Shenjat që jep trupi para një infarkti, si duhet të reagoni dhe këshillat e mjekëve

1588
Infarkti akut i miokardit është një nga sëmundjet më serioze që rrezikon jetën e njeriut. Ndihma e parë ndaj të sëmurit përcakton edhe vazhdimësinë e sëmundjes dhe vendos për jetën e të sëmurit.
Çfarë është infarkti akut i miokardit?
Kjo gjendje është pasojë e iskemise akute të miokardit, që ka të bëjë me zvogëlimin e sasisë së gjakut që shkon në zemër. Është e rëndësishme të thuhet që kjo gjë ndodh nga një sëmundje e quajtur atheroskleroza e enëve të gjakut, që shoqërohet me depozitimin e kolesterolit në formën e pllakave në murin e enëve të gjakut. Depozitimi i tyre zvogëlon në mënyrë të ndjeshme kalimin e gjakut nëpër enë, deri në bllokimin e plotë të tij. Ndalimi i plotë i furnizimit me gjak të muskulit të zemrës shkakton infarktin akut të miokardit.
Nëse pllaka e kolesterolit ose një mpiksje e gjakut bllokon plotësisht enën e gjakut që furnizon atë pjesë të muskulit të zemrës, ekziston një kohë rreth 20 deri ne 40 minuta pas së cilës qelizat e muskulit të zemrës fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit. Nëse nuk ka një bllokim të plotë të enës së gjakut, por një ngushtim kritik të saj, atëherë shfaqet një gjendje e quajtur parainfarkt, në të cilën pacienti ndjen dhimbje të gjoksit herë pas here. Kjo dhimbje shfaqet gjatë sforcimeve apo pas ngrënies së vaktit ushqimor. Kjo situatë mund të kthehet menjëherë në një gjendje emergjente, pasi ena e gjakut mund të bllokohet në çdo moment.
Procesi i vdekjes së qelizave të zemrës është një proces i pakthyeshëm dhe nuk ekziston asnjë ilaç që mund t’i kthejë përsëri në jetë qelizat e vdekura. Kështu, ajo pjesë e zemrës që ka kaluar infarkt mbetet një pjesë e dobët që mund të shkaktojë komplikacione të tjera, siç janë: çrregullimet e ritmit apo pamjaftueshmëri të zemrës.
Faktorët e rrezikut në infarktin akut të miokardit:
-Përdorimi i duhanit
-Tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni)
-Mungesa e aktivitetit fizik (jeta sedentare)
-Mbipesha
-Kolesteroli i lartë në gjak, që ndikon në zhvillimin e atherosklerozës
-Dëmtimi i metabolizmit dhe rritja e sheqerit në gjak, që çojnë në shfaqjen e diabetit.
Shenjat e infarktit akut të miokardit
Për të bërë të mundur dhënien e ndihmës së parë për të sëmurin me infarkt akut të miokardit, së pari duhet të dimë ankesat që paraqesin këta të sëmurë. Duhet të dihet se, sa më shpejt i jepet ndihma e parë të sëmurit, aq më e madhe është mundësia për të mbijetuar.
Ne zakonisht mendojmë se sëmundja iskemike e zemrës, atheroskleroza, hipertensioni dhe sëmundje të ngjashme të sistemit kardiovaskular janë sëmundje të të moshuarve dhe nuk kanë të bëjnë me moshat e reja. Ky koncept është plotësisht i gabuar. Prandaj, nëse shenjat që do të përmendim më poshtë shfaqen në të sëmurë në moshë të re apo në moshë mesatare, atëherë duhet menjëherë të japim ndihmën e parë deri në kohën kur vjen mjeku.
Si mund të dimë që një person po kalon infarkt akut të miokardit?
Shenjat e mëposhtme tregojnë që një i sëmur po kalon infarkt të miokardit.
1. Dhimbje shtypëse në gjoks, që zgjasin më shumë se 15 minuta (nganjëherë deri në 2 orë). Dhimbja e infarktit të miokardit nuk ndihet vetëm në zonën e zemrës, por edhe në zona të tjera të organizmit, si: në zonën midis shpatullave, krahun e majtë, nofullën e majtë.
2. Përdorimi i nitroglycerines (trinitrinë, i cili është një ilaç që hap enët e gjakut) nën gjuhë është një provë e rëndësishme, e cila, nëse qetëson dhimbjen e gjoksit, tregon për problem me enët e gjakut të zemrës.
3. Lëkurë e zbehtë. Lëkura e të sëmurëve me infarkt akut të miokardit është e bardhë apo e verdhë e hapur. Kjo vjen pasi në infarktin akut të miokardit ulet sasia e gjakut jo vetëm në zemër por në të gjithë organizmin.
4. Djersitje e tepërt. Djersitja është një fenomen që shoqëron dhimbjen e gjoksit, por mund të jetë edhe si pasojë e rënies së tensionit, pasi organizmi çliron hormone të tillë si: adrenalina dhe noradrenalina për të ruajtur tensionin normal të gjakut.
5. Shfaqja e ndjenjës së vdekjes së papritur është një fenomen që ndodh tek këta të sëmurë. Gjithashtu mund të paraqiten dhe halucionacione vizive (shikon gjëra që nuk ekzistojnë) dhe auditive (dëgjon gjëra që nuk ekzistojnë). Personi mund të paraqesë veprime jo të vetëdijshme, siç janë lëvizjet e pakuptimta apo agresivitet i tepruar.
6. Më shumë se gjysma e të sëmurëve me infarkt akut të miokardit paraqesin shenja të çrregullimit të ritmit të zemrës ose pamjaftueshmërisë (insuficincë kardiake) së saj: vështirësi në frymëmarrje, kollë të thatë, aritmi e cila mund të shihet duke prekur pulsin e të sëmurit. Tensioni i lartë i gjakut nuk është një tregues i infarktit. Të sëmurët mund të paraqiten me tension të lartë të gjakut apo të ulët të tij.
7. Të sëmurët mund të paraqesin ankesa jo tipike për infarkt, për shembull: dhimbje në bark, në stomak apo në nofull.
Shenjat që përmendëm më lart janë shenjat e infarktit akut të miokardit, që tregojnë për fillimin e vdekjes së qelizave të muskulit të zemrës. Ndihma e parë nuk është vetëm thirrja sa më shpejt e ambulancës, por edhe kujdesi paraprak deri në arritjen e mjekut të urgjencës.
Shumë të rrezikshme janë shenjat atipike të infarktit të miokardit. I sëmuri mund të ankohet për çrregullime gastrointestinale, siç janë dhimbjet e barkut, të vjellat, dobësi. Paralelisht më këto shenja mund të vihen re edhe rënie e tensionit dhe rrahje të shpeshta të zemrës.
Format e infarktit që paraqiten si astmë bronkiale kanë këto shenja: vështirësi në frymëmarrje, marrje e frymës në mënyrë sipërfaqësore dhe të shpeshtë. I sëmuri përpiqet të marrë një pozicion të detyrueshëm përpara. Shfaqen zhurma në bazën e kraharorit dhe kollë me sekrecione me gjak.
Sigal