Vjen në Shqipëri ambasadorja e re e BE-së, presidenti Begaj: Shpreh besimin se vëmendja ndaj Ballkanit Perëndimor do të jetë e madhe

66
Sigal

Në Shqipëri ka mbërritur ambasadorja e re e Bashkimit Evropian, Christiane Hohmann, e cila sot ka paraqitur Letrat Kredenciale, tek Presidentit i Republikës, Bajram Begaj.

Christiane Hohmann zëvendëson në këtë post diplomatin italian, Luigi Soreca.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Kreu i Shtetit shprehu besimin se ardhja e zonjës Hohmann në Tiranë do t’i japë një shtytje të re marrëdhënieve të Shqipërisë me institucionet e Bashkimit Evropian, si dhe vetë procesit të negociatave të aderimit në BE.

Po ashtu Presidenti Begaj nënvizoi ndër të tjera dhe vullnetin politik të institucioneve shqiptare për të përparuar në rrugën e reformave, duke theksuar se integrimi evropian mbetet projekti dhe prioriteti më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Njoftimi i plotë:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, zonja Christiane Hohmann.

Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe e siguroi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen politike dhe asistencën financiare që BE i ka dhënë Shqipërisë në tre dekadat e fundit.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për asistencën financiare të dhënë për përballimin e dëmeve të mëdha nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, si dhe për përballimin e lehtësimin e situatës gjatë pandemisë së Covid 19.

Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu besimin se ardhja e zonjës Hohmann në Tiranë do t’i japë një shtytje të re marrëdhënieve të Shqipërisë me institucionet e Bashkimit Evropian, si dhe vetë procesit të negociatave të aderimit në BE.

Presidenti Begaj nënvizoi ndër të tjera dhe vullnetin politik të institucioneve shqiptare për të përparuar në rrugën e reformave, duke theksuar se integrimi evropian mbetet projekti dhe prioriteti më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“I ndërgjegjshëm për sfidat dhe vështirësitë që vetë BE-ja e Vendet Anëtare të saj po kalojnë pas agresionit rus në Ukrainë, shpreh besimin se vëmendja e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor do të jetë edhe më e madhe, duke e konsideruar procesin e zgjerimit si instrumentin më të mirë gjeopolitik për adresimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë së rajonit dhe të kontinentit në tërësi” – nënvizoi Presidenti Begaj.