Vëllai i Alda Klosit ndërron version: 125 mijë eurot ia mora borxh një biznesmeni

145
Sigal

Leonard Çiko, vëllai i Alda (Çiko) Klosit, ish-zyrtares së lartë që iu vodh shtëpia pak ditë më parë nga pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier, pretendon se 125 mijë eurot e marra i kishin marrë borxh. Raportohet se Leonard Çiko ka hedhur poshtë dy versionet e thëna më herët nga motra e tij dhe është shprehur se paratë janë huamarrje nga një biznesmen që operon në fushën e ndërtimit, Mirjan Mala.

Çiko ka shtuar se paratë janë marrë për kurimin e xhaxhait të tij, që vuante nga në sëmundje e rëndë që kërkonte mjekim të specializuar.

“Pas kontakteve me miqtë, një prej miqve i është përgjigjur thirrjes time për para borxh duke i siguruar një shumë prej 125,000 (një qind e njëzet e pesëmijë) euro”, thuhet në dosje.

Vetëm pak ditë më parë u zbulua një megavjedhje ku Rozeta Dobi, pastruese bashkë me të birin, Havierin vunë në shënjestër dhe vodhën mbi 540 mijë euro, plus një sasi të konsiderueshme florinjsh dhe sendesh me vlerë. Banesa që solli zbulimin e dyshes ishte ajo e këshilltares në Kryeministri, Alda Klosi, njëherazi ish-shefe e Kabinetit të ish-ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Ata vodhën te shtëpia e Klosit 120 mijë euro lekë dhe florinj. Por kjo vjedhje ka shërbyer si një shkëndijë për një tjetër çështje. Atë të burimit të parave të vjedhura. Në dëshminë e saj për mediat, Klosi thotë se paratë i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait ndërsa për to nuk ka asnjë faturë.