Vlera e totale e koncesioneve është 1.5 miliardë euro, 12 % të PBB-së

590
Sigal

Faktet e rreme: Kontratat PPP në raport me madhësinë e ekonomisë, Shqipëria treguesit 12.7 herë më të lartë se Franca

Qeveria e Rilindjes Socialiste në këto 5 vitet e fundit ka dhënë mbi 2.500 koncesione dhe tenderë publike, ku tani çdo vit paguan mbi 120 milionë euro për kontratat e PPP-ve. Më e keqja është se këto koncesione nuk kanë hapur vende të reja pune, nuk kanë bërë investime publike, nuk kanë kontribuar as në rritjen e të ardhurave nëpërmjet taksave dhe pagimi i fondeve të koncesioneve ka thelluar edhe më shumë borxhin e jashtëm publik të Shqipërisë. FMN dhe BB e kanë kritikuar vazhdimisht qeverinë për numrin e madh të koncesioneve, mirëpo qeveria përditë e më shumë i shton ato. Një problem tjetër, është se dhënia e PPP-ve nuk është aspak proces transparent, përkundrazi, ka shumë ankime, akuza, denoncime, madje edhe nga investitorë të huaj, madje edhe BE-ja në letrën drejtuar qeverisë Shqiptare për ligjin “Për Teatrin Kombëtar” theksoi që koncesioni duhet të jetë garë e hapur.

Treguesit e Koncensioneve në Shqipëri  janë 12.7 herë më të lartë se Franca

Kryeministri Edi Rama prezantoi dje nëpërmjet rrjetit social Facebook rubrikën e re “fakt”, e cila nisi transmetimin në ERTV. Rubrika çeli siparin me një grafik për kontratat koncesionare me Partneritet Publik-Privat, duke bërë një krahasim me vlerat neto të kontratave të krahasuara me vlerën e kontratave në Britani, Francën Gjermani, Greqi, Serbi dhe Maqedoni. Qeveria përdori si burim disa të dhëna të Bankës Evropiane të Investimeve, duke publikuar një grafik që e nxori Shqipërinë si vendin me vlerën më të ulët të kontratave me PPP, të cilat kanë marrë kritika të ashpra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për ndikimin negative në borxhin publik (shih grafikun e mëposhtëm). Franca, sipas grafikut kishte kontrata me vlerë 3.1 miliardë euro, ndërsa Shqipëria renditej në fund, me vetëm 200 milionë euro për vitin 2017, me një vlerë 15 herë më të ulët se Franca. Por, duke pasur parasysh madhësinë e ndryshme të këtyre ekonominë, në këtë raste krahasimi vlen të bëhet me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), për të parë më qartë peshën e shpenzimeve që buxhetet shtetërore bëjnë në raport me madhësinë e ekonomisë së tyre. Nëse krahasimet do të bëheshin me PBB Shqipëria ka vlerën më të lartë të kontratave koncensionare në raport me ekonominë e saj se Britania, Franca, Gjermania, Greqia e etj. Duke ju referuar të dhënave të grafikut të ERTV dhe duke i krahasuar me Prodhimin e Brendshëm Bruto, rezulton se Shqipëria shpenzon 1.72% të PBB, duke u renditur e dyta më e lartë pas Maqedonisë, me 2.97% të PBB-së. Franca ka kontraktuar projekte, që janë të barabarta me 0.14% të PBB-së së saj. Bazuar në madhësinë e ekonomisë, Shqipëria ka PPP që janë 12.7 herë më të larta sesa Franca. Vendet e zhvilluara në përgjithësi rezultojnë se shpenzojmë pak më shumë se 0 për qind të PBB-së për kontrata koncensionare. Sipas raportit të BEI: “Vlerat e cituara në këtë publikim i referohen kërkesave të financimit që vendet kanë për financim të jashtëm. Kërkesa për financim të jashtëm të një projekti mund të jetë shumë i ndryshëm nga kostoja reale e investimeve për secilin projekt”, thekson BEI. Ndërsa sipas të dhënave Kombëtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlera e totale e kontratave në fuqi me PPP aktualisht është 203 miliardë lekë, ose rreth 1.5 miliardë euro, duke zënë më shumë se rreth 12 për qind te PBB-së.