Vlonjati u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm

308
Sigal

Një shtetas është arrestuar pasi është kapur duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Fiat”, pesë emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

24-vjeçari banues në Vlorë do të akuzohet për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

Njoftimi i policisë:

Qarku Korçë

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Kapet duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve I. K., 24 vjeç, banues në Vlorë.

Shtetasi i mësipërm, është kapur nga shërbimet e policisë rrugore në lagjen nr. 3, Pogradec duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Fiat”, 5 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.