Tritan Kalo dekorohet nga presidenti Meta: Vlerësim për të gjithë personelin shëndetësor

147
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot në presidencë për kontributin e tij gjatë periudhës së pandemisë mjekun e njohur Tritan Kalo.

Gjatë fjalës së tij presidenti Meta deklaroi se kjo është e vonuar për shkak të kontributit të veçantë që Kalo ka dhënë gjatë kësaj periudhe.

“Edhe unë jam vërtetë i nderuar për këtë gjë që ndoshta është edhe e vonuar. Por në përgjithësi jam shumë bashkëpunues. Në rastin konkret kjo ide është shumë konsesuale në radhë të parë me publikun dhe qytetarët tanë.

Që kanë gjetur te figura e profesor Kalos një personalitet ndërgjegjësues shumë aktiv, shumë bashkëpunues me qytetarët, institucionet dhe mediat por edhe kritikët ndaj të gjithëve. Për t’i përqendruar energjitë te pasojat e kësaj pandemie. Pas çdo jete që shpëtohet gjendet një mjek ose mjeke që punon pa u lodhur. Jam i nderuar të vlerësoj një njeri fisnik”, u shpreh presidenti Meta.

Vetë Kalo deklaroi se kjo dekoratë nuk shkon vetëm për të por për të gjithë personelin shëndetësor që ka punuar me bardhësinë e shpirtit gjatë periudhës së pandemisë.

“Kënaqësi të jem në një sallë të tillë që ka një emër të veçantë. Nder i madh që të kem në prani në këtë sallë kolegë dhe miq. Kjo dekoratë është për të gjithë personelin shëndetësor që punojnë me bardhësinë e shpirtit kudo ku ndodhet.

Njeriu punon një jetë të tërë për të ndihmuar të tjerë. Dhe njëherë faleminderit dhe sukses të gjithëve”, tha Kalo.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë Luigi Soreca. Në fjalën e rastit Soreca tregoi një episod gjatë periudhës së pandemisë kur u infektua me COVID duke nënvizuar se mjeku që e kishte ndjekur kishte qenë pikërisht Tritan Kalo.

“U takova për herë të parë me profesor Tritan Kalo dy vite më parë. Me profesionalitetin dhe humanitetin e tij ka ndihmuar vendin për të kaluar këtë periudhë të vështirë. Ka një element personal me Tritan Kalon, COVID më preku edhe mua.

Kalo ishte pranë meje dhe familjes sime në momente të vështira. Ai ishte gjithmonë gati. Ka shumë mjekë në botë por jo të gjithë kanë empatinë që ka ai, ndjesinë për të kuptuar problemin. Për t’i bërë gjërat me zemër. Kalo e ka këtë empati dhe kjo e bën atë një doktor të veçantë. E vlerësoj dekorimin e presidentit Ilir Meta”, deklaroi ambasadori.