U kap me 59 kg kokainë në Portin e Durrësit, sekuestrohet anija me qymyr

50
Sigal

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e anijes me qymyr që mbërriti në Portin e Durrësit më 17 maj. Në anije u gjetën dhe sekuestruan 59 kg kokainë.

SPAK pas marrjes në pyetje të ekuipazhit dhe verifikimeve të anijes e sekuestroi atë për shkak se hetimet vijojnë. Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Erjon Çela, i cili pranoi kërkesën e SPAK.

Droga është gjendur në hambarin e anijes Unistream me flamur të Antigua Barbuda.

Anija u ankorua me datën 16 maj në kalatën lindore të portit detar të Durrësit.

Anija me kapiten rus po transportonte 6500 ton qymyr nga Kolumbia në vendin tonë. Nga kontrolli imtësishëm rezultoi se në hambarin e anijes ndodheshin 53 pako me drogë të cilat peshonin 59 kg.

Droga dyshohet të jetë futur në ngarkesë në Kolumbi.