Viron Bezhani: 14 sportist olimpik nevojë urgjente për stërvitje, të ngrihet komision

517
Sigal

Në kushtet kur Covid-19 ka gjunjëzuar botën, duke ndërprerë shumë aktivitete ekonomike e sociale, sporti duket se po vuan pasojat më të rënda nga kjo situatë, pasi jo vetëm nuk qarkullon paraja, por sportistët nuk kanë mundësi të stërviten normalisht duke humbur ritmin e tyre përgatitor. Një situatë e tillë ndodh edhe me sportin shqiptar, i cili po pret ardhjen e ditëve më të mira për të rinisur veprimtaritë e tij. Olimpiada është shtyrë dhe sportistëve u shkoi përgatitja dëm, por ata sërish duhet të stërviten fuqishëm për të mbajtur nivelin e lartë të pretendimeve për vitin e ardhshëm. Kështu mendon edhe presidenti i KOKSH-it Viron Bezhani, i cili, në këtë intervistë të dhënë për një të përditshme ngre alarmin për 14 sportistë elitarë që kanë nevojë urgjente për stërvitje në kushte specifike dhe kërkojnë mbështetje. Bezhani kërkon bashkëpunimin e Ministrisë së Sportit, por edhe institucioneve të tjera, që të gjendet një formulë që disa sporte jo kolektive dhe që nuk përbëjnë rrezik se mund të preken nga koronavirusi, të mund të nisin aktivitetin e tyre përgatitor. Për këtë ai thotë se nevojitet një vëmendje qeveritare. Në këtë intervistë, nuk mungojnë idetë e tij për daljen e sportit nga kriza, duke marrë shembull organizimin e veprimtarive sportive në shkollat e Vankuverit në Kanada. Nga ana tjetër, Bezhani nuk e fsheh pesimizmin që sipas tij lidhet me neglizhencën ndaj sportit.

-Ju keni mbajtur një qëndrim në cilësinë e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, duke kërkuar që sporti të përfshihet në paketën e ndihmës nga qeveria. Po në këtë cilësi, duke qenë drejtues i KOKSH-it, gazeta interesohet të dijë mbi situatën e krijuar në sport?

Unë kam publikuar një artikull për këtë situatë, të cilën e shoh në gjendje të rëndë. Që në fillim dua të them se qeveria nuk ka të drejtë ta trajtojë sportin në këtë mënyrë. Sporti nuk duhet të jetë jashtë paketës së ndihmës që qeveria ka planifikuar për sektorët e tjerë shoqërorë. Në sport ka njerëz që me ato pak të ardhura mbajnë familjet e tyre me bukë. Për këtë arsye kam insistuar dhe insistoj që sporti të përfshihet në këtë paketë, sepse është e domosdoshme. Mua më marrin njerëzit në telefon, më thonë hapur “nuk kemi para, s’mbajmë dot familjet”. Është detyrë e jona ta kërkojmë këtë të drejtë, por është edhe në përgjegjësinë e qeverisë që ta zgjidhë këtë problem dhe ky problem zgjidhet duke dhënë pagën e luftës edhe për këtë kategori. Kjo është zgjidhja e vetme dhe është e domosdoshme për kushtet ku operon sporti ynë.

-Ju si KOKSH nuk keni gjë në dorë në lidhje me vendimmarrjen për nisjen e aktiviteteve, por natyrisht si institucion epror mund të jepni rekomandime. Është krijuar një situatë e nderë sepse sezoni sportiv ka mbetur i papërfunduar. Çdo të bëhet me aktivitetet?

Vështirësia është evidente dhe përfundimi i tyre duket i paqartë, sidomos në sportet kolektive. Por këtu duhet të bëjmë një dallim, pasi sporti nuk duhet ndërprerë për disa disiplina individuale që nuk paraqesin rrezik. Dhe nga këto sporte kemi shumë sportistë elitarë dhe peshëngritja është një prej tyre. Nuk mund të flas për sportet kolektive, por janë disa sporte që duhet të vijojnë përgatitjet sepse nuk paraqesin rrezik. Por unë këtu desha të shpreh një emergjencë, që lidhet me sportistët elitarë.

-Çfarë, konkretisht?

