Vendosën çadra dhe shezlongë pa leje në Durrës, procedim penal 3 personave

305
Sigal

Vijon operacioni kundër zaptimit të pronës publike. Policia e Durrësit ushtron kontrolle të shtuara në zonën bregdetare dhe gjatë ditës së djeshme ka proceudar penalisht 3 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës dhe në Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të kontrolleve për lirimin e plazheve nga shezlongët e vendosur pa leje, konstatuan 3 subjekte që kishin zaptuar hapësirën publike (plazh), duke vendosur çadra dhe shezlongë pa lejen e autoriteteve përkatëse.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit:

B. M., 29 vjeç dhe A. Sh., 26 vjeç, banues në fshatin Sektor Rinia, Durrës, pasi shërbimet e Policisë konstatuan se në vendin e quajtur “Bregu i detit Adriatik”, në fshatin Sektor Rinia, kishin vendosur çadra dhe shezlongë pa lejen e autoriteteve përkatëse. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi Y. K., 53 vjeç, banues në Durrës, pasi përpara lokalit në pronësi të tij, në lagjen nr. 13, Plazh, kishte vendosur çadra dhe shezlongë pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.