U turpërua dhe një grua…

825
Sigal

Agron MEMA

Fejton nga tregu industrial i Sarandës

Sot në mesditë, pa dëshirën e saj, u turpërua një grua. Dhe ku? Në qendër të qytetit, tek ish-agjencia që sot i ka mbetur vetëm parashtesa ndihmësfoljore “ish”. Është masakra urbane që përfshiu këtë qytet në vitet e trazicionit shkaku që e ktheu këtë shesh në një rrugicë sa problematike, aq edhe me rrezikshmëri për qytetarët kalimtarë. Po të kthehemi tek ngjarja që turpëroi një grua. Një grua e qytetit tonë. Ajo urinoi në pantallona në mes të qytetit, pikërisht tek vendi ku dikur qenë banjat publike, por sot janë kthyer në dyqane të mallrave të shtrenjta. E skuqur në fytyrë nga turpi, gruaja iku të ndërrohej. Po më shumë nga kjo ndodhi u turpëruan qytetarët e ndodhur nëpër klubet rrotull dhe kalimtarët e rastit afër saj. Filluan të shanin bashkinë me fjalor të rëndë. Po bashkia au turpërua nga ky rast? Duhet të jetosh në një planet tjetër ta drejtosh këtë pyetje, qoftë edhe kryeministrit në dëgjesat publike (të shkosh në një qytet tjetër ta pyesësh për qytetin tënd, se në Sarandë nuk i shkel këmba për kësisoj takimesh. Për të Shqipëria përfundon në Gjirokastër). Po nejse ta lëmë pak kryeministrin, se edhe ai ndonjëherë, largqoftë mos të jetë e vërtetë, ka urinuar në pantallona. U turpërua një grua në mesditë, në qytetin turistik të jugut shqiptar. Po si dhe pse? Qe një grua nga ato të shumtat e vetëpunësuar në tregun industrial të Sarandës. Për nevojat personale u drejtua për në tualetin e njërit prej hoteleve të qytetit të ndodhur pranë tregut dhe shpirtmirësia e pronarit i ka lejuar që të kryejën nevojat personale në tualetin e hotelit. Por atë ditë qenë mbyllur për shkak të rikostruksionit që kryhet në prag të sezonit në brendësi të hotelit. Klithi e shkreta grua, por askush nuk dëgjonte nga zhurma e kompresorëve. Doli për t’u drejtuar në ndonjë lokal tjetër, por nuk proftasi dot, urinoi në pantallona. Irritimi dhe revolta mbërtheu të gjithë tregëtarët e këtij tregu:

-Na thonë e premtojnë sa herë kemi zgjedhje se do të na ndërtojnë një tualet. Por kurrë nuk duken këtu e, jo më të ndërtojnë një tualet të thjeshtë. U dukën vetëm kur i vetëshpalluri, pashai i jugut kërkoi të na ndiqte fare këtej, se donte të ndërtonte pallat. Janë gra dhe ndodh si ndodhi sot. Mirë ne burrat që shkojmë nëpër klube dhe duam apo nuk duam, jemi të detyruar të pimë dhe kafe. Mendojnë se kanë edhe vetë nëna, motra, gra, vajza këta qeveritarë dhe pushtetarë lokalë? Njëri nga pronarët e lokaleve thotë, se janë treguar njerëzorë, por janë shumë tregëtarë, mbi 100 persona dhe vetëm me ujë nuk i përballojmë dot tualetet. Vetë lokalet dhe hotelet kanë ngarkesën e tyre të frekuentimit gjatë kësaj periudhe të sezonit turistik dhe dihet që furnizimi me ujë është problematik, përveçse me orar është edhe i pakët. Nuk mundemi dot ta përballojmë me ujë, lëre më me dizifektantë. Dikush shton dhe me humor e sarkazëm bashkë, se të paktën bashkia mirë që nuk mer masa të ndortojë një tualet në mjediset e këtij tregu, por të na paguajë neve ujin, apo nuk kanë ngritur dhe çmimin e tij, se kanë punësuar dhjetra militantë. Gjendja e mjeruar e tregut industrial në Sarandë vijon të sjellë problematika dhe skena të pakëndshme duke u përballur me karshillëkun moskokëçarës të bashkisë.