Veliaj: Shlyem 60 për qind të borxhit të trashëguar, 572 milionë lek investime për vitin e ardhshëm në njësinë 2

519
Sigal

Bashkia e Tiranës prezantoi projektbuxhetin për vitin 2017 në Njësinë
Administrative Nr. 2

Në vijim të prezantimit të projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për
2017-n, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e
Njësinë Administrative Nr. 2, ku paraqiti projektet infrastrukturore për vitin
e ardhshëm. Në fjalën e tij, ai theksoi se pavarësisht vështirësive dhe borxhit
të madh që bashkia trashëgoi nga administrata e kaluar, gjatë vitit që po lëmë
pas u arrit jo vetëm që të shlyejë 60% të kësaj debie, por edhe të rrisë
nivelin e investimeve publike, duke hapur më shumë se 100 kantiere pune në të gjithë
Tiranën. Kjo, jo vetëm buxhetit më të madh, por edhe performancës shumë herë më
të mirë të mbledhjes së tatimeve dhe detyrimeve bashkiake.

Veliaj tha se ky buxhet dhe niveli i mbledhjes së taksave dhe tarifave bëri
të mundur që bashkia të mbajë fjalën dhe të kthejë bonusin e bebeve apo edhe
bursat për nxënësit më të mirë. Bëri një përmbledhje të projekteve strategjike
që ka nisur të zbatojë Bashkia e Tiranës dhe që do të vazhdojnë të financohen
edhe për vitin 2017, krahas disa projekteve të reja që do të nisin të
financohen me buxhetin e ri. Ai ka renditur projektin e Pazarit të Ri, Parkut
të Qendror të Tiranës, Sheshit “Skënd
ërbej”, etj.

“Nga viti tjetër, Bulevardi i Tiranës nuk fillon te Universiteti dhe mbaron
te ish Stacioni i Trenit, por do të mbarojë te Bregu i Lumit. Për herë të parë
fjala Bregu i Lumit nuk do të jetë një fjalë e keqe, por një fjalë e mirë. Aty
do të ndërtojmë disa parqe, disa pista vrapimi dhe biçikletash. Sot kemi pastruar
terrenin e Bulevardit në 90% të sipërfaqes, deri në fund të vitit, do të mbarojmë
parkingun e parë nëntokësor në Bashkinë e Tiranës”, tha Veliaj. Duke folur për
investimet e reja që do të nisin të mbështeten financiarisht vitin tjetër, ai
ka theksuar se projekti më i rëndësishëm dhe me më shumë impakt te qytetarët e
Tiranës, në mënyrë të veçantë tek të rinjtë, është ai i ndërtimit të shkollave
të reja, i cili synon të eliminojë mësimin me dy turne dhe mbingarkesën nëpër klasa.

Të tjera projekte që parashikohen për vitin 2017 janë: zgjerimi dhe sistemimi
i shtratit të Lanës, pylli orbital, terminalet e transportit apo edhe ndërtimi
i rrjetit minimal të biçikletave. Kreu i Bashkisë së Tiranës njoftoi gjithashtu
banorët e Njësisë Nr.2 se shumë shpejt do të nisë edhe rindërtimi i shkollës
“Kosova”. Duke u ndalur specifikisht në investimet për njësinë 2, kryebashkiaku
Veliaj u shpreh se nga 189 milionë investime që janë akorduar për vitin 2016,
projektbuxheti i vitit 2017 jep për këtë njësi plot 572 milionë lek, që do të
përdoren për investime ku janë përfshirë një sërë projektesh të reja të cilat
do të realizohen duke përmirësuar ndjeshëm jetën e këtij komuniteti.

Kështu, përveç rikonstruksionit që do t’i nënshtrohet rruga “Kadri Kërçiku”,
rruga tek liqeni pranë ambasadës Hollandeze, si dhe ndërtimi i kanalizimeve të
ujërave të zeza në degëzimin e rrugës “Gjon Krisli”, bashkia ka parashikuar të
investojë edhe 572 milionë lekë të tjera në projekte të ndryshme. Për 2017-n
është parashikuar rikualifikimi urban i bllokut që kufizohet nga rruga e
“Elbasanit” – “Stavri Vinjau” – “Pjetër Budi” dhe “Ali Visha”.

 Gjithashtu, do të nisë rikonstruksioni i rrugëve të bllokut që kufizohet
nga rrugët “Qemal Stafa” – Rruga “Bardhyl” – Rruga “Hoxha Tahsim” – Rruga
“Shenasi Dishnica”, si dhe do të nisë rikonstruksioni i rrugës “Mihal Grameno”
dhe degëzimit të rrugës “Budi” – Depo e ujit (faza e dytë). Në fokus të
investimeve të Bashkisë së Tiranës të parashikuara në projektbuxhetin 2017
është ndërtimi i rrugës “Danish Jukniu”. Një vëmendje të veçantë i është
kushtuar edhe ndërtimit të shkollave të reja dhe rikonstruksionit të shkollave
ekzistuese. Vetëm në njësinë Nr. 2 do të ndërtohen tre shkolla të reja, dy prej
të cilave do të jenë shkolla 9 vjeçare dhe një shkollë e mesme. Paralelisht, do
të rikonstruktohet dhe do të instalohet sistemi i ngrohjes në shkollën e mesme
“Ismail Qemali”, si dhe do të rehabilitohet dhe do të instalohet sistemi i
ngrohjes së Shkollës 9-vjeçare “Mihal Grameno”.