Vepror Hasani: Korça mes dhimbjes dhe lotëve për plagët e njerëzve

961
Sigal

Korça mes dhimbjes dhe lotëve, ndihma për Durrësin dhe Thumanën

Faleminderit medias për raportimin minutë pas minute

Nga Vepror Hasani

Që nga mëngjesi i 26 nëntorit e në vajim rajoni i Korçës (Korça, Devolli, Pogradeci, Kolonja, Leskoviku, Pusteci dhe Maliqi), kanë mbetur me vëmendjen nga Durrësi, Thumana, Lezha dhe Kurbini, për të mësuar gjithçka ndodh. Presin të dëgjojnë nxjerrjen e viktimës së fundit nga rrënojat. Të gjithë janë me sytë nga media, është e vetmja që raporton minutë pas minute. Korrespondentëve u dridhet zëri, ka lot te sytë e tyre, gëzim për çdo njeri të shpëtuar, falënderim për forcat e kërkim-shpëtimit, për qentë që gjurmonin njerëzit e mbetur nën rrënoja. Nuk është e lehtë të raportosh dhimbjen. Si mund ta rrëfenin vdekjen e Amelia Lalës, vetëm 8 vjeçe; të Diena Karanxhës (Meçja) 30 vjeçe dhe Esiela Karanxhës 8 vjeçe, (nënë e bijë), që ikën bashkë nga kjo jetë. Ajo nënë nuk pati fat të rriste bijën e vet. Ç mund të thoshin për dy vëllezërit kosovarë Isa Abazi 32 vjeç dhe Shemsedin Abazi 36 vjeç, që kishin ardhur në Shqipëri dhe kishin zënë vend te hotel “Tropikal”. Si ta raportonin vdekjen e studentes së mjekësisë Kristi Reçi, të babait të saj, Eduart Reçi, të nënës së saj Dolora Reçi dhe të vëllait të saj Klaus Reçi, por nuk kishin si të bënin ndryshe; detyra e tyre është të raportojnë, ndaj edhe në luftë nuk vriten vetëm ushtarë, por edhe gazetarë, madje ata vdesin duke raportuar. Pa mediat, raportimi do të ishte i cunguar me gjysmë të vërteta, dhe asnjëherë i plotë

Mediat

Ishin mediat që përcollën të çdo zemër shqiptari, brenda dhe jashtë atdheut, dhimbjen e madhe, fatkeqësinë e shumë banorëve që humbën njerëzit e familjes, të afërmit dhe banesat që kishin sakrifikuar një jetë të tërë për t’i ngritur në këmbë. Ishin mediat ato që përcollën te çdo njeri domosdoshmërinë për të ndihmuar me ç’të mundnin: veshje, ushqime, të holla etj. Për shkak të këtij sensibilizimi u bë i mundur funksionimi i llogarive të hapura nga Ministria e Financës dhe Thesari në bankat e nivelit të dytë. Pas fatkeqësive të përcjella drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes, askush nuk mund të rrinte pa dhuruar diçka, sado e vogël që të ishte, kur dikujt mund t’i shërbente. Kush nuk tha për gazetarët “faleminderit”, kur i pa të rrezikonin në shtëpi gjysmë të shembura, poshtë shkallëve të këputura, nën çati gjysmë të rrëzuara dhe pranë mureve të çara, kur mundësia për lëkundje të tjera tërmeti ishin të mundshme dhe të paralajmëruara nga ekspertët. Por është detyrë e gazetarit të jetë atje ku ndodh gjithçka, të jetë syri dhe veshi i qytetarëve. A mund të rrinin pa shkuar në spitale për të parë nga afër njerëzit e dëmtuar? Kurrsesi jo!. Pa median asgjë nuk do të ishte e besueshme, gjithçka do te merrej me dyshim. Si mund të rrinin pa vëzhguar shpërndarjen e ndihmave, dhe akomodimin e tyre. A ishte instaluar në çadra shërbimi mjekësor. Si mund të rrinin pa e treguar fatkeqësinë e tmerrshme të familjes Lala, kur 5 anëtarë të familjes Ilir Lala-(i paralizuar), binjakët Dionis dhe Dionisa Lala-2 vjeç, Emilio Lala dhe Marjeta Lala, gjendeshin nën rrënoja, ndërsa u shpëtua vetëm Ramë Lala, 17 vjeç. Dhe kjo katastrofë nuk është gjë tjetër, veçse pjesë e bëmave të qeverive që kanë ardhur dhe kanë ikur, duke lejuar të ndërtohen vend e pa vend, madje edhe në kënetë.

