Vendimi për Prengën jepet të enjten, arma e krimit nuk është gjetur ende

510
TIRANË – “Me pistoletë qëllova për të trembur Gjokë Çalin, i cili më preu rrugën me makinë duke më kërcënuar me thikë”. Me këtë argument të lexuar në Gjykatën e Lartë nga avokati Baftjar Rusi, deputeti Armando Prenga, i cili sot nuk ishte në sallë kërkoi rikthimin në liri dy muaj pasi arrestimit të tij më 5 shtator.
Ndërsa dy prokurorët Altin Binaj dhe Arben Kraja depozituan në gjykatë akt-ekspertimin e gëzhojës se gjetur në vendngjarje, e cila rezulton e qitur nga një pistoletë e llojit TT e ndryshme kjo nga arma me leje që mbante Prenga.
Kjo pistoletë thanë prokurorët nuk është gjetur deri në këtë moment, por duke e konsideruar ekspertizën si provë të re ata kërkuan mbajtjen e Prengës në burg për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet armëmbajtia pa leje.
Trupa gjyqësore e drejtuar nga gjykatësja Mirela Fana pas dëgjimit të pretendimeve të Prengës se ai është kërcënuar dhe ka përdorur armën për vetëmbrojtie, vendosi që të shprehet të enjten nëse do të lirojë apo jo deputetin.
Armando Prenga mbahet në burg me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe kërcënimit serioz për jetën, pasi mbrëmjen e 4 shtatorit ai u përfshi në një konflikt me familjen Cali. Shkak i këtij konflikti rezultoi pronësia mbi lagunën e patokut në të cilën familja Cali ushtron aktivitetin e peshkimit, pronësi të së cilës e pretendonte dhe familja Prenga.
Sigal