Ulen divorcet në 2020-n, priten në rritje në 2021: Janë gratë që po lënë burrat

189
Sigal

Kur njerëzit zgjedhin të martohen, zakonisht ata e bëjnë këtë me synimin për të qëndruar së bashku përgjithmonë.

Megjithatë, afërsisht një e katërta e martesave përfundojnë në divorc në Shqipëri. Revolucion femëror: Gratë janë ato që ndërmarin më së shumti hapin e parë për të zgjidhur një martesë të palumtur.

Sipas të dhënave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në vitin 2018, rreth 3,600 kërkesa për divorc, ose 54% u bënë nga bashkëshortet.

Në 2019-n, rreth 4300 gra iu drejtuan Gjykatës për të kërkuar zgjidhje martese, ose gati 56% e kërkesave.

Arjana Manreka, psikologe, pohon për Monitor se, në vendin tonë janë kryesisht këto arsye që kontribuojnë në divorc:

abuzimi fizik, problemet financiare, infertiliteti, pabesia apo tradhëtia dhe konfliktet mes tyre ose me familjarë të përfshirë.

Sipas saj, fuqizimi i grave ka çuar në një rritje të divorceve sepse nuk e kanë më të vështirë ekonomikisht të ‘mbijetojnë’ pas martese, ashtu sikurse edhe opinioni që dikur i rëndonte, tani nuk përbën problem madhor.

Sipas saj, suksesi profesional i grave ka ndihmuar në emancipimin e tyre ideologjik dhe ekonomik nga burrat, gjithashtu i bën gratë dhe burrat më pak të ndërvarur, duke ndryshuar përfitimet e martesës dhe kostot në rast se ndahen.

Kjo perspektivë çon në pyetje të reja kërkimore, sidomos për efektin afatgjatë të pandemisë, pohon në fund psikologia.

Ulen divorcet në 2020-n, priten në rritje në 2021

Viti 2019 shënoi dhe numrin rekord të divorceve në vend, me gati 8 mijë të tilla, me një rritje prej 17.3% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Emigracioni, pavarësia ekonomike e grave, mosmarrëveshjet financiare kryesojnë listën si arsyet kryesore pse po divorcohen shqiptarët. Shifrat treguan për 2019 se kishim 26.1 divorce për 100 martesa.

Në vitin 2020, sipas Ministrisë së Drejtësisë, numri i divorceve ka rënë ndjeshëm, duke zbritur në rreth 6 mijë, me një tkurrje prej 26.45 me vitin e mëparshëm. Kjo rënie reflekton situatën e krijuar nga pandemia, që çoi ndër të tjera dhe në mbylljen e Gjykatave dhe shtyu shqyrtimin e kërkesave për divorc.

Avokatja Margarita Kola pohon për Monitor se, ekspertët e fushës ligjore presin një reflektim të situatës së divorcit në shifrat që do të dalin për vitin 2021. Sipas saj, një pjesë e rasteve për divorc, të ardhura në fund të 2020, kanë nisur shqyrtimin në 2021. Arsyet janë: Mosfunksionimi i gjykatave, numri i ulët i gjykatësve në punë pas Vetingut etj.

Znj. Kola shton, se si tendencë botërore, pandemia shtoi konfliktet në çift, të cilat u reflektuan ose me divorc, ose më kërkesa për konsulenca martesore. Ndërsa sipas saj, kjo e dyta është thuajse jo e pranishme në Shqipëri (profesioni i konsulentit martesor/familjar) dhe duke marrë në konsideratë se, shqiptarët e kanë të vështirë të kërkojnë ndihmë te palë të treta, qoftë edhe psikologë, kjo do të çojë te një numër më të lartë të divorceve në 2021.