Vendimet që grabitën 200 mijë metra katrorë tokë

617
Sigal

Përfitohen 200 mijë metra katrore tokë në zonat bregdetare dhe trojet e aeroportit “Nënë Tereza”

Vetëm 2 vjet pas mbylljes së skandalit me rreth 120 vendime të paligjshme dhe dhjetëra të tjera që flasin për grabitjet e trojeve, në Durrës zbulohet një tjetër skandal me trojet bregdetare. Zbulimi ka ardhur nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit, e cila ka detajuar vjedhjen dhe abuzimin me vendimet e komisioneve zonale të bashkive dhe komunave, duke pajisur me tituj pronësie persona që nuk u takon asgjë. Një burim nga DBU i tha “Telegraf” se: “pas denoncimeve të ardhura nga komuna dhe bashki të qarkut ne kërkuam nga Komisioni Qeveritar i Tokave dhe nga Ministria e Bujqësisë ardhjen e një ekipi kontrolli ku të verifikohej dhe kontrollohej në detaje gjithçka që lidhej me abuzimet e kryetarëve të komisionerëve të trojeve në komuna dhe bashki”. Kontrolli ka zbuluar skandalin e ri me trojet në zonat bregdetare dhe ato ku shtrihen perlat e turizmit, madje edhe me trojet e aeroportit “Nënë Tereza”. Ekipi kontrollit ka zbuluar dhe konstatuar shkelje procedurale ku dhjetëra persona të zbuluar deri tani, rezultojnë të kenë marrë truall, ndërkohë që ligji u ndërpret të drejtën komisioneve zonale të ndarjes tokave qysh nga viti 1996. Pas rezultateve të ekipit të kontrollit, u mblodh me urgjencë Komisioni Tokave, duke dalë me vendimin unanim të gjithë anëtarëve për t’i hequr titujt e pronësive të gjithë personave, të cilët janë pajisur me toka në bashkinë Sukth e Katundi Ri, ku janë dhënë 16 të tilla, ku çështja kryesore mbetej atje ndarja e tokave nga NB dhe Frutorja, në fshatin Rrushkull 10 familjeve, në fshatin Nikël (Krujë) 4 familjeve, pra, duke u hequr pronësinë 20 familjeve. Skandali me trojet ka gjasa të përfshijë zyrtarë komunash dhe bashkish, si dhe komisionet zonale të ndarjes së tokave në zonat bregdetare, duke i dërguar ata në Prokurori. Me ata tashmë ka punë organi akuzës. Bëhet fjalë për abuzime me 200 mijë metra katrore toka apo 20.1 hektarë të grabitur me vendime antiligjore. Si rezultat i punës së bërë nga komisioni ndarjes tokave, si dhe duke marrë në konsideratë edhe denoncimet e ardhura nga Nikla, Sukthi, Rrushkulli, dhe komuna te tjera bregdetare, u arrit zbulimi këtij skandali. Kështu në fshatin Hamallaj janë ndarë 13750 metra katrore truall, në fshatin Verdardh truall u janë dhënë 3 personave, po ashtu edhe në Sukth e Nikël. Në ndjekje penale do të shkojnë ata që kanë firmosur dhe ndarë tituj pronësie të paligjshme, duke hapur në Durrës skandalin e ri të grabitjes së tokave dhe trojeve bregdetare.