Ne kemi një listë me maksimumi 14 sportistë elitarë, që kanë nevojë urgjente që të mbështeten fianciarisht por edhe me infrastrukturë, në mënyrë që të ruajnë formë të lartë për Olimpiadën e vitit të ardhshëm. Kjo domosdoshmëri lidhet me objektivat e tyre të mëdha, pasi kemi sportistë që realisht pretendojnë për medalje olimpike dhe Briken Calja i shtangës është një i tillë. Unë i bëj thirrje KOKSH-it, pjesëtar i të cilit jam, por edhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, që t’u krijohen kushtet për një stërvitje të rregullt dhe brenda parametrave që kërkon objektivi i tyre madhor. Nuk është vetëm problem financiar, sepse nuk janë shumë sportistë, unë e thashë, maksimumi bëhen 14, por kjo kategori kërkon vëmendje. Çfarë pune prish që të nisë stërvitjen Calja i peshëngritjes, apo Smajlaj i kërcimit së gjati. Ata nuk kanë kontakte me njerëz, s’kanë si infektohen nga Covid-19. Çfarë kërkojmë ne? Kërkojmë një bashkëpunim me MARS-in, e që të ndodhë kjo duhet të ngremë një komision pikërisht për këta 14 sportistë. KOKSH e ka një fond 100 e ca mijë euro që do ta vendosë në dispozicion të sportistëve, për përgatitjen e tyre. Duam që tu krijohen kushtet dhe kushtet fillojnë nga trajtimi ushqimor, baza materiale, infrastrukturore dhe stërvitja në ambiente të përshtatshme. Këta 14 sportistë nuk përbëjnë rrezik për t’u infektuar. Rreziku është tek sportet kolektive, por këta të 14 janë në sportet individuale. Një shembull i afërt është Kosova, që u ka krijuar kushte më të mira se ne. E thënë ndryshe, për këtë kategori sportistësh, ku kemi shpresat për Olimpiadë, duhet bërë me patjetër diçka.

-Meqë Olimpiada e Tokios u shty për vitin tjetër, si do të veprohet me sportistët që ishin përgatitur për këtë aktivitet? Këtu e kam fjalën për paketën financiare të tyre?

Ne si KOKSH do ta vazhdojmë mbështetjen tonë, aq sa i kemi mundësitë. Për këtë do të vazhdojnë bursat olimpike dhe do t’u jepet siguri. Por siç thashë, pa mbështetje qeveritare nga dikasteri përkatës (MARS) nuk arrihet asgjë.

-Të flasim pak për zgjedhjet në KOKH. Ishte caktuar të zhvilloheshin zgjedhjet menjëherë pas përfundimit të Olimpiadës, por Tokio-200 u shty për vitin tjetër. Si do të jetë fati i zgjedhjeve?

Zgjedhjet do të bëhen pas Olimpiadës, domethënë vitin tjetër. Kjo është edhe në përputhje me afatet kohore, pasi vitin tjetër mbaron mandati im i presidentit dhe do të duhen të bëhen zgjedhje të zakonshme për president. Për momentin gjërat vijojnë të shkojnë normalisht, por në varësi të hapave të drejtësisë. Çështja, siç e dini, është në duart e Prokurorisë dhe s’mund të themi më shumë.

-Pse ju insistoni tek kryeministri Rama të fusë sportin në paketën e ndihmës?

