Vermiku nderon bijtë e tij

942
Sigal

Seri Tushi

Me pjesëmarrjen e shumë vermikasve, të ftuar veteranë e kryetarë shoqatash, miq e dashamirës Vermikas u përkujtuan duke u nderuar me Diploma: “Mirënjohje e Qarkut” bijtë vermikas që kane lënë gjurmë me punën dhe veprimtarinë e tyre në Vermik, Kurvelesh, Lumin e Vlorës e gjithë vendin. Ata ishin; Ago Hamza Bleta, Elmaz Nexhip Kondi, Besho Zagoll Mezuri dhe Xhemo Isuf Tushi. Në këtë aktivitet të shoqatës Atdhetare – kulturore “Vermiku” na nderoi me pjesëmarrjen e tyre përfaqësuesit e qarkut, kryetari i shoqatës “Labëria” “Nderi i Kombit” Zoti Ago Nezha dhe nënkryetari i kësaj shoqate, Agim Çiraku dhe shumë figura e veteranë si: Luan Muhameti, Mato Kollozi e të tjerë. Pas hapjes dhe përshëndetjes nga Kryetari i shoqatës A. K Vermiku Zotit Adhurim Tushi, diskutuan për jetën dhe veprimtarinë e Ago Hamza Bletës dhe Elmaz Nexhip Kondit poeti Felek Bleta, ndërsa për jetën dhe veprimtarinë e Basho Mezurit dhe Xhemo Tushit diskutoi intelektuali Dushan Xhuveli. Përfaqësuesit e Qarkut shpërndanë diplomat “Mirënjohje e Qarkut” familjarëve të personave më lart.

Ja disa falënderime të familjareve. Djali i Ago Bletës kur mori diplomën e babait tha: Ndërmjet fjalëve falënderuese për qarkun dhe pjesëmarrësit: Tani më duket sikur babanë e kam gjallë, ndërsa djemtë, vajza, nipër e mbesa të Elmaz Kondit thanë: Ky aktivitet dhe këto thënie për babanë tonë na mbushin me krenari dhe na obligojnë për të ecur në gjurmët e babait e gjyshit tonë. Ndërsa nusja e djalit të Basho Mezurit ndërmjet të tjerave tha: Unë si nusja e djalit krenohem me vjehrrin që kam pasur, por më krenarë janë fëmijët e mi që kanë pasur një gjysh të përsosur.

Kurse e shoqja e Xhemo Tushit, Afërdita Tushi kur mori diplomën e shtrëngoi fort dhe u shpreh: “Tani më duket sikur burri im Xhemi Tushi është pranë meje!” Pas një koktej të larmishëm dhe të shumëllojshëm pjesëmarrësit u larguan me përshtypjen: Kemi kaluar disa orë të këndshme, përfituese nga kjo përvojë, mësuam shumë gjëra për Vermikun dhe Vermikasit.