sigal

Votimi i emigrantëve është një nga detyrat më të vështira që ligjvënësit i ngarkuan KQZ-së dhe që tani kanë filluar të dhënat kontradiktore.

Ditën e shtunë, KQZ-ja shpërndau një relacion të projekt-aktit se si do të votojnë emigrantët në zgjedhjet e 25 prillit. Referuar të dhënave të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, KQZ-ja informoi se në sistem ishin regjistruar 32 mijë emigrantë që mund të votonin.

Nëse do të votonin të gjithë, mjaftonin për tri mandate deputetësh në parlament. Drejtoria e Gjendjes Civile ka korrigjuar të dhënat e emigrantëve të regjistruar në sistemin për të dhënat, në mënyrë që të votojnë. Nuk është 32 mijë, por rreth 900 të tillë.

Gjendja Civile ka nënvizuar në përgjigjen që i ka çuar KQZ-së se të dhënat e para ishin gabim dhe i ishin referuar një informacioni të vjetër. Në draftin e KQZ-së të publikuar të shtunën thuhet se, një sistem do të mundësojë regjistrimin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit.

Nëpërmjet një projektvendimi që pritet të miratohet se shpejti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon që emigrantët të regjistrohen, por fillimisht të deklarojnë vendbanimin e tyre. Shtetasit shqiptarë që do duhet të japin votën për zgjedhjet parlamentare do të plotësojnë të gjitha të dhënat që do të kërkojë sistemi i KQZsë, i cili gjithashtu do të bëjë verifikimin e çdo shtetasi nëpërmjet dy mënyrave:

1- Mënyra e parë është të japë të dhënat personale edhe të familjareve,

2-Mënyra e dytë nëpërmjet FACE ID. Nëse këto të dhëna nuk përputhen, sistemi do të njoftojë automatikisht shtetasin për rezultatet e mospërputhshmërisë/mosregjistrimin e tij.