Veliaj prezanton administratorin e Frakës, deklaroi dhe ndërtimin e terminalit të autobusëve

534
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot pasdite administratorin e njësisë Farkë, Admir Abrija, ku deklaroi se në Farkë do të ndërtohet terminali lindor i autobusëve, si një mënyrë për të disiplinuar trafikun e Tiranës dhe për të shmangur ndotjen që shkaktojnë automjetet. “Kemi vendosur që terminali lindor i autobusëve që vijnë nga zona e juglindjes së Shqipërisë, Pogradeci, Korça apo veriu i Greqisë, të jetë në zonë e Farkës. Është një mënyrë se si ne disiplinojmë trafikun në Tiranë dhe se si shmangim skenat e shëmtuara që shkaktojnë trafik dhe ndotje në qytet. Duke pasur një terminal në zonën e Farkës, disiplinojmë trafikun, por i kthejmë edhe një vlerë kësaj lagjeje të re të Tiranës, duke u siguruar që kemi një sistem modern të disiplinimit të të gjithë transportit publik në qytet”, u shpreh Veliaj. Gjithashtu, ai inspektoi punimet për Liqenin e Farkës, ku edhe deklaroi se ky liqen do të jetë njëri nga 5 parqet e Tiranës. Veliaj theksoi se Liqeni i Farkës ka një potencial fantastik për t’u kthyer në një zonë rikrijuese, çlodhëse dhe e këndshme për qytetarët e Tiranës.

Deklarata e plotë
“Më vjen mirë që jemi në Farkë, për t’i uruar administratorit të ri të Farkës, Admir Abrija, punë të mbarë e shumë suksese.
Sot kemi edhe dy lajme shumë të mira për Farkën. Kemi vendosur që terminali lindor i autobusëve që vijnë nga zona e juglindjes së Shqipërisë, Pogradeci, Korça apo veriu i Greqisë, të jetë në zonë e Farkës. Është një mënyrë se si ne disiplinojmë trafikun në Tiranë dhe se si shmangim skenat e shëmtuara që shkaktojnë trafik dhe ndotje në qytet.
Duke pasur një terminal në zonën e Farkës, disiplinojmë trafikun, por i kthejmë edhe një vlerë kësaj lagjeje të re të Tiranës, duke u siguruar që kemi një sistem modern të disiplinimit të të gjithë transportit publik në qytet.
Më vjen mirë gjithashtu, që sot inspektojmë punimet për Liqenin e Farkës. Dua të falënderoj kompaninë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, për faktin se në Liqenin e Farkës ne shohim një potencial fantastik, duke qenë se është rreth dy herë sa sipërfaqja e Liqenit të Tiranës. Kjo do të thotë se kemi dy herë mundësi për të pasur një zonë rikrijuese, çlodhëse, shumë më pranë qendrës së Tiranës, duke u siguruar se parku i Liqenit të Farkës plotëson premtimin dhe angazhimin tonë për 5 parqet e Tiranës: parkun e Vaqarrit, Kasharit, liqenit të Tiranës, parkun e Dajtit dhe tani të Farkës, si një mundësi për të shënjuar një diferencë nga politikat që janë investuar kryesisht në beton, në një politikë lokale të Tiranës që e zëvendëson 4-vjeçarin e betonit me një perspektivë të 5 parqeve të qytetit të Tiranës”.
Sigal