Vetizolohen punonjësit e Kadastrës, e prekur një punonjëse

381
Sigal

Korçë, shkon në 9 numri i të prekurve me koronavirus

Nga Vepror Hasani

Vetëm 3 ditë më pas nga lajmi i parë që bëri të ditur se 3 persona, banorë të qytetit të Korçës, dy të moshuar (bashkëshortë), njëri 75 vjeç dhe tjetri 76 vjeç, dhe një i ri 31-vjeçar ishin prekur nga virusi corona, të cilët aktualisht gjenden në spitalin infektiv të Tiranës, nuk mungoi pasimi i një lajmi tjetër, po kaq i trishtuar që konfirmoi se qyteti i Korçës është prekur edhe nga 6 persona të tjerë. Dyshohet se edhe të prekurit e fundit nga virusi në fjalë, mund të kenë patur kontakt me 3 personat e mëparshëm. Familjarët e 3 të prekurve nga covid-19, u vetizoluanë në banesë që nga dita e parë kur të afërmit e tyre dolën pozitiv, por tashmë rezulton se në familjen e dy të moshuarve janë prekur edhe 3 persona të tjerë: djali, nusja dhe nipi i tyre. E prekur nga virusi rezulton edhe një punonjëse e Kadastrës në Korçë, familjarët e së cilës tashmë ndodhen të vetëkarantinuar. Ndërkohë u vetëkarantinuan edhe gjithë punonjësit e Kadastrës, mbetet të shihet nëse ka të tjerë të prekur në këtë institucion.

Rasti i 31-vjeçarit

Problematik mbetet rasti i 31-vjeçarit i cili ishte menaxher i një lokali të njohur në qytetin e Korçës, për të cilin mendohet se mund të ketë patur kontakte me shumë njerëz. Përveç kësaj, 31-vjeçari fillimisht kishte rezultuar negativ, shërbimin mjekësor e merrte nga një infermier. Mësohet gjithashtu se pas analizave të kryera, infermieri rezultoi negativ.  Ndërkaq, nga shërbimet shëndetësore po punohet për gjurmimin dhe evidentimin e personave të tjerë, të cilët mund të kenë patur kontakt me menaxherin e lokalit ose me dy të moshuarit; për këta të fundit mendohet që  rrethi shoqëror i tyre të ketë qenë i kufizuar. Në raste të tilla janë vetë njerëzit, (miq, shokë dhe të njohur) që janë në dijeni për kontaktet që kanë patur ose jo me të prekurin nga virusi duhët të kërkojnë ndihmën e shërbimit shëndetësor. Konkretisht, nga institucionet përgjegjëse vijon hetimi epidemiologjik, sipas protokollit të përcaktuar për këto raste. Lajmet e prekjes nga coronavirusi për qytetin e Korçës qëlluan të njëpasnjëshme për tri ditë me radhë, ku një ditë më parë u dyshua për dy persona, por që së fundi rezultoi me 6 të tjerë; gjithsej  9 persona.

As Korça nuk mund t’i shpëtonte virusit

Nuk pritej që në Korça të kishte kaq shpejt një numër të tillë të prekurish nga virusi corona, dhe pavarësisht nga përkushtimi i treguar nga Prefektura dhe bashkitë përkatëse, ky mendim rezultoi i pabazuar, pasi Korça është një qytet me emigrantë të shumtë në Greqi dhe Itali, dhe me hyrje-dalje të shumta nga dy shtetet përkatëse. Veç kësaj, Korça mbetet e frekuentuar përgjatë gjithë vitit nga vizitorë të huaj, gjë që e bënte të pamundur veçimin e saj nga virusi i padukshëm. Gjithashtu,  Kapshtica mbetet një nga vendkalimet kufitare me fluks të madh njerëzisht, mallrash dhe mjetesh. Sidoqoftë, reflektimi i banorëve të qytetit të Korçës ishte i menjëhershëm; edhe dita e martë përcolli një panormë tjetër, ku njerëzit respektuan jo vetëm oraret e përcaktura, por edhe mbajtjen e radhës dhe të distancës nga njeri-tjetrit, pa gjeneruar konfuzion. Njerëz të shumtë u panë te furrat e bukës, te dyqanet ushqimore, te farmacitë dhe njësitë e tjera të shërbimit, por gjithçka u krye sipas rregullave të përcaktuara. Mbi të gjitha nuk pati tentativa për të shëtitur apo për të qëndruar në lulishte. Ndërkohë Bashkia e Korçës ka marrë të gjitha masat për dezinfektimin e qytetit. Mbetet të shpresohet që Korça të mos ketë më raste të tilla.