Vdekje me pushkatim, për një fjalë goje e Ministrit të Shëndetësisë

2957
Thuhet se Ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti tha pas ekzaminimit të trupit të tij : Uh, po këtë e paskan vrarë! Pra nuk qe vetëvrasje, sikurse qe përhapur fjala, por vrasje. Kush mund ta kishte vrarë kryeministrin e qeverisë shqiptare apo kush kishte urdhëruar vrasjen e tij? Në librin “Vështrim historik i organeve drejtuese të shëndetësisë shqiptare 1912-2000”, të autorëve Andrea Gudha, Flamur Tartari dhe Rozeta Bezhani, te faqja 48 thuhet tekstualisht: Në dhjetor të vitit 1971 Ministri i Shëndetësisë i cili e kreu këtë detyrë për 10 vjet, Dr. Ciril Pistoli, u lirua nga kjo detyrë dhe në vendin e tij u emërua Dr. Llambi Ziçishti. Këtë detyrë Ministri Llambi Ziçishti e kreu nga viti 1971 deri më 17 maj të vitit 1982. Llambi Petro Petraj (Ziçishti) ka lindur më 23.12.1923 në Korçë. Shkollën fillore, shtatëvjeçaren dhe liceun francez i ka mbaruar në qytetin e Korçës, ku banonte familja e tij. Më vonë u dërgua në Francë ku kreu dy vjet në Fakultetin e Mjekësisë në Paris dhe më vonë në Bukuresht të Rumanisë ku u diplomua si mjek. Si kirurg u formua nën kujdesin e drejtpërdrejtë të mjekut kirurg “me duar të arta” Dr, Frederik Shirokës. Në vitin 1953 kthehet në Shqipëri dhe fillon punën pranë kirurgjisë në QSUT. Për shumë kohë drejtoi katedrën e kirurgjisë së Përgjithshme. Në vitin 1968 u caktua Dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe në vitin 1971 u emërua Ministër i Shëndetësisë. Në vitin 1982 u arrestua dhe u pushkatua nga diktatura komuniste.
Zemërimi i diktatorit
Arsyeja. Dihet se ministri Shëndetësisë dr. Llambi Ziçishti ishte një nga anëtarët e ekipit të mjekëve që shkuan te shtëpia e kryeministrit Mehmet Shehu për të konstatuar vdekjen e tij, apo vetëvrasjen e tij. Thuhet se Ministri i Shëndetësisë Llambi Ziçishti tha pas ekzaminimit të trupit të tij tha: Uh, po këtë e paskan vrarë! Pra nuk qe vetëvrasje sikurse qe përhapur fjala, por vrasje. Kush mund ta kishte vrarë kryeministrin e qeverisë shqiptare, apo kush kishte urdhëruar vrasjen e tij? Askush tjetër veç Enver Hoxhës. Sepse vetëm ai ishte mbi të, gjithë të tjerët qenë poshtë rangut të kryeministrit. Dhe posa ato fjalë shkuan në veshin e tij ai u inatos dhe u zemërua aq shumë sa menjëherë urdhëroi që autori i atyre fjalëve, të arrestohej dhe të dënohej. Dhe gjykatësit komunistë e shpunë në vend porosinë e udhëheqësit duke e dënuar Ministrin e Shëndetësisë dr. Llambi Ziçishti me vdekje dhe e pushkatuan menjëherë, pa e lejuar as të kërkonte falje sikurse e përcaktonte ligji. Thënia e tij, apo dyshimet e tij se e kishin vrarë mund të hetoheshin nga një komision ekspertësh mjekësorë dhe çështja mund të ishte mbyllur menjëherë, por Enver Hoxha qe tërbuar prej atij aludimi dhe kërkoi dënimin e autorit të asaj thënie. Pastaj familja e Llambi Ziçishtit, pati gjithë pasojat e rënda të familjeve reaksionare. Vajzën e tij e ndau i fejuari menjëherë se e parashihte që edhe ajo do të kishte pasoja nga pushkatimi i të atit të saj si armik, e po ashtu edhe ai vetë. Dhe kalvari i familjes Ziçishti vazhdoi gjatë edhe pse vëllai i Llambit, Mihallaq Ziçishti qe për një kohë bukur të gjatë Ministër i Punëve të Brendshme dhe me urdhër të tij u kryen shumë krime mbi shumë intelektualë shqiptarë. Dukej sikur qe kthyer në jetë thënia e ungjillorëve “kush përdor shpatën, nga shpata do të bjerë, kush përdor thikën kundër të tjerëve, nga thika do ta pësojë”!
Sigal

Naum Prifti