 

Korça: Faleminderit mediave!

Faleminderit mediave, – ishte fjala e parë e banorëve të Korçës, – sepse ishin ato që na treguan profesionalisht gjithçka. Dhimbja që ndjemë këto ditë ka qenë e paprovuar më parë. Bëhet fjalë për 42 të vdekur dhe 658 të plagosur. Fatkeqësia e banorëve të Durrësit dhe Thumanës nuk mund të përshkruhen dot. Ndaj iu përgjigjëm që në çastin e parë të gjitha thirrjeve për të ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti. Mbledhja e ndihmave nisi që nga e marta, dt. 26, dhe i dërguam po atë ditë. Iu përgjigjëm thirrjes së bashkisë Korçë, e cila mblodhi grupin e “Dialogut Social”, ku bëjnë pjesë punonjës të Bashkisë, institucione të ndryshme dhe organizata që operojnë në rajonin e Korçës; po kështu, iu përgjigjëm thirrjes së Kryqit të Kuq, dega Korçë, nismave të qytetarëve dhe të studentëve, nismës së grupimit ultras, “Ujqërit e dëborës”, përfaqësuar nga Armand Buda. Gjithashtu u mësua se nisma të tilla ishin ndërmarrë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe gjetkë, përfshi këtu edhe emigrantët kudo që ndodhen dhe grupimin e ballistëve, shembulli i të cilëve ishte frymëzues. Puna për mbledhjen e ndihmave material dhe monetare vijon.

Qendërzohet mbledhja e ndihmave

Gjithashtu, nga Bashkia Korçë dhe qytetarët mësuam se pas përvojës së ditës së parë dhe të dytë, tashmë mbledhja e ndihmave është më e strukturuar, pasi është qendërzuar me qëllim që gjithçka e grumbulluar të niset në kohë. Pranë Bashkisë do të vijojë të jetë i mbledhur grupi dialogut social. Prefektura e Durrësit do të jetë pika e grumbullimit në mënyrë që shpërndarja të jetë sa më efikase në momentin e duhur. E njëjta gjë po ndodh edhe me Bashkinë e Devollit dhe me iniciativat e nxënësve, studenteve dhe qytetarëve në gjithë rajonin. Tashmë u mbetet sërish mediave të ndjekin hap pas hapi gjithçka që do të bëhet për familjet e dëmtuara deri në strehimin e tyre. Fal lajmeve që vijnë nga mediat, mësohet se iniciativat në ndihmë të familjeve që kanë mbetur të pastreha janë të shumta. Tashmë medias i duhet të qëndrojë sërish në krye të detyrës për të informuar. Ashtu siç dha lajme tronditëse për humbje jetë njerëzish, siç ishte edhe rasti i familjes Cara, (dhe që duhej t’i raportonte), ku humbën jetën Hasan Albert Cara, Almir Albert Cara, Erisa Albert Cara 25-vjeçe (motër e vëllezër), Fatmira Cara (nëna e tyre), Stela Cara (e fejuara e Almir Carës), Anthi Cara, nusja e xhaxhait të Albert Carës (i mbijetuar), Sadajana Cara – mbesa e Anthit (Shpëtoi nëna e Sadajanës, Lindita Cara) dhe historinë e shumë personave të tjerë, po me kaq përkushtim do t’i duhet të na informojë deri në strehimin përfundimtar të tyre.
Edhe njëherë: Faleminderit media shqiptare!