Dërgohet në gjykatë pas mbylljes së hetimeve, dosja për gjyqtaren e Lezhës dhe avokatin

522
Brenda më pak se dy muajve, Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim kërkesën ndaj të pandehurve Parashqevi Ademi, gjyqtarë në Lezhë dhe Gjovalin Ndokaj, avokat, të akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit…dhe funksionarëve të drejtësisë…”. Hetimi ndaj këtyre të pandehurve është kryer nën masën e sigurisë “arrest me burg”.
Dy të pandehurit akuzohen se i kanë marrë një shtetasi 200 mijë lekë të reja, për t’i dhënë këtij të fundit një masë dënimi me kusht.
“Në bazë të hetimit rezulton se shtetasi Gjovalin Ndokaj, cili ishte caktuar kryesisht nga Gjykata si avokat i kallëzuesit A.P dhe i nënës së tij, shtetases M.P, në gjykimin penal të zhvilluar në Gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë, i ka kërkuar 2 milion lekë të vjetra për t’ia dhënë gjyqtares në këmbim të caktimit të një dënimi me kusht.” thuhet në njoftimin e prokurorisë
Paraprakisht, ky avokat u ka thënë se ai dhe mamaja e tij rrezikonin të dënoheshin me burg deri në tre muaj, më vonë u ka thënë se mund të dënoheshin me një gjobë rreth 50 mijë lekë, duke i ofruar edhe një kafe gjyqtares së çështjes.
Më datë 09.06.2015, kur A.P ka patur seancën e radhës, avokati Gjovalin Ndokaj u ka thënë të dyve (A.P dhe M.P), se “kishte folur me gjyqtaren dhe se duhej t’i jepnin 2 milion lekë të vjetra gjyqtares për të mbyllur çështjen, ata do dënoheshin me 18 muaj me kusht dhe do bënin punë në dobi të Bashkisë.
Pasi ky fakt është kallëzuar në Prokurorinë për Krime të Rënda, ka nisur menjëherë hetimi dhe, në orën 13.30 të datës 11.06.2015 Policia Gjyqesore ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetases: Parashqevi Ademi, lindur më 1960, profesioni Gjyqtare, e dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 të Kodit Penal.
Në momentin e arrestimit, dy të pandehurve u është gjetur shuma e parave, të cilat ia kishte dhënë kallëzuesi.
Sigal