Veprimtaria shtet-formuese e Luigj Gurakuqit dhe vrasja e tij, më 2 Mars 1925

1256
Prof. Dr. Lush SUSAJ
Luigj Gurakuqi është shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe kontributit në dobi të unitetit, të zhvillimit dhe të përparimit kombëtar e shoqëror të shqiptarëve. Ai ka lindur në Shkurt të vitit 1879 në qytetin e Shkodrës nga prindërit Pjetër dhe Leze Gurakuqi. Mësimet e para i ka marrë në Kolegjin Saverian të Shkodrës, për t’i vazhduar më pas në kolegjin arbëresh “Shën Adriano” të Shën Dhimitër Koronës dhe në Napoli të Italisë ku pati fatin e madh që të mësojë dhe të edukohet nga Jeronim De Rada që është njëri nga themeluesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe ndriçuesi më i mirë i projektit dhe rrugës evropianiste të zhvillimit shtetëror e shoqëror të shqiptarëve. Luigj Gurakuqi, përveç gjuhës shqipe, shkruante dhe fliste shumë mirë edhe 6 gjuhë të huaja, si latinishten, italishten, turqishten, frëngjishten, greqishten e gjermanishten. Aftësitë dhe puna e madhe e Luigj Gurakuqit në dobi të Shqipërisë bien në sy në disa prej zhvillimeve më kulmore të historisë sonë kombëtare si në Kongresin e Manastirit, më pas në rrugën e përgatitjes dhe të shpalljes së pavarësisë përkrah Ismail Qemal Vlorës me 28 Nëntor 1912, në Kongresin e Lushnjes, më 1920, në Konferencën e Paqes në Paris, në veprimtarinë parlamentare dhe shtetërore të viteve 1920-1924, në Lëvizjen Demokratike të Qershorit 1924, e deri në vrasjen e tij në 2 Mars 1925, në Bari të Italisë.

• Kontributi në lëvizjen kombëtare shqiptare dhe në Kongresin e Manastirit
Veprimtaria politike e Luigj Gurakuqit, duket që në verën e vitit 1907, kohë kur ka filluar bashkëpunimi i hapur i tij me Bajo Topullin dhe me prijësit e malësive të Veriut të Shqipërisë për organizimin e kryengritjeve në mbrojtje të popullsisë dhe trojeve shqiptare në veri të Shqipërisë. Kjo lëvizje kombëtare u kurorëzua me ngritjen e flamurit kombëtar në Traboin. Kjo ka ndodhur me 6 Prill 1911, kohë kur flamuri ynë kombëtar u valëvit i lirë në tokën e tij, njëlloj siç ishte valëvitur për herë të fundit në Kalanë e Shkodrës në vitin 1479. Data 6 Prill 1911, është një ditë e paharruar historike në të cilën flamurtari legjendar Dedë Gjon Luli, 71 vjeç, bashkë me burrat e shquar të familjes Gurakuqi dhe të familjeve të tjera të Hotit, të Shkodrës, të Malësisë së Madhe, të Pultit, të Pukës, të Mirditës e të Malësisë së Gjakovës, ngritën flamurin e lirisë. 

Përpjekjet e Luigj Gurakuqit dhe patriotëve të tjerë për ta shtrirë lëvizjen në krahinat e Jugut të vendit, pothuajse dështuan sepse ushtria osmane mobilizoi forcat që kishte të dislokuara në Vlorë, Berat, Kavajë e Durrës për të ndaluar lëvizjen e patriotëve dhe vullnetarëve të Labërisë për në Traboin. Megjithatë, kryengritja pati jehonë të madhe dhe i kontribuoi ngjarjeve të mëdha të vitit 1912. Patriotet dhe elita e krahinave të Jugut, nuk qëndruan indiferentë e as duarlidhur. Në kuvendet e vitit 1911 të mbledhura në Drashovicë, në Kolonjë, në Janinë, në Gjirokastër, në Delvinë, etj, ata i drejtoheshin popullit me fjalët: “Vëllezërit tanë, gegët, po na ftojnë ne të bijtë e Pirros, që t’u vijmë në ndihmë, e prandaj çdo shqiptar e ka detyrë të marrë hutën në krah e të bashkohet me kryengritësit e të mos lëmë të na turpërohet “Baba Tomori” i shenjtëruar që po buçet. Duam, pra, lirinë dhe vetëqeverisjen e Shqipërisë, duam të drejtat tona dhe do t’i kërkojmë gjersa të shuhemi të gjithë”. Krahas kontributit për unitetin kombëtar dhe qëndresën antiosmane, Luigj Gurakuqi ka spikatur edhe si njëri nga figurat kryesore të lëvizjes për alfabetin dhe shkollën kombëtare. Falë dashurisë, trashëgimisë kulturore, vizionit europerëndimor dhe aftësive intelektuale, Luigj Gurakuqi ka marrë pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), përkrah Gjergj Fishtës, Mit’hat Frashërit, Ndre Mjedës, Bajo Topullit, Simon Shuteriqit etj, ku dhe është zgjedhur nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit.

