U kap me shuma të mëdha eurosh dhe armë para PS-së, nis hetimi pasuror për Vladimir Gjutën

221

Pas ndalimit të djeshëm, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me prokurorinë, nisi hetimin pasuror ndaj Vladimir Gjutës. Ai u kap nga gardistët ndërsa zhvillohej mbledhja e kryesisë së PS në afërsi të selisë rozë.  Gjuta u arrestua reth orës 08:45, të 10 shkurtit nga efektivët e Komisariati i Policisë Nr. 3, pasi u kap me armë zjarri me vete dhe një shumë të madhe parash afër selisë së PS.

“Në momentin e kapjes nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë nr.3, këtij shtetasi iu gjetën me vete një armë zjarri pistoletë me municon luftarak, një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare”,-sqaron policia në njoftimin e publikuar një ditë më pas. Shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash. “Në cilësinë e provës materiale Gjutës iu gjetën 121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja. Po gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një mjet të blinduar autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte ky shtetas”.

40-vjeçari, një emër i njohur kryesisht 5-vitet e fundit, veçanërisht sa i takon një hetimi të nisur te ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda për shpërthimin me tritol të kryer ndaj farmacisë të babit të ish-ministrit Tahiri u lirua nga paraburgimi më 5 shkurt, pasi ishte arrestuar se kishte rrahur me çekiç kushëririn e tij, duke i thyer dhëmbët dhe duke i dëmtuar njërin sy. Mësohet se kushëriri që ishte dhunuar nga Gjuta, u tërhoq nga ankimi dhe prokuroria kërkoi revokimin e masës, ndërsa gjykata vendosi që ta lërë të lirë.

Njoftimi i plotë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me prokurorinë, nisi hetimin pasuror ndaj shtetasit V. Gj. 40-vjecari V.Gj, i arrestuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 3, pasi u kap me armë zjarri me vete dhe një shumë të madhe parash. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe shuma të mëdha parash.

Sekuestrohet edhe një automjet i blinduar që e kishte në përdorim 40-vjeçari V. Gj. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrugën “Çamëria”, rreth orës 08:45, të datës 10.02.2020, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Gj, 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë. Në momentin e kapjes nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3, këtij shtetasi iu gjetën me vete një armë zjarri pistoletë me municon luftarak, një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare.

Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar dhe atë të Krimeve ndaj Jetës dhe Personit në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash.

Në total iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja.

Po gjatë kontrollit të banesës së shtetasit V. Gj, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një mjet të blinduar autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte ky shtetas.

Në vijim të veprimeve, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur hetimi pasuror për shtetasin V. Gj.

Në përfundim të veprimeve, materialet iu referuan prokurorisë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.