Veteranëve në Berat: Fitorja e së Majtës, shpresë e re për ne!

528
Sigal

Flasin për “Telegraf”, Kryetari i Organizatës së Veteranëve, Orhan Frashëri dhe anëtarët Anastas Arbëri dhe Halim Tusha

“Fitorja e thellë e së Majtës së bashkuar në shkallë vendi ka ringjallur shpresat e humbura prej 20 vitesh, kohë në të cilën shqiptarët nuk janë lejuar të marrin frymë lirshëm”, kështu janë shprehur një grup veteranësh në qytetin e Beratit, pas fitores së thellë të së Majtës shqiptare, fitore, e cila i ka mbushur me shpresa të mëdha. Të mbledhur në grupe, në ish-Shtëpinë e Ushtarakëve, në orët e para të mëngjesit, veteranët ishin duke biseduar me entuziazëm të madh dhe me shpresë, e cila prej 20 vjetësh iu kishte humbur. Kryetari i Organizatës së Veteranëve, Orhan Frashëri, u shpreh për gazetën “Telegraf”, se: “Jemi shumë të gëzuar, që më në fund, shqiptarët, por dhe ne veteranët e luftës e të punës, do të marrim frymë lirshëm”. Më tej Frashëri, u shpreh se, tashmë Shqipëria do të përfitojë dinjitetin e saj, që i kishte humbur nga një grusht njerëzish, të cilët nuk lejonin që edhe ajri të shkonte tek ta. “Ata mendonin se kishin privatizuar edhe ajrin, por u gabuan, se populli shqiptar nuk të fal. Ai të jep reston, në atë kohë që t’i nuk e pret. Fitorja e së majtës është një verdikt i popullit shqiptar, i cili kërkonte ndryshim. Ne nuk na bindte dot Berisha, që mbeti me gërshërë në xhep, duke inauguruar rrugët nga dy-tre herë, duke gënjyer popullin shqiptar. Fitorja e së majtës është një fitore për të ardhmen tonë, edhe për ne veteranët që moralisht, Sali Berisha na kishte goditur shumë, pasi luftën tonë ai e kishte quajtur ‘luftë guerilësh’, na mohoi datën historike të çlirimit. Ne e dimë mirë, se kur është çliruar Shqipëria, se kemi qenë prezent duke luftuar kundra Nazifashistëve. Dhe këtë fakt nuk na e mohon dot Berisha”,- tha Frashëri. Ndërsa veterani tjetër, Halim Tusha, u shpreh se: “Tashmë Partia Socialiste dhe ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim, i thanë Berishës se i erdhi koha të pleqërojë me nipërit dhe mbesat. Ti, Sali, nuk bërë asgjë për këtë vend, por ti prodhove vetëm krimin, korrupsionin dhe shkatërrove ndjenjat e shqiptarëve, të cilët me votën e tyre të thanë: Largohu një herë e përgjithmonë!”. “Ne kemi shpresa të mëdha tek Qeveria e re që do të krijohet nga koalicioni i majtë me kryeministër Edi Ramën”, u shpreh veterani tjetër, Anastas Arbëri. “Do të jetë kjo qeveri që do të hapë vende pune të reja, do të frenojë krimin e organizuar, do të ndërtojë infrastrukturën dhe do të zbusë varfërinë. Edhe ne kemi kërkesat tona për ata ç’ka na takojnë, por Sali Berishës nuk i shkonte mendja fare, që në Shqipëri është një shtresë e nderuar që quhen veteranë”, tha Arbëri.