Kontributi në përgatitjen dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë 
Luigj Gurakuqi ka qëndruar përkrah Ismail Vlorës gjatë gjithë procesit të përgatitjes, të shpalljes dhe të njoftimit të pavarësisë për mediat, për diplomacinë dhe për qeveritë kryesore të kohës. Ai ka marrë pjesë në mbledhjen e Bukureshtit, ka qenë i pranishëm edhe në takimin e Vjenës me ministrin e Jashtëm Austro-Hungarez, Bercthold. Ndërsa në kuvendin Kombëtar të Vlorës, Luigj Gurakuqi është zgjedhur sekretar i parë i Kuvendit të Vlorës dhe me dorën e tij ka shkruar dhe më pas e ka nënshkruar vendimin historik përmes të cilit shpallej se: “Shqipënia më sot do të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. Teksti i shpalljes së pavarësisë është shkruar nga Luigj Gurakuqi për faktin se, në atë kohë, ai dhe Shefqet Daiu ishin njohësit dhe shkruesit më të mirë të shkronjave të gjuhës shqipe. Madje për shkak të volumit të madh të punës me shkresat dhe me protokollet e asaj periudhe shumë të ngarkuar, në mbledhjen e tretë të kuvendit të Vlorës, përveç Shefqet Daiut, Gurakuqi ka kërkuar shtimin e personelit edhe me dy njerëz të tjerë që dinin të shkruanin mirë gjuhën shqipe e që ishin Mustafa Kruja dhe Dhimitër Berati.

Kontributi si ministër i parë i arsimit dhe si delegat në Konferencën e Londrës 
Në votimin e parë të kuvendit për ministrat, Luigj Gurakuqi është propozuar për ministër arsimi dhe është zgjedhur duke marrë 54 vota nga 58 që morën pjesë në votim. Luigj Gurakuqi ka hedhur themelet e para të arsimit kombëtar në Shqipëri. Ai ka ideuar dhe realizuar programet e para shkollore që karakterizohen nga fryma, nga përmbajtja dhe nga funksioni në shërbim të konsolidimit të shtetit, të shoqërisë dhe idealeve tona kombëtare. Kudo në bisedat dhe në shkrimet e tij, Luigj Gurakuqi përsëriste shprehjen e njohur të tij sipas të cilës: “ne nuk jemi as grekë, as serbë dhe as italianë, flasim shqip dhe jemi vetëm shqiptarë”. Ndërsa në takimet me klerikë, me personalitete dhe me praktikantë të besimeve të ndryshme, në lidhje me lirinë fetare ai mendonte se duhet të zgjidhet sipas formulës: “feja e lirë në shtet të lirë”.Që në ditët e para të fillimet e punës si ministër i arsimit mori kontakt me mësuesit patriot dhe filloj punën me hapjen e shkollave të para shqipe në Dukat, në Kaninë, në Kullas, në Smokthinë, në Tragjas, në Drashovicë, etj, e në të gjithë Shqipërinë. Si ministër arsimi, me 6 shtator 1913, Luigj Gurakuqi u bëri thirrje të gjithë atyre që dinin shkrim dhe këndim, që të afroheshin dhe të ndihmonin në ngritjen e shkollave dhe të arsimit kombëtar në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ndërsa më 13 shtator ka lëshuar urdhëresën e parë, përmes të cilës porosiste për hapjen e shkollave fillore (4 vjeçare) shtetërore në të gjithë vendin. Ndërsa gjatë periudhës Prill-Qershor 1913, Luigj Gurakuqi ka qëndruar në Londër së bashku me Ismail Qemalin, në mbrojtje të çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës. E gjithë veprimtaria e tij ka qenë në shërbim të europianizimit të politikës, të shtetit dhe të mendësisë dhe të sjelljeve shoqërore të shqiptarëve. Në vitin 1914, Luigj Gurakuqi së bashku me patriot të tjerë shqiptarë, ka qenë në mbrojtje të qeverisë së Widit, ku dhe është kapur rob nga rebelet në Rrashbuell dhe më pas është liruar. Në vitet 1915-1916, Luigj Gurakuqi ka qëndruar si i internuar në Cetinë të Malit të Zi, së bashku me patriot të tjerë që patën mbrojtur shtetin shqiptarë dhe qeverinë e Widit. Ndërsa në vitet 1915-1918, përmes kontakteve me shqiptarët në Malin e Zi dhe krahinat e thella të Veriut hapi shkollat shqipe në këto vende, përfshirë këtu edhe shkollën e parë shqipe për rrethin e Tropojës, e cila është hapur në vitin 1917 në fshatin Gjonpepaj të Nikaj-Mërturit.
Vijon nesër…
Sigal