Shkolla e Policisë, emrat dhe datat për 1900 aplikantë

640
Rreth 1900 aplikantë për Shkollën e Policisë do të kryejnë testin fizik deri në datën 7 prill, i cili ka 20 për qind të vlerës së pikëve të përgjithshme. Policia e Shtetit ka zbardhur emrat sipas grupeve dhe datat, se kur do të zhvillojë testimin çdo kandidat, i cili duhet të paraqitet në stadiumin “Qemal Stafa”, me uniformë sportive dhe dokumentet përkatëse. Deri në datën 1 prill, do t’i nënshtrohen me nga dy grupe kandidatët e qarkut Tiranë, ndërsa më pas deri në datën 7 prill do të jenë sipas listës kandidatët e qarqeve të tjera.
Testi fizik
Për t’u quajtur kalues në provimin e aftësive fizike, kandidatët duhet të marrin të paktën 60% të pikëve të testimit. Oficerët e policisë kryejnë disa funksione tepër unike gjatë detyrës, disa prej të cilave mund të kërkojnë përgatitje të lartë fizike. Shkalla e aftësisë fizike të policit për t’i kryer këto funksione përcakton ndikimin e vet te siguria personale dhe ajo publike. Përgatitja fizike qëndron në themel të aftësisë së policit për të kryer detyrat e zakonshme dhe ato kritike.
Në rast se polici është nën nivelet minimale fizike të parashikuara në këtë dokument, atëherë kompromentohet performanca e tij në kryerjen e detyrave policore. Nivelet e larta të përgatitjes fizike shoqërohen me performancë më të mirë në kryerjen e detyrave fizike që duhet të përmbushin punonjësit e policisë së shtetit shqiptar. Megjithëse nuk është publikuar zyrtarisht kalendari i testimit fizik, burime nga policia thanë se ai nuk ka ndryshime themelore në krahasim me testimin e vitit të kaluar.
Sigal