Sepse është e drejtë e sportit, i takon. Këtu nuk është fjala për aktivitete që luhen për qejf, por për njerëz që marrin një rrogë dhe mbajnë familjet me të. Së pari, nëse shumë sektorë u futën në paketën e pagës së luftës, pse sporti nuk e përfiton? Ju ndoshta nuk e dini, por sporti është ekonomia e katërt e një vendi dhe sportit i takon një fond më vete, por këta as nuk e llogarisin fare. Është e turpshme që nuk jepet asgjë për sportin në këtë situatë. Nuk ka arsye të bëhen dallime, apo diferencime dhe sporti nuk mund të trajtohet si i fundit në listë. Së dyti, sportisti nuk përbën rrezik të stërvitet, duhen gjetur zgjidhje për situatën e krijuar, në mënyrë urgjente. Së treti, sportistët e nivelit të lartë kanë nevojë urgjente për mbështetje, pasi kërkohet të ruhet forma sportive brenda objektivave të pretendimeve të tyre. Nëse duam sukses për pjesëmarrje në Olimpiadë dhe një medalje olimpike që prej shumë e shumë vitesh e kërkojmë, atëherë duhet mbështetur kjo kategori sportistësh. Para se të arrinte përmasat e mëdha pandemia, ne kishim në Londër dy boksierë, që u paraqitën shumë mirë dhe mua më kanë ardhur informacione dhe vlerësime për potencialin e tyre, që është shumë i madh. Por këta boksierë kërkojnë mbështetje patjetër dhe është gjynah që nuk po u kushtojnë sa duhet vëmendje. Njëri prej tyre (Zeneli) ishte vend i parë në Mesdhe, ka pretendime të mëdha dhe unë kam besim se do të kualifikohen. Epo që të ndodhë kjo ata meritojnë vëmendje. Dua t’i kujtoj kryeministrit se sporti nuk bëhet vetëm për qejf, shumica e njerëzve mbajnë familjet nëpërmjet sportit. Prandaj insistoj për një tavolinë të rrumbullakët për sportin dhe ju siguroj se nuk duhet ndonjë investim kolosal, duhet një investim modest.

-Më lejoni t’ju parashtroj diçka, jo për të mbrojtur kryeministrin por për të kuptuar se kreu i qeverisë ka të drejtë. Në futbollin elitar ka lojtarë që marrin mijëra euro në muaj, e figurojnë zyrtarisht me rrogë qesharake. Kuptohet, është ndër ata fenomene që njihen në Shqipëri…

Futbolli në Shqipëri ka operuar disi i distancuar dhe i vetëorganizuar. Nuk dua të ngatërrohem me këtë çështje, ndoshta ka dhe abuzime, por unë insistoj që sporti në Shqipëri nuk është vetëm futbolli. Politika e shumë bashkive në lidhje me këtë çështje mund të ketë paradokse, kjo duhet parë, por nuk mund të penalizohet sporti për një apo dy raste abuzimi. Nëse futbollin kryeministri e sheh si sport me fitime, unë e siguroj që sportet e tjera janë në hall të madh. Me qindra vetë figurojnë punonjës bashkie me 250 mijë lekë të vjetra në muaj, mbajnë familjet me këto para, dhe ende nuk u është lëvruar paga. Kjo është e papranueshme. Jetojmë në kushte karantine dhe kjo pagesë është burim jetese për ata dhe familjet e tyre. Kjo çështje duhet parë nga kryeministri me sy kritik, por edhe dashamirës. Sepse nuk dua të shkoj më tej, të kujtoj që sporti po kalon një moment të vështirë, ku qasja ndaj tij është abuzive dhe në mungesën totale të vëmendjes nga instancat shtetërore. Për këtë jam pesimist, shumë pesimist, nuk shoh shenja apo lëvizje në drejtimin e duhur. Mos harroni, shkolla është vendi ku zbulohen talentet dhe dalin sportistët e ardhshëm. Unë kisha parë dhe konstatuar një model efikas në Vankuver të Kanadasë dhe kam propozuar një projekt të tillë me mësuesit e shkollave të Tiranës. Ky projekt planifikonte që 55 mësues të përfitonin një shumë simbolike 100 ose 150 mijë lekë të vjetra si orë shtesë për mësuesit që organizonin veprimtari kulturore e sportive, sepse kështu do të kishim edhe masivitet, edhe cilësi. Por projekti nuk merr mbështetjen nga organet përkatëse. Askush nuk po e kupton që sporti nuk është thjesht një garë apo aktivitet fizik, por edhe një mënyrë për të larguar të rinjtë nga droga dhe veset e këqija, për t’u dhënë të rinjve dhe të rejave një shans, të ndërtojnë karrierë sportive dhe mbi të gjitha, të kenë një trup të shëndetshëm. Kjo do të thotë ndryshe më pak njerëz në spitale dhe përmirësime në shumë fusha të tjera. Nuk e di kur do ta kuptojnë qeveritarët rëndësinë e sportit në jetën shoqërore të një vendi. Pastaj kot shajmë diktaturën, pasi në diktaturë sporti kishte vëmendje. As sa diktatura s’po bëjmë dot dhe kjo është për të ardhur keq.