Ismail H. Xhaferri: Ne jemi të gjithë patriotë

696
Ne jemi patriotë,
Ndaj na kanë të gjithë zili.
Vritemi për ideale,
Vritemi për pasuri.
Jo si ne s’gjen shumë të tjerë,
Të betuar për atdhe.
Ne e duam Shqipërinë,
Por me fjalë, në kafene.
Ne jemi balli vendit,
Nënë kemi Shqipërinë,
Ku u lindëm ku u majmëm,
Dhe ku vumë pasurinë.
Ne jemi ajkë e kombit,
Që e kemi kokën plot,
Të na dojë populli shumë,
Shitemi si patriotë.
Ne jemi kreu vendit,
Dhjetëra vite në mejdan,
Ne e duam Shqipërinë,
Por më shumë duam vatanë.
Ne e duam Shqipërinë,
Në të mirë e në rrezik,
Se ky vend kaq i varfër,
Ne na bëri pasanikë.
Ne jemi, s’ka si ne.
Të patundur si një gur,
Që të dukemi më mirë,
Bëjmë poza me flamur.
Në çdo pozë flamuri pranë,
Pa flamur s’pozojmë kurrë,
Pavarësisht se brenda gjoksit,
S’kemi një, po shumë flamurë.
Ne e duam shumë atdheun.
E duam me të vërtetë.
Në fakt s’vrasim për atdhe,
Vrasim vetëm për kuletë.
Ne jemi atdhetarë,
Të pushkës e të dyfekut,
Ne njohim vetëm një himn,
Himnin e bukur të lekut.
Ne jemi patriotë,
Për atdheun bëjmë namin,
Por ka edhe disa raste,
Që ngjajmë me Esat Toptanin.
Ne jemi atdhedashës,
Lidhur fort shoku me shokun,
Por ka edhe ndonjë rast,
Që s’ngjajmë me Ahmet Zogun.
Ne jemi ajkë kombi,
Zgjatur i mbajmë dy duart,
Shqipërinë për ta mjelë,
Evropën për të jetuar.
Ne jemi balli vendit.
Soji ynë vjen në rritje.
Ditën qajmë për atdheun, 
Natën e nxjerim në shitje.
Ne jemi atdhetarë.
Tek atdheu na rri goja.
Për atdheun falim jetën,
Po s’besoj se është nevoja.
Ne jemi patriotë.
Që të gjithë na kanë zili.
S’vritemi për ideale,
Vritemi për pasuri…


